Taksa e banesës, ngrihet drejtoria e posaçme

594
Qeveria ndërton strukturën për administrimin në nivel qendror të taksës vendore mbi pasuritë e paluajtshme
Qeveria, nën drejtimin e kryeministrit Rama, miratoi dje krijimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë. Kjo drejtori do të jetë në varësi të ministrit të Financave dhe do të ketë si mision kryesor administrimin në nivel qendror nga pikëpamja ligjore dhe metodologjike e taksës vendore mbi pasuritë e paluajtshme. Ndërkohë, rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe për sjelljen e personelit të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë do të miratohet nga ministri përgjegjës për financat, me propozimin e titullarit të institucionit. Taksa për banesat do të nisë të zbatohet nga 1 prilli 2018 dhe struktura e re do të jetë përgjegjëse për administrimin e taksës nga pikëpamja ligjore, ndërsa grumbullimi do të bëhet nga të 61 bashkitë në bazë të metodologjisë së miratuar nga qeveria. Gjithashtu, në këtë metodologjia, qeveria ka miratuar edhe çmimet e referencës për çdo bashki. 

Funksionet e përgjegjësitë e Drejtorisë së Taksës së Pasurisë:
a) Menaxhon regjistrin qendror të bazës të të dhënave të pasurive të paluajtshme (Kadastra fiskale); 
b) Harton metodologjinë në lidhje me administrimin e taksës mbi pasuritë e paluajtshme dhe monitoron zbatimin e saj;
c) Përpunon dhe bashkërendon të dhënat në lidhje me nivelin e vlerësuar të taksës së pasurisë së paluajtshme për ndërtesat, si dhe detyrimin e taksës me metoda alternative të vlerësimit; 

ç) Monitoron dhe asiston njësitë e vetëqeverisjes vendore për procedurat e ndjekura në llogaritjen e bazës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme, me qëllim zbatimin e metodave të vlerësimit të vlerës së taksueshme, të përcaktuara në metodologjinë e miratuar nga Këshilli i Ministrave; 

d) Kryen sondazhe periodike mbi vlerësimet e bëra për llogaritjen e bazës së taksës vendore të ndërtesës në zona/nënzona të caktuara, si dhe për saktësinë e procedurës së ndjekur në vlerësim;

dh) Kërkon korrektimin e të dhënave për vlerësimin e bazës së taksës vendore për ndërtesat, kur konstaton parregullsi dhe gabime në zbatimin e procedurave të vlerësimit;

e) Asiston dhe udhëheq njësitë e vetëqeverisjes vendore në procesin e hedhjes së informacionit dhe të dhënave në sistemin qendror, në llogaritjen e bazës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme, të shumës së taksës vjetore dhe të pagesave me këste për të gjitha kategoritë e ndërtesave; 

ë) Analizon procesin e mbledhjes së taksës vendore mbi pasuritë e paluajtshme nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, si dhe kërkon informacion periodik mbi të ardhurat e realizuara nga taksa e pasurive të paluajtshme; 

f) Përpunon dhe analizon të dhënat në nivel kombëtar mbi pasuritë e paluajtshme, vlerën e tyre për qëllime taksimi dhe mbledhjen e taksës mbi pasurinë e paluajtshme, si dhe rakordon me njësitë e vetëqeverisjes vendore të dhënat e raportuara prej tyre për shumën e mbledhur nga kjo taksë;

g) Rekomandon ndryshime në kuadrin ligjor në rastet e nevojshme; 

gj) Harton dhe propozon pranë ministrisë përgjegjëse për financat kuadrin ligjor të nevojshëm, për llogaritjen e taksës vendore mbi truallin dhe të taksës vendore mbi tokën bujqësore; 

h) Asiston njësitë e vetëqeverisjes vendore në zbatimin e procedurave të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme dhe të llogaritjes së taksës vendore mbi to. Trajnon stafet e njësive të vetëqeverisjes vendore, përgjegjëse për administrimin e taksës mbi pasuritë e paluajtshme; 

i) Orienton njësitë e vetëqeverisjes vendore në realizimin e procesit të ndarjes nënzonale të territorit, përcaktimit të çmimeve mesatare të vlerësuara që përdoren në rastet kur nuk ka të dhëna, kur të dhënat janë të paplota ose kur të dhënat e disponueshme nuk përputhen;

j) Asiston në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis njësive të vetëqeverisjes vendore dhe agjentit të autorizuar për mbledhjen e taksës së ndërtesës, të cilat lindin ose krijohen gjatë procesit të shkëmbimit të informacionit dhe/ose mbledhjes së taksës. Gjithashtu, asiston në zgjidhjen e problematikave që mund të lindin, ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore dhe institucioneve apo organeve që disponojnë të dhëna informuese, për identifikimin e pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore dhe që ndihmojnë në llogaritjen e vlerës së ndërtesës/njësisë pronësore për qëllim taksimi;

k) Informon, në mënyrë periodike, ministrin përgjegjës për financat për ecurinë e mbledhjes së taksës vendore të pasurisë së paluajtshme, problematikat e evidentuara dhe propozon zgjidhjet e mundshme për mbarëvajtjen e procesit të administrimit të taksës; l) Mban lidhje institucionale me organe dhe institucione të tjera për çështje që lidhen me zbatimin e legjislacionit të fushës;

ll) Informon publikun për ndryshimet në legjislacionin e fushës dhe zbatimin e tij.
Sigal