Takimi i Ramës në Shkodër, spitali detyron infermierët të dalin në takim

Një takim i kryeministrit i planifikuar për t’u zhvilluar me të rinjtë e Shkodrës, është bërë shkak për përplasjen e dy policive

Pasditja e djeshme ishte lajmëruar nga zyra e shtypit të Kryeministrit, do të ishte e mbushur me takime në kryeqendrën e veriut, Shkodrën. Por ashtu sikundër ka ndodhur rëndom, edhe në këto zgjedhje, drejtuesit e partive nuk kanë hequr dorë nga presionet për të nxjerrë administratën në shesh, kryesisht në takime elektorale. Mësohet se përmes mesazheve, i dërguari i qeverisë në Shkodër, Ditmir Bushati i ka kërkuar infermierëve që të jenë të pranishëm në dy takimet që do të zhvillonte pasditen e djeshme, kryeministrit Edi Rama, një në 16:30 tek holli i spitalit dhe tjetri në 17:00 tek Bashkia. Por vajtja e kryeministrit Rama në Shkodër nuk ka kaluar pa reagime. Kanë qenë të rinjtë e këtij qytetit, anëtarë të forumit rinor të Partisë demokratike, të cilët për disa orë bllokuan rrugën tek vendi i quajtur “Ura e Bahçallëkut”. Të rinjtë dolën për të bllokuar rrugën ku do të kalonte kryeministri Rama, i cili ndodhej gjatë ditës së djeshme në Shkodër në një takim me të rinjtë. Por pavarësisht lajmërimit se takimi do të ishte me të rinjtë, ashtu sikundër shihet edhe nga mesazhet e publikuara, Rama ka pasur në takim të gjithë infermierët deri në moshën 35 vjeç. Të rinjtë mbanin pankarta në duar me mbishkrimet “Po Republikës së Re”. Ata ishin të vendosur për të bllokuar daljen e kryeministrit nga qyteti i Shkodrës. Ndërkohë që forca të shumta policie ishin vendosur përgjatë rrugës ku ndodheshin të rinjtë e grumbulluar me qëllim mbarëvajtjen e takimit. 

Përplasje e dy policive në Shkodër
Përgatitjet për mbërritjen e kryeministrit Edi Rama në Shkodër, kanë përplasur dy policitë e kryeqendrës së veriut. Policia Bashkiake dhe ajo e shtetit, kanë debatuar ashpër. Shkak për këtë përplasje mësohet të jetë bërë një tendë e ngritur në mes të qytetit nga Partia Socialiste, e cila priste liderin e saj për një takim elektoral. Takimi ishte caktuar të mbahej në qendër të qytetit, por Policia Bashkiake është shprehur se ngritja e tendës ishte bërë jashtë çdo rregulli. Rama zhvilloi dje pasdite një takim me të rinjtë e qytetit. Policia Bashkiake në qendër të Shkodrës gjatë ditës së djeshme kishte ngritur gjithashtu një tendë, duke pretenduar se do të organizohej një aktivitet për ditën e ndërkombëtare të familjes. Pra dy policitë për të mbrojtur interesat e përcaktuara nga drejtuesit e tyre, janë vënë përballë njëra-tjetrës në Shkodër. 

Punonjësit e Bashkisë kishin përgatitur ngritjen e një çadre para bashkisë, pikërisht në vendin ku stafi i kryeministrit kishte parashikuar takimin e tij. Çadra do ngrihej për zhvillimin e një aktiviteti të parashikuar nga ana e bashkisë. Ndërkohë pas përplasjes së dy policive, pasdite ishte Forumi Rinor i PD që nisi një protestë me pankarta kundër qeverisë dhe kryeministrit në hyrje të Shkodrës, protestë që bllokoi edhe rrugën kombëtare. Për të bërë të mundur zhbllokimin e rrugës me qëllim hyrjen e kryeministrit, u desh ndërhyrja e policisë së shtetit.