Takimi Ramës me Merkel, ECPMF kërkon vëmendjen e Berlinit për shqetësimet mbi lirinë e shtypit në Shqipëri

491

Qendra Europiane për Liri të Shtypit dhe të Medias, ECPMF, shfrytëzoi takimin mes kancelares Angela Merkel dhe kryeministrit Edi Rama për të kërkuar vëmendjen e qeverisë gjermane mbi shqetësimet për lirinë e shtypit në Shqipëri.

Sigal

Qendra Europiane për Liri të Shtypit dhe të Medias, ECPMF, ka reaguar të premten pas takimit mes kancelares së Gjermanisë Anglea Merkel me kryeministrin Edi Rama, duke vënë në dukje shqetësimet për lirinë e shtypit në vend.

“Kancelarja gjemane Merkel priti kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në zyrat e qeverisë federale të premten. Rama ka udhëtuar në Berlin pas pjesëmarrjes në samitin e  Vishegradit në Pragë të enjten. Ne përsëri ngremë shqetësimin tonë për lirinë e medias në vend”, shkruhet në reagimin në Twitter të organizatës drejtuar edhe zëdhënësit të qeverisë Gjermane Steffen Seibert (Stefen Zajbert).

ECPMF ishte pjesë e një misioni tre-ditor të zhvilluar në qershor në Tiranë, i cili ngriti një sërë shqetësimesh mbi lirinë e mediave në vend.  Ndërkohë gjatë një takimi me kryeministrin Edi Rama atëherë, katër organizatat që kryen monitorimin,  i kërkuan atij të tërhiqen nga nisma ligjore që cënonin lirinë e medias.

Më herët gjatë kësaj jave ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë Luigi Soreca sinjalizoi se Komisioni Europian do të kundërshtojë paketën e ligjeve “anti-shpifje” të kryeministrit Edi Rama.

Paketa e ligjeve është propozuar nga kryeministri në Kuvendin e Shqipërisë dhe përmban një seri ndryshimesh në ligjin për median audiovizive si dhe në ligjin për komunikimet elektronike e postare, në të cilat parashikohet krijimi i një regjimi monitorimi dhe ndëshkimi të medias online në mënyrë jashtëgjyqësore.

Projektligjet janë kritikuar si një sulm kundër demokracisë në Shqipëri nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si dhe nga organizatat shqiptare. Projektligjet janë aktualisht në procedurë shqyrtimi parlamentar.

Rama ndodhet në Berlin për një vizitë gjysmë zyrtare dhe gjysmë private. Ai takoi Merkel në përpjekje për të siguruar hapjen e negociatave. Në faqen e tij në Facebook, kryeministri u shpreh se ishte “shumë i inkurajuar nga predispozita pozitive”  e kancelares.

Ndërkohë në faqen zyrtare të qeverisë gjermane thuhet se vendimi nëse Merkel do të mbështesë hapjen e negociatave, do të merret nga Bundestagu në fund të shtatorit.

Rama do të jetë në Gjermani deri të dielën ku sipas Art Berlin Fair (Panairi i Artit në Berlin) do të promovojë po ashtu një libër me pikturat e tij.