“Taksën prej 20% të energjisë do e ulim në 6% për familjarët”

425
Sigal

Peshkopi, Kryetari i opozitës, Rama zbardh programin ekonomik të PS-së, për qeverisjen e ardhshme

  “Taksën prej 20% të energjisë do e ulim në 6% për familjarët. Do krijojmë 200 miliardë dollarë më shumë për ekonominë”. Kështu u shpreh kreu i PS-së, Edi Rama dje në mesditë, duke prezantuar në Peshkopi programin socialist për ekonominë. Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se vendi e ka të domosdoshëm një plan kombëtar për zhvillimin dhe një plan strategjik për energjinë. “Dua të theksoj domosdoshmërinë e një plani të përgjithshëm kombëtar sepse duhet t’i japim fund veprimeve kuturu të tokës, që po heq çdo muaj pasuritë e përbashkëta dhe po e kthen në truall të ndërtuar jashtë çdo kushti. Dhe për t’i dhënë një drejtim të qartë vendit, në rrugën e zhvillimit”- tha Rama. Ai theksoi më tej se duhet të përcaktohet një plan kombëtar zhvillimi i të gjitha drejtimeve, si në zhvillimin ekonomik, urban mjedisor, etj. “Është e nevojshme që ne të kemi një plan strategjik për sigurinë energjetikën, mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës në mënyrë që në të gjithë hapësirën shqiptare të mund të garantohet jo vetëm furnizimi me energji, jo vetëm e ardhmja e këtij furnizimi, por me çmime të arsyeshme”,- tha Rama.  Për energjinë, kreu i PS-së theksoi:“Janë 3 çështje konkrete dhe lidhen me vënien menjëherë në jetë të projektit të interkonjeksionit, që lidh Shqipërinë me Kosovën dhe pavarëson Kosovën nga Serbia dhe integrohet në tregun energjetik. Projekt që është penguar në mënyrën më absurde nga qeveria dhe financohet nga Banka Gjermane për Zhvillim, projekt që mbahet në sirtar, si shprehje kuptimplotë e faktit, se ka një dallim të madh mes nesh dhe atyre që qeverisin. Ata që për atdhedashurinë dinë vetëm të flasin, ndërkohë që neve veprojmë, jo vetëm dimë të flasim”, u shpreh ndër të tjera Rama.