Takimi, Moore-Meta: SHBA mbështetje të palëkundur, politika të bashkëpunojë

421
Sigal

Jonathan Moore, drejtor për Çështjet e Europës Jug-Qendrore në Departamentin e Shtetit, në ditën e tretë të vizitës së tij në Tiranë është takuar dje paradite me kreun e Parlamentit, Ilir Meta. Në këtë takim Meta vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe theksoi se: “në këtë 5 vjetor të anëtarësimit në NATO, është momenti të vlerësojmë arritjet dhe të reflektojmë të gjithë për forcimin e mëtejshëm të dinamikës së marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe SHBA, si dhe mbi avancimin e axhendës euro-atlantike të rajonit të Ballkanit”. Z. Meta shtoi se, Kuvendi do ta mbështesë Qeverinë në kryerjen e të gjitha reformave të nevojshme që kërkon vendi dhe që i shërbejnë përmbushjes së prioriteteve të Bashkimit Evropian, duke theksuar se, bashkëpunimi me SHBA në këtë kuadër ka një rëndësi të veçantë. Duke biseduar mbi zhvillimet e fundit politike në vend, Moore rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të SHBA në avancimin e axhendës evropiane të Shqipërisë, duke vënë në dukje se, kjo i shërben zhvillimeve pozitive në të gjithë rajonin. Z.Meta dhe z.Moore ndanë bindjen se, qytetarët shqiptarë kërkojnë zgjidhje konkrete dhe mesazhe pozitive për të ardhmen, dhe në këtë drejtim të gjitha forcat politike duhet të përqendrohen në mbarëvajtjen e një bashkëpunimi konstruktiv, veçanërisht për çështje të rëndësisë kombëtare. Zyrtari i lartë i DASH, që nga data 1 Prill ai nisi vizitën në Tiranë, ku u takua fillimisht me Presidentin Bujar Nishani, kreun e PD-së, Lulzim Basha, Ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli, si dhe Avokatin e Popullit Igli Totozani.