Tallja me taksën e banesës, qeveria fut në lojë bashkitë

739
Frika nga efektet, taksa e banesës mund të reduktohet me 30 %
Ndonëse miratoi vetë çmimet referuese, qeveria fton këshillat bashkiakë të pakësojnë nivelin e pagesave, në mënyrë që të mos rëndohen buxhetet familjare
Taksa e banesës do të nisë nga 1 prilli 2018, por duket se qeveria është trembur nga efektet që ajo mund të japë. Ndonëse qeveria miratoi vetë çmimet referuese mbi bazën e të cilëve do të paguhet taksa nga qytetarët, Ministria e Financave ftoi dje këshillat bashkiakë ta ulin më tej nivelin e pagesës. Në bazë të ligjit, këshillat bashkiakë kanë të drejtë ta vendosin taksën brenda një intervali të caktuar nga çmimi referues i miratuar nga Këshilli i Ministrave. 

Kadastra
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nisur një proces të ri për vlerësimin dhe llogaritjen e taksës së pasurisë së paluajtshme (ndërtesë) që fillon të aplikohet nga data 1 prill 2018. Ky proces është shoqëruar me ndryshimet ligjore përkatëse tashmë të miratuara dhe krijimin e akteve nënligjore në mbështetje të tij. Qëllimi kryesor i projektit është të kontribuojë në ngritjen e kapaciteteve të njësive të vetëqeverisjes vendore në Shqipëri, nëpërmjet rritjes së eficiencës së të ardhurave buxhetore duke vënë në zbatim aplikimin e taksës së pasurisë mbi ndërtesat, mbështetur në vlerën e tregut. Objektivi i projektit është krijimi i kadastrës fiskale, si një sistemi i integruar vlerësimi dhe menaxhimi për të gjithë procesin e taksës së pasurisë së paluajtshme. Gjithashtu, sistemi do të ofrojë informacion të gjerë për përdoruesit në nivel lokal dhe qendror, do të krijojë akses për çdo tatimpagues në kohë reale, duke rritur transparencën dhe efikasitetin. Në kuadër të realizimit të këtij projekti, do të arrihet gjithashtu rritja e të ardhurave nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme (ndërtesë); një funksionim më i mirë dhe efikas i ekonomisë lokale, kryesisht mbi tregjet e pasurive të paluajtshme dhe kolateralit. Ndërtimi institucional i kadastrës fiskale, pra sistemi, do të shërbejë për menaxhimin e procesit të taksës së pasurisë së paluajtshme dhe është rekomanduar fuqimisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, duke e përcaktuar si pjesë të reformave strukturore dhe fiskale që ka ndërmarrë qeveria. Sipas Ministrisë, ky projekt do të sjellë disiplinë të re në menaxhimin fiskal vendor dhe pritet të ketë efekte pozitive në tërësi për financat vendore. Lidhur me impaktin në buxhet, aktualisht për vitin 2017 të ardhurat nga taksa e pasurisë janë në nivelin 4.9 miliardë lekë. Impakti në të ardhurat buxhetore pritet të jetë mbi 3 miliardë lekë shtesë në potencialin e saj.

Përjashtimet
Projekti për taksën e banesës mbështetet në ligjin “Për sistemin e taksave vendore të ndryshuar”. Ky ligj në nenin 22, të ndryshuar, përcakton subjektet që i nënshtrohen taksës mbi ndërtesën, si dhe përjashtimet nga kjo taksë. Janë të përjashtuar banesat sociale dhe qiramarrësit me banesa të pa liberalizuara dhe të gjithë kryefamiljarët që trajtohen me ndihmë ekonomike apo pensionistët që jetojnë vetëm (rreth 110 mijë). Ministria e Financave deklaroi se në koherencë dhe me politikat për nxitjen sektoriale në fokus të qeverisë, janë përjashtuar strukturat akomoduese me status special.

