Takimi elektoral në Shkodër/ Përdhosja e Flamurit Kombëtar në mitingje shkakton indinjatë të madhe të patriotëve dhe Shoqëria Civile

432
Sigal

Reagim i Zëdhënësit të Presidentit të Republikës, Tedi Blushi

Flamuri Kombëtar u takon të gjithë shqiptarëve. E papranueshme të përdhoset në mënyrë të turpshme

Pardje, ndodhi diçka shumë e turpshme në sheshin ku u mbajt mitingu i Kryeministrit Rama në qytetin e Shkodrës. Flamuj kombëtar të braktisur, të hedhur përtokë, nga ata flamuj kombëtar që u përdorën nga të pranishmit në mitingun elektoral të Edi Ramës. Siç dukej, ata flamuj kombëtar u përdorën fasadë vetëm për kamerat në transmetimin live të fjalimit monolog të kryeministrit Rama, dhe paskësaj, ata u hodhën përtokë, ngaqë askush nuk ndjen sadopak ndenjë patriotike dhe atdhedashuri për Mëmëdheun, për Kombin. Pamjet e turpshme të flamurit tonë Kombëtar të përdhosur përtokë, ngjallën reagime tek njerëzit e ndershëm dhe patriotë, por pati edhe reagim zyrtar nga Presidenca e Shqipërisë. Kështu, zëdhënësi i Presidentit të Republikës Tedi Blushi reagoi: Shprehim keqardhjen e thellë për aktet e papranueshme që kanë ndodhur dje me Flamurin Kombëtar, të përdhosur në mënyrë të turpshme në rrugët e Shkodrës në përfundim të një takimi në këtë qytet, dhe që janë bërë sot publike nga mediat e pavarura. Flamuri Kombëtar u takon të gjithë shqiptarëve dhe kushdo që merr përsipër ta përdorë duhet ta respektojë atë me një ndjenjë të lartë atdhedashurie, përgjegjshmërie dhe me dinjitetin e duhur siç e meriton, jo vetëm gjatë një takimi, por në çdo moment. U bëjmë thirrje organizatorëve të këtyre takimeve të tregojnë më shumë respekt për Flamurin Kombëtar, simbolin përbashkues të shqiptarëve kudo në botë, si dhe të distancohen publikisht nga këto akte të papranueshme dhe provokuese për çdo shqiptar! U bëjmë thirrje të gjitha forcave politike pa dallim, që kur përdorin Flamurin Kombëtar të tregojnë respekt dhe nderim jo vetëm para mediave, por kurdoherë!