Takimi me Presidentin Meta, aleatët e Bashës mbërrijnë në Presidencë

525
Sigal

Krerët e partive opozitare, që janë jashtë parlamentit pasi dogjën mandatet kanë mbërritur në Presidencë, duke iu përgjigjur kështu ftesës së bërë pak ditë më parë nga kreu i shtetit, Ilir Meta.

Deri në këto momente, nuk ka mbërritur ende kryetari i PD Lulzim Basha, ndërsa LSI në ketë takim do të përfaqësohet me nënkryetarin e partisë, Petrit Vasili.

Takimi vjen pak ditë pasi Presidenti Ilir Meta u bëri ftesë publike dhe kërkoi të takohet ” të gjithë kryetarët e Partive Parlamentare që braktisën Kuvendin në shkurt 2019, për të diskutuar lidhur me situatën dramatike ku ndodhet vendi”, thuhej në njoftimin e dhënë nga Presidenca.

Ndërkohë që mëngjesin e sotëm Presidenca rikujton se “Presidenti i Republikës SH.T.Z Ilir Meta pret në orën 09:00 Koalicionin e Opozitës pranë Presidencës”.

Kujtojmë se dje pasdite, në orën 17:00, kreu i opozitës, Lulzim Basha mblodhi në takim të gjithë aleatët e partive të vogla opozitare në selinë blu për të diskutuar për situatën ku ndodhet vendi.

Në takim me kryedemokratin Lulzim Basha ishin kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, kreu i PR Fatmir Mediu, kreu i LZHK Dash Shehi, kreu i PBDNj Vangjel Dule, kreu i PDIU Shpëtim Idrizi dhe kreu i PDK Nard Ndoka.