Takim me Senatin e UT/ Kryeministri: Asnjë nuk e mban dot peng reformën! Forumi për Liritë Akademike: Kjo është dramë!

460
Takimi me Senatin e Universitetit të Tiranës/ Rama: Asnjë nuk e mban dot peng reformën!
Duke marrë shkas nga vonesat e fundit për pagat e pedagogëve, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me senatin e Universitetit të Tiranës, ku nuk munguan batuta deri për “prerje kokash”, nëse problemet me të cilat haset universiteti nuk gjejnë zgjidhje.

“Ju jeni bishti i fundit i kavallit të universiteteve të Shqipërisë ”, tha ndër të tjera Kryeministri.

Kjo është konsiderata që Rama ka për Universitetin e Tiranës, bazuar mbi akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë, të kryer nga një kompani britanike.

Kreu i Qeverisë zhvilloi një takim në selinë e tij me Senatin e Universitetit të Tiranës, ku sqaroi se shqetësimet e ditëve të fundit për pagat e pedagogëve, ishin fryt i një moskuptimi tashmë të zgjidhur mes Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Financave.

Kryeministri Edi Rama: Fondet e universitetit trashëgohen dhe nuk varen nga vullneti, ose mosvullneti i Ministrisë së Financave. Rektori e konsideroi kosto të bukës së gojës! Ishte pak si shumë poetike si shprehje emocionale”.

Rektori Mynyr Koni: Unë në asnjë moment nuk kam përmendur bukën e gojës. Mund të jetë ndonjë thënie. Statusi im është i qartë!
Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule: Na vjen turp të dalim në rrugë se dukemi si njerëzit që u shqetësuam se na u vonua rroga 3 ditë.

Në këtë takim, Rama i kërkoi Senatit të Universitetit të Tiranës të shfrytëzojë plotësisht autonominë që i jep ligji për të zgjidhur problemet që ka brenda vetes, por dekanë të ndryshëm iu ankuan për Rektorin, duke kërkuar nga Kryeministri zgjidhje ligjore.

Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha: Ç’punë ka Rektori të nënshkruajë kontrata financiare?!
Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule: Të firmosë duke qenë në spital kontrata?! Kjo është e paimagjinueshme! Situata ka ardhur tani tek zgjidhja ligjore.
Edi Rama: Si zgjidhet kjo? Pa shkuar tek zgjidhja fundore, se po shkuam deri aty duhen prerë koka.
Kreu i Qeverisë bëri të qartë se ndryshimi i ligjit të arsimit të lartë, nuk shtrohej fare për diskutim.
Një dramë për profesoratin, për studentët dhe shoqërinë, një dramë që shpaloset para syve të kujtdo me përjashtim të kryeministrit dhe ministres
Forumi për liritë akademike dhe autonominë universitare ndoqi takimin e kryeministrit Edi Rama dhe të ministres së Arsimit dhe Shkencës znj. Lindita Nikolla me senatin e Universitetit të Tiranës.

Forumi mendon se ky takim nuk është në përgjigje të kërkesave që ne kemi paraqitur publikisht pasi forumi nuk i ka kërkuar Kryeministrit që të marrë rrolin e kryetarit të senatit apo të organeve të zgjedhura të UT-së.

Forumi nuk i ka kërkuar qeverisë që “t’i heqë veshin burokracisë universitare” dhe as shndërrimin e e saj në palë për larjen e hesapeve mes klaneve të brendshme por, hapjen e një dialogu me profesoratin, studentët dhe shoqërinë shqiptare për marrjen e përgjegjësive që i takojnë qeverisë dhe jo vetëm qeverisë, pra për bashkëndarjen e përgjegjësisë për degradimin e gjendjes së arsimit të lartë në vend dhe mosfunksionimin e ligjit për arsimin e lartë.

Forumi nuk ka pasur një kërkesë formale të ardhur nga kryeministri, por edhe sikur të kishte pasur, një takim i tillë pa agjendë të përcaktuar do të ishte krejt i padobishëm. Arsimi i lartë në Shqipëri nuk mund të shndërrohet në show ai është tashmë një dramë.

Një dramë për ne profesoratin, për studentët dhe shoqërinë, një dramë që shpaloset sot para syve të kujtdo me përjashtim të kryeministrit dhe ministres.

Një dramë që nesër mund të shndërrohet në tragjedