Situata aktuale politike në Shqipëri ka qenë në qendër të diskutimit mes kryeparlamentarit Ilir Meta dhe dy bashkëraporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly.
Kryeparlamentari Meta vlerësoi punën e Raporterëve dhe bashkëpunimin e ngushtë me Asamblenë Parlamentare te Keshillit te Evropes, ndërsa theksoi se situata aktuale politike në vend kërkon përgjegjshmëri nga të gjithë aktorët.
Meta: Duhet transparencë maksimale për zbatimin e besueshëm të reformës në drejtësi dhe në veçanti të ligjit të Vetingut.Transparencë për implementimin e procesit të dekriminalizimit dhe për garantimin e standarteve më të larta bashkëkohore për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të qershorit.
Ilir Meta tha se vendi kërkon një klimë konstruktive dhe të përgjegjshme politike.
Meta: Shqipëria ka nevojë për një klimë konstruktive e të përgjegjshme politike që rrit kredencialet demokratike të vendit. Klima bashkëpunuese përshpejton hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.