Takimi Fyle-Rama: Shqipëria ka kapacitetin për të zgjidhur sfidat e integrimit

427
Sigal

Udhëtimi i Kryeministrit, Edi Rama, Berlin-Bruksel-Tiranë

Në kuadër të axhendës zyrtare, Kryeministri Rama përfundoi turin e tij të vizitave në Gjermani dhe Bruksel, ku dhe u takua me zyrtarët më të lartë të këtyre vendeve.

Dje, Edi Rama ka zhvilluar një takim në Bruksel me Stefan Fylen, Komisionerin për Zgjerimin. Fyle mirëpriti angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë për reforma që kanë të bëjnë me integrimin europian dhe përgëzoi veprimet e ndërmarra nga qeveria në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Komisioneri ka inkurajuar kryeministrin shqiptar që të konsolidojë dhe të vazhdojë më tej me vrullin e reformave, veçanërisht në drejtim të sundimit të ligjit, duke bërë thirrje për rezultate të qëndrueshme dhe bindëse para se Këshilli të marrë një vendim për statusin e vendit kandidat. “Unë jam i bindur se, vendi ka kapacitetet për të trajtuar sfidat e integrimit evropian me vendosmëri”,-tha Fyle. Po ashtu, Komisioneri Fyle ka përshëndetur edhe qëndrimin e qeverisë për një qasje gjithëpërfshirëse ndaj reformave të bazuara në dialogun konstruktiv dhe përfshirjen e opozitës. Dhënia e statusit të vendit kandidat, do të jetë një njohje e punës së të gjithë të interesuarve, është shprehur ai. Gjatë takimit, Rama dhe Fule kanë rënë dakord që, mbledhja e radhës, në kuadër të Dialogut të Nivelit të Lartë të mbahet në fillim të qershorit. Ndërkaq, Kryeministri Rama nëpërmjet Tvvitterit është shprehur: “Në Bruksel, me Komisionerin Fyle, për një këmbim pikëpamjesh mbi ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe punët e mëdha në vazhdim”. Në kuadër të vizitës zyrtare në gjermani, z.Rama u takua me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, me të cilën diskutoi rreth integrimit të Shqipërisë në BE dhe marrjes së statusit në qershor. Znj. Merkel deklaroi se, vendimi për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë varet nga raporti që Komisioni Europian do të publikojë në muajin qershor. Gjithashtu, Rama u takua me

kreun e grupit parlamentar të CDU, ku në qendër të takimit, kryefjala ishte integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjatë takimit, Kauder shprehu mirënjohje të veçantë për punën e kryeministrit Rama. Në kuadër të vizitës së tij në Gjermani Rama u takua dhe me Presidentin e Bundestagut Lammert. Gjatë takimit Lammert u shpreh se, mbështet integrimin europian të Shqipërisë dhe i ka uruar suksese qeverisë dhe kryeministrit Rama. Ai ka vlerësuar qeverinë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Lammert ka theksuar se Shqipëria i përket Bashkimit Europian. Në mbyllje të axhendës zyrtare të planifikuar nga Kryeministrit dhe qeverisë gjermane, Rama zhvilloji një takim me Zëvendëskancelarin dhe ministrin e  Ekonomisë dhe energjisë të Gjermanisë, z. Sigmar Gabriel, i cili është njëkohësisht kryetar i Partisë Social-Demokrate gjermane.

  Rama: Pa një reformë reale në drejtësi, anëtarësimi në BE mbetet një iluzion

 Në mbyllje të vizitës së tij në Gjermani, Kryeministri shqiptar ka dhënë një intervistë për Deutsche Vvelle, ku flet për vizitë e tij në Berlin dhe takimin, siç e quan ai, të paharrueshëm me kancelaren Merkel, sfidat e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe investimet gjermane në vendin tonë. “Ka qenë shumë motivuese dhe inkurajuese për gjithë ne, si të thuash të vetëdijes, që kemi arritur të krijojmë për seriozitetin e qeverisë, kurajën dhe vullnetin për të bërë reforma, që kanë munguar prej shumë vitesh, si dhe për vetë rezultatet, që flasin dhe kanë tërhequr pozitivisht vëmendjen e partnerëve tanë”,-është shprehur ai. Ndër të tjera, gjatë intervistës, Rama ka folur dhe për bisedat me biznesmenët dhe sipërmarrësit gjerman, për sa i përket investimit në vendin tonë. Ai është shprehur i gatshëm të mikpresë e investitorët, të cilët do të sjellin një frymë të re kulture dhe sigurisht, një zhvillim të ekonomisë shqiptare.

Por nëse do t’i referohesh modelit gjerman, ju duhet ta dini që gjermanët dallohen edhe për respektimin e ligjit. Para ligjit gjunjëzohet, presidenti, kancelari, njësoj sikurse qytetari i thjeshtë. Dhe për këtë ka shembuj konkretë. Kur do të ketë një rast të tillë konkret edhe në Shqipëri, zoti Rama?

-Përgjigja ime është shumë e shkurtër dhe e qartë: Në qoftë se Shqipëria do të kishte arritur atë nivel të barazisë para ligjit dhe të ndëshkueshmërisë për çdokënd pavarësisht hierarkisë, siç e ka Gjermania, ne praktikisht do të ishim bashkë me Gjermaninë në krye të punëve të Bashkimit Europian, por Gjermania është Gjermani dhe Shqipëria është Shqipëria.

 Zoti Rama, roli i Shqipërisë në rajon sigurisht që është shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet me vendet fqinjë. Por ndërkohë, ende nuk ka një shkëmbim të vizitave mes Beogradit dhe Tiranës në nivel kryeministrash. A do të ishit ju i gatshëm për ta bërë këtë, pra për të hedhur hapin e parë në këtë drejtim?

-Edhe kjo temë u prek edhe në bisedën, që pata me kancelaren Merkel. Sigurisht që, është një kohë e re për Ballkanin. Unë e kam thënë këtë qysh në krye të herës, që qysh me nënshkrimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë është mbyllur një epokë dhe është hapur një epokë. Ky është viti i parë në historinë e Ballkanit, që nis pa asnjë konflikt mes shteteve dhe vendeve dhe nga ana tjetër përkon me 100 -vjetorin e Luftës së Parë Botërore. 2014-a është një vit i jashtëzakonshëm për Ballkanin, i pari vit, ku s’ka një fqinj me pushkën drejtuar ndaj fqinjit tjetër. Kështu që në këtë hapësirë të re, ku bashkëpunimi dhe ndërveprimi rajonal është në rend të ditës për të mirën e gjithë popujve, sigurisht që edhe marrëdhëniet tona me Serbinë do të zhvillohen në një trajtë tjetër, në trajtën e një marrëdhënieje mes njerëzish, popujsh, shtetesh, që jetojnë me të njëjtin rajon, me të njëjtat sfida dhe që së bashku mund të bëjmë shumë më tepër se sa të ndarë. Me siguri në këtë aspekt do të kemi edhe vizita të nivelit më të lartë.