Tallje qeveritare për pensionistët

461
Sistemi i pensioneve është një skemë solidariteti dhe solidariteti është më shumë me të varfrin
Më në fund ministri i Mirëqenies sonë lumturoi zyrtarisht pensionistët duke i bërë të njohur lajmin e madh, se pensionet e tyre do të rriten me plot 3 për qind. Në përqindje shifra duket vërtet disi e vogël, por në vlerë rritja është disa herë më e madhe, ajo shkon jo pak por nga 206 deri në 1.100 lekë në muaj. Dhe këtë ministri ynë i mirëqenies e quan konkretizim të premtimeve, paçka se ka një ligj për sigurimet shoqërore, neni 61 i të cilit detyron qeverinë të indeksojë çdo vit pensionet si pasojë e rritjes së çmimeve etj. Ky tregues është pak a shumë treguesi i inflacionit që sipas statistikave shkon ne 2,1. Sidoqoftë qeveria duhet lëvduar, sepse rritja e këtij viti ishte më shumë se dy vitet e shkuara (të kujtojmë se rritja në këto dy vite ishte 1,4 dhe 1,6 përqind, pra me pak se inflacioni zyrtarisht i pranuar). Shumica dërrmuese e pensioneve tona është e nivelit mjeran nën 20.000 Lekë. Nëse të nesërmen nuk do të ketë rritje të çmimeve, sa vallë e përmirëson jetën e pensionisteve kjo rritje që mesatarisht është më pak se 600 lekë. Vetëm 7-8 kafe e asgjë me shumë. Si socialist që është, Ministri e quan simbol barazie (një farë mënyre drejtësie) dhe transparence faktin që rritja bëhet “në masë të njëjtë”. Dhe çuditërisht si masë nuk merret vlera në lekë por përqindja. Si e majtë që pretendon të jetë qeveria do të bënte mirë që rritjen ta bënte të njëjtë në vlerë p.sh. me 1.100 lekë. Sistemi i pensioneve është para së gjithash një skemë solidariteti dhe solidariteti është më shumë me të varfrin. Një shqetësim të tillë për pensionet, që prej vitesh e kanë sindikata të shumta në botë, e ka trajtuar këto ditë edhe presidenti i INPS në Itali (analoge e I.S.Sh. tek ne) që, pikërisht theksonte domosdoshmërinë e zbutjes së vazhdueshme të diferencës dhe rritjen shumë më tepër të pensioneve të ulëta. Në Itali përbën shqetësim të madh fakti që rreth 3 milionë pensionistë marrin nën 1.000 euro dhe synojnë, që veç pensionit të 13-të dhe të 14-të, ta zbusin këtë varfëri edhe me shtesa të tjera. Tek ne statistika të tilla nuk ka, ose nuk jepen, dhe megjithatë bien trumpetat për një rritje prej 4 eurosh. Shoh disa rritje pensionesh të bëra ndër vite… Ndonëse e djathtë, qeveria Meksi që në vitin tashmë të largët 1995, bënte një rritje të diferencuar nga 0 në 12 për qind. Thuajse në këtë frymë është vazhduar me tej me rritjet e kompensimet e tjera në vite. Nuk besoj të quhet populizëm apo për qëllime elektorale. Socialistët Ramistë i japin 200 lekë mbi 70 vjeçarit super të varfër ndërkohë që ish zyrtari i lartë, ish deputeti etj. marrin sigurisht 10-fishin. Ministri i “mirëqenies” e quan barazi, unë dyshoj të jetë e tillë. A thua vallë, mendon dikush veç qeverisë, se kjo shtesë me tepër se atyre që kanë u duhet atyre që s’kanë? Janë sigurisht mbi 500 mijë pensionistë që kanë të drejtë të kërkojnë më shumë nga shteti i tyre. Përgjithësisht këta mbi70 vjeçare janë më të lodhur e më të sëmurë se ish zyrtarët, kanë më shumë halle, e në këtë kuptim nuk do të dilte me humbje qeveria që 2.200 vetë të marrin së paku 100 euro në muaj. E njëjta analizë edhe për pensionet minimale, për ata që marrin nën 140 euro në muaj..

Janë bërë studime e janë dhënë shifra të ndryshme për minimumin jetik. Së fundmi, një punë që e konsideroj të lavdërueshme beri edhe institucioni i Avokatit të Popullit. Ndonëse me shumë rezerva le ta konsiderojmë të bazuar shifrën 16.000 lekë për frymë si minimum jetik të përcaktuar nga ky institucion, por duke parë këtë rritje tallëse të pensioneve bindem, se për këtë qeveri pseudo të majtë, kjo shifër nuk nxit për asgjë. Fondet gjenden e duhet të gjenden. Ka shpenzime kolosale, shpenzime fasadash e dukjesh, që pak, madje shumë pak rrisin mirëqenien. Fasadat e sheshet të bëra e të zhbëra, kullat e ngjyrat edhe mund të duhen, por janë lukse, kur mbi 500 mijë vetë mezi ngrysin muajin. 

Edhe caktimi e zbatimi i përparësive e ndan të majtën nga e djathta. E pra kjo dhuratë “jo-elektorale” që iu bë shumicës së pensionistëve nuk bie erë të majtësh, bie erë harresë e mos-kokëçarje për shtresat më të lodhura e më të pakamura. Por tej të majtës e të djathtës, kjo qeveri ishte e detyruar, së paku të korrigjonte vetveten e të zbatonte atë ligj që për dy vjet rresht e shkeli me kembë – indeksimin e pensioneve. 
Sigal