Taksa te Rruga e Kombit, reagon Presidenti Meta: Vendimet duhet të jenë të mirëstudiuara

634
Prononcimi i Presidentit Meta për gazetarët te Hotel Tirana
Pyetje: A keni ju një qëndrim për atë çka ndodhi në Morinë?
Presidenti Meta: Besoj se jam përpjekur të jap mesazhet e duhura. Megjithatë dua të theksoj se ne nuk e kemi luksin as ‘të këpusim një lule’ meqënëse ato kanë filluar të çelin për shkak të pranverës, dhe për shkak edhe të dëmeve që vendi ka pësuar në të kaluarën nga mungesa e dialogut dhe nga fryma e përjashtimit dhe konfrontimit.
Është e domosdoshme që çdo vendim që ka të bëjë me qeverisjen të jetë i mirëstudiuar dhe i mirëkonsultuar dhe është e drejtë e çdo qytetari, e çdo komuniteti të kërkojë dhe të forcojë ndjenjën e llogaridhënies ndaj qeverisjes qendrore edhe vendore për çdo taksë që paguajnë apo për çdo shërbim që duhet të udhëtohet.
Megjithatë shpresoj në një reflektim të përgjithshëm dhe në vendosjen e një dialogu, i cili ndihmon në përmirësimin e mirëqeverisjes së vendit dhe besimit dhe respektimit tek institucionet e përbashkëta.
Pyetje: E cilësoni të lartë tarifën për Rrugën e Kombit? Si e gjykoni aksionin e ndërmarrë nga opozita për mosbindje civile?
Presidenti Meta: Besoj se mesazhi im ka qenë dhe mbetet i qartë. Opozita ka të gjitha mundësitë që të shfrytëzojë instrumentet e saj për të rritur kontrollin parlamentar ashtu sikurse maxhoranca duhet të jetë më e interesuar për diagol të qëndrueshëm me opozitën, grupet e interesit, me komunitetet, me qytetarët në mënyrë që të evitohet çdo shkak për tensione të panevojshme dhe për konflikte që nuk i shërbejnë as vendit, as qytetarëve dhe as një qeverisje më të mirë dhe as një demokracie për të cilën të gjithë duhet të kontribuojmë më shumë.
Pyetje: Zoti President, si i shikoni thirrjet e opozitës për mospagim të taksave?
Presidenti Meta: Mendoj se ky vend qëndron në bazë të kontributit të çdo qytetari në radhë të parë, por edhe të çdo taksapaguesi. Dhe në këtë drejtim edhe qeveria, por edhe opozita duhet të rrisin bashkëpunimin dhe transparencën në respekt të qytetarëve shqiptarë në radhë të parë, dhe të gjitha kërkesave dhe pretendimeve të tyre, por edhe të taksapaguesve shqiptarë, të cilët mbajnë edhe shtetin, edhe institucionet.
Pyetje: Zoti Meta, si i cilësoni lëvizjet e fundit në SHISH të bëra nga Drejtori i komanduar Helidon Bendo dhe përse nuk e keni dekretuar akoma atë?
Presidenti Meta: Ju faleminderit! Dhe shpresojmë që ky Senati i Studentëve do të jetë një mesazh pozitiv për fuqizimin e një mendimi të pavarur në vend dhe të një angazhimi më të madh të të gjithë të rinjve për një Shqipëri me të rinj dhe për të rinjtë në të ardhmen, sepse ky duhet të jetë qëllimi ynë më i madh sot: Të japim shpresë sa më shumë!
Sigal