Takimi Rama- Merkel, Bushati: PD të ndalë fletë-rrufetë në kryeqytetet e Europës

603
Sigal

Ministri
Bushati thotë se takimi mes Kryeministrit Rama dhe Kancelares Angela Merkel në
Berlin konfirmoi progresin e qenësishëm që ka bërë vendi ynë në rrugën e
vështirë të reformave demokratizuese dhe procesit të anëtarësimit në Bashkimin
Europian.


“Siç konfirmon Raporti i Komisionit Europian shoqëruar me
rekomandimin për çeljen e bisedimeve për anëtarësim, zbatimi i menjëhershëm i
ligjit të vettingut mbetet thelbësor për uljen në tryezën e bisedimeve.
Ndërkohë që puna e nisur me përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe dhe prirja
pozitive e tre viteve të fundit konfirmuar në vlerësimet e Komisionit Europian
duhet të vijojë me ritëm të pandërprerë”, shkruan Bushati në
“Facebook”.

Ai thotë se edhe Partia Demokratike tani duhet të dëshmojë
mbështetjen e kontributin për këtë proces përmes veprimesh konkrete e jo
fjalësh boshe.

“Tanimë shpresoj që për këdo të jetë e qartë ecuria,
metodologjia, kriteret, pritshmëritë dhe kushtëzimet demokratike të këtij
procesi, përfshirë edhe Partinë Demokratike. E cila mund ta dëshmojë
mbështetjen e kontributin për këtë proces përmes veprimesh konkrete e jo
fjalësh boshe. Duke ndaluar fletë-rrufetë që ushqejnë lloj-lloj të pavërtetash
nëpër kryeqytetet kryesore të Europës. Duke zhbllokuar ligjin e vettingut. Duke
u përfshirë në një proces të njëmendtë për zbatimin e arkitekturës së re në
drejtësi. Duke mos u bërë njësh kësisoj me sindikatën e drejtësisë. Ky moment
është gjithashtu test për pjekurinë tonë politike. Për të ndarë një herë e mirë
interesin meskin nga objektivi kombëtar dhe aspirata e përbashkët europiane”,
shkruan Bushati në Facebook.