Metodologjia
Metodologjia për përcaktimin e taksës së pasurinë e paluajtshme, sipas Ministrisë së Financave, ka reflektuar mendimet e marra nga një sërë institucionesh shtetërore, përfshirë dhe Shoqatat e Bashkive të Shqipërisë, të cilat e kanë gjykuar shumë pozitivisht procesin dhe kanë bërë edhe komente. Metodologjia ka ruajtur tërësisht konceptin e autonomisë vendore dhe njëkohësisht ka tre instrumente në brendësi të saj: Eficienca në instrumentin fiskal duke tentuar të taksojë vlerën e tregut të ndërtesave në terma afatmesëm; instrumenti i nxitjes së ekonomisë duke përjashtuar sektorë me potencial për ekonominë, ajo që thamë pak më lart; dhe aspekti social duke i dhënë mundësinë bashkive të reduktojnë çmimin vlerësues për zonat periferike të pasaktësuara në metodologji me një çmim referues. “Janë vetë bashkitë që do të kryejnë verifikim në terren sipas disa kritereve të mire-përcaktuara në metodologji. Këshillat Bashkiakë mund të krijojnë nën-ndarje zonale sipas nevojave të tyre si dhe mund të reduktojnë çmimin referues deri në 30% të zonës më të afërt, ndërsa për bashkinë e Tiranës deri në 35%. Duke përdorur edhe reduktimin e shkallës së taksës deri në 30% përtej, impakti i taksës për familjet mund të jetë minimal, në varësi të politikës sociale që do të ndjekë çdo bashki apo nevojave për të lehtësuar komunitete të ndryshme”, deklaroi ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Në metodologji janë saktësuar edhe nën-kategoritë e ndërtesave, ndarjeve pronësore tek të cilat është përshkallëzuar çmimi vlerësues: Për ndërtesat në ndërtim por të papërfunduara sipas afateve të miratuara, është vendosur një koeficient 30% për shkallën e taksës. Gjithashtu, për banesat e privatizuara çmimi referues do të jetë 70% i çmimit të vlerësuar vetëm për shitjen e parë. Nga 1 Prilli 2018 bashkitë do të fillojnë me metodën e re të taksimit dhe për këtë ministria i ka njoftuar të marrin masat e nevojshme deri në ndërtimin e sistemit digjital. 

Sot ngrihet Drejtoria e Taksës së Pasurisë
Këshilli i Ministrave pritet të miratojë sot projektvendimin për organizimin dhe funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë, e cila është një drejtori e përkohshme që do të funksionojë si agjenci brenda Ministrisë së Financave, deri në momentin kur sistemi do të jetë pjesë e kadastrës multi-funksionale. Kjo drejtori do të parashikojë rregullat e funksionimit të një strukture menaxhuese qendrore që ka mision kryesor administrimin në nivel qendror nga pikëpamja ligjore dhe metodologjike të taksës vendore mbi pasuritë e paluajtshme, si dhe të sistemit qendror të bazës së të dhënave të pasurisë së paluajtshme, pra Kadastrës fiskale. 

Adresat
Në datën 1 Prill, bashkitë do të fillojnë të aplikojnë metodologjinë e re në të gjithë Shqipërinë. Ndërkohë, Ministria e Financave, së bashku me SIDA-n, do të vendosin edhe për agjentin. Potencialisht si agjenti më i mirë fiskal për këtë taksë është vlerësuar OSHEE sepse, edhe pas update-imit/ përditësimit që ka bërë së bashku me Ministrinë e Brendshme të adresave, presupozohet të jetë mbajtësi më i mirë i adresave në Republikën e Shqipërisë dhe mund të ketë shumë më shumë lehtësi se agjentët potencialë të tjerë, në faturim. Ministria e Financave pret që aplikimi i taksës nga qeveritë vendore të sjellë të ardhura të konsiderueshme në buxhetet e tyre. Tashmë të gjitha të ardhurat do të jenë shtesë, sepse me ligjin e financave vendore është përcaktuar për të mos e reduktuar transfertën nën 1% të GDP, që do të thotë që, çdo cent që do të marrin plus do të shkojë në favor të qeverive lokale. 

Sa paguhet
Për efekt të llogaritjes së taksës për ndërtesën/njësi pronësore, baza e taksës shumëzohet me shkallën në përqindje të taksës së miratuar me ligj, sipas kategorive të ndërtesave, si më poshtë:

a) 0,05%, për ndërtesën/njësinë pronësore që përdoret, shfrytëzohet për banim; 
b) 0,2%, për ndërtesën/njësinë pronësore që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike; 
c) 30% e shkallës së taksës përkatëse, për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë, sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.
Sigal