Taksa për banesat, ja kush përfiton

573
Komisioni parlamentar i Ekonomisë miraton ndryshime në projektin e qeverisë. Kategoritë që do të lehtësohen dhe shtesa për biznesin
Pensionistët, të cilët jetojnë vetëm dhe familjet në ndihmë ekonomike, do të përjashtohen nga pagesa e taksës për ndërtesën. Për shtëpitë ku ata banojnë, kjo kategori nuk do të ketë detyrime shtesë, duke nisur nga 1 janari 2018. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave dhe për këtë masë ka rënë dakord edhe Ministria e Financave. Gjithashtu, nga përjashtimi mund të përfitojnë edhe personat me aftësi të kufizuar, që janë kryefamiljarë e nuk kanë asnjë pjesëtar të familjes të punësuar. Por për këtë duhet të vendosin përfundimisht bashkitë përkatëse, në rast se Parlamenti do të japë miratimin paraprak. 

Pagesa e taksës së ndërtesës, që do të nisë të zbatohet vitin e ardhshëm, do të llogaritet si përqindje e vlerës. Çmimet e ndërtesave përcaktohen nga tregu i lirë dhe e njëjtë duket se do të jetë edhe logjika e taksimit të tyre. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave se puna e kadastrës fiskale do të jetë përcaktimi i një takse sa më të drejtë, në raport me zonën ku është banesa. Mbi vlerën që ka kjo banesë do të merret 0.05 %, të paktën për individët. Vendosjes së një çmimi sa më real i ka paraprirë pjesa e rivlerësimit të pasurive që u mbyll në maj të këtij viti. Gjithsesi për çdo rast që nuk ka kaluar këtë proces, kadastra do të ketë vlerësimin e saj që sjell pasurinë në vlerën e tregut. Në çdo rast mes çmimit minimal dhe çmimit maksimal të një zone të caktuar duket se vlerësimi do të bëhet mbi maksimalin. Sipas ministrit, nëse individi blen apartament në një zonë ku çmimi minimum fiskal është 1000 euro/m2 dhe transaksionet japin një vlerë 1300/m2 euro, atëherë taksa do të paguhen mbi vlerën e tregut 1300 euro/m2. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kërkoi që Ministria e Financave të jetë më e qartë lidhur me metodologjinë që do të aplikojë për taksën e pronës, që në vitin 2018 hyn në një cikël komplet të ri. Nga ana e tij, Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, nënvizoi edhe një herë faktin se për disa kategori specifike është menduar që të ketë tolerim, duke i përjashtuar. Nga përllogaritjet e bëra rezulton që të paktën 36 për qind e stokut të banesave do të përjashtohet në fazën e parë të taksimit. Nga kjo masë do të përfitojnë të paktën 60 mijë familje, të cilat jetojnë në Tiranë.
Shtohet vlera e taksës për biznesin
Diskutimet në komisionet parlamentare kanë rezultuar edhe me një rritje të taksës për ndërtesat që do të paguajë biznesi. Ministria e Financave kishte propozuar që fillimisht përqindja që do të aplikohet mbi çmimin e një ndërtese që përdoret për veprimtari ekonomike të ishte 0.15% e vlerës, por më pas propozimi u rrit në 0.2%. Këtë e ka miratuar edhe Komisioni përgjegjës, që është ai i Ekonomisë dhe Financave, duke bërë që biznesi tashmë të taksohet me vlerën më të lartë sesa projekti fillestar. 
Sigal