Takimi me bankat, ironia e Ramës: Të gjithë jeni në duart e krimit

582
Kryeministri Edi Rama nga konferenca “Bankat dhe rritja ekonomike në Shqipëri” u është përgjigjur akuzave të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha sa i takon qëndrimit të këtij të fundit për projektbuxhetin 2018.
Në linjën e ironisë, kreu i qeverisë theksoi se deklaratat e Bashës janë për të qeshur dhe për të qarë bashkë. Mes të tjerash ai shtoi se të gjithë të pranishmit, duke marrë shkas nga deklaratat e opozitës, janë në duart e krimit.
“Dje kam dëgjuar që imagjinata që nuk më mungonte s’ma kishte thënë kurrë që mund ta dëgjoja, që projekt buxheti të administrohet nga strukturat ligjzbatuese FBI-DEA si një projekt që dëshmon se buxheti përmes sistemit bankar, programi ynë është tanimë në duart e krimit. Tani ju të gjithë këtu jeni në duart e krimit dhe jo vetëm ju që jeni pa kufje apo edhe ata që janë me kufje, madje ata që janë me kufje janë më të dyshuarit, është për të qeshur edhe për të qarë se këto janë sinjalet më dëmtuese për konsumatorin. Ndaj dua tu them atyre që janë të detyruar të dëgjojnë të tilla shpërthime të imagjinatës të qeshin e të shkojnë përpara se realiteti ekonomik është optimist”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama tha se historia që kompanitë punojnë me dy bilance, një për bankat dhe një për shtetin merr fund. Sipas tij, tashmë do njihet bilanci që dorëzohet në banka.
“Administrata nuk do njohë asnjë bilanc të kompanive të papërputhur me bilancet që tregojnë bankat. Bilancet që kompanitë tregojnë tek bankat se sa mirë janë dhe kur vijnë tek shteti sa keq janë do të marrin fund. Nuk do njohim nga janari asnjë bilanc tjetër. Mbi atë bilanc që paraqesin tek bankat do paguajnë edhe detyrimet në shtet”, tha Rama.
Ai foli edhe për pagat e punonjësve në kompanitë private duke ‘akuzuar’ privatin për shmangie të detyrimeve.
“Sot ne kemi 800 kompanitë më të mëdha të vendit që deklarojnë se 42% e punonjësve të tyre paguhen nën 300 mijë lekë të vjetra, deri tek edhe inxhinierë. Pra, kemi një shmangie të detyrimeve ndaj punonjësve, duke iu dhënë gjysmën e rrogës mbi dorë dhe gjysmën nën dorë dhe duke iu kompromentuar të ardhmen dhe pensionin dhe një dëm të drejtpërdrejt për shtetin, arkën e shtetit dhe për shoqërinë si e tërë. Ajo që ka rëndësi është se rritja ekonomike e 2018-ës do vazhdojë të tregojë qëndrueshmëri”, tha Rama.
Po ashtu Rama pohoi se gjatë kohës që mori drejtimin e qeverisë, niveli i kredive të këqija ishte alarmante, ndërsa shtoi se: “Shumë faleminderit për ftesën për të qenë i pranishëm në këtë konferencë. Kënaqësia bëhet më e madhe bazuar në të dhënat të cilat sot flasin për sistemin bankar, dhe ekonominë. Disa vite më parë situatës kur kambanat e alarmit binin për ata që kishin vesh dhe një prej më kumbuese ishte ajo e kredive të këqija. Të cilat kishin kaluar nivelin e 24 përqind dhe Shqipëria të hynte në 10-cen e pa lakmuar të botës. Duke i bërë shoqëri përveç fqinjëve tanë jugor që vinin nga një moment traumatik. Kjo ishte një nga simptomat e një sëmundje kronike, ku penguesit e ekonomisë ishin futur në një spirale progresive. Kanë kaluar vetëm 4 vjet dhe falë reformave agresive, dhe duke u nisur nga momenti i kthesës ku qeveria njohu faktin se nuk mund të kërkonte kontribute pa shlyer detyrimet e veta. Po ashtu dhe falë mbështetjes, treguesit ekonomik nisën të japin shenja gjallërimi. Sot jemi në momentin ku mund të shohim rezultate inkurajuese si pasojë e reformave të dhimbshme, por të nevojshme. Kreditë e këqija kanë rënë me 10 pikë. Sistemi bankar ka luajtur një rol të rëndësishëm. Ky është niveli më i lartë rekord në sistemin bankar qysh prej 20 vitesh. Kredia për sektorin privat, një tjetër element domethënës ka shfaqur përmirësim. Ne ndjejmë arsyen për të qenë optimist.”
Ai tha se nuk mund të ketë pastrim të parave përmes sistemit bankar.
“Shqipëria me standardet më të larta të BE-së. Nuk ka asnjë shans që në Shqipëri të pastrohen para përmes sistemit bankar. Bankat të ftuara në këtë proces.
Reforma në drejtësi ishte dëshirë sot realitet. Sot procesi i vettingut ka nisur duke çelur një rrugë shumë më tepër optimiste për sa i përket raportit të bankave me sistemin gjyqësor. Një raport shumë problematik në të shkuarën dhe deri sot për shkak të shfaqjeve brutale të arbitraritetit në dëm të ligjit dhe për të favorizuar subjekte për të cilat bankat kanë kërkuar masa për shkelje të raportit me to. Të gjitha këto janë shprehje të një situate optimiste për ekonominë por sigurisht që puna më e madhe mbetet ende për t’u bërë”, tha Rama.
Sigal