Takim në degën 11, Tiranë – Basha: “Hashashi dhe arat me kanabis, kultura bujqësore që Edi Rama u ofron fermerëve

409
Sigal

“Hashashi është kultura bujqësore që u ofron Edi Rama fermerëve dhe arat me kanabis, vendet e punës për shqiptarët”.

Këtë deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë dëgjimit dhe bashkëbisedimit me drejtues të strukturave të Partisë Demokratike në degën 11 në Tiranë.

Basha: “Gënjen fermerët e shkretë të cilëve u premtoi rritje të subvencioneve dhe iu  mori dhe subvencionet që kishin, për t’ua dhënë 11 miqve të tij, 220 milionë dollarë . Flet me fermerët që s’kanë prodhim bujqësor dhe u thotë: “Si jeni me kanabisin?”. Kur e di fare mirë që kanabisi mbillet në Shqipëri  vetëm me lejen e Edi Ramës dhe vetëm me të licencuarit e Edi Ramës, se kushdo tjetër që del jashtë kooperativës së kanabisit të Edi Ramës dhe Saimir Tahirit, goditet. Flet me mësuesit, ky që si model u solli shqiptarëve krimin, kriminelët, Elvis Roshin, Artur Bushin dhe Armando Prengën me kompani. E sheh veten e vet, në rastin më të mirë, si një drejtor burgu dhe shqiptarët si të burgosurit e tij që mund t’i keqtrajtojë njësoj si në kohë të diktaturës.”

Në fund të mandatit, tha zoti Basha, Edi Rama s’ka asnjë bilanc të qeverisjes së tij.

300 mijë vendet e reja të punës, shëndetësia falas, mbështetja e fermerëve, ulja e çmimit të energjisë dhe naftës, tha Basha,  janë mashtrimet për të cilat Edi Rama duhet të japë llogari para shqiptarëve dhe jo të fshihet duke fajësuar të tjerët.

Basha: “Fajin për këto 3 vite të keqqeverisjes e paska Partia Demokratike, fajin e ka opozita, fajin e ka media, fajin e ka populli , vetëm Edi Rama nuk ka faj. Me këtë teori bredh nga jugu në veri. Shqiptarët kërkojnë zgjidhje dhe ne kemi ofruar një rrugëzgjidhje që kalon përmes bashkimit të të gjithë qytetarëve të të gjithë faktorëve politik e shoqëror në një aleancë të madhe vlerash për t’ia kundërvënë aleancës së drogës të krimit dhe të korrupsionit.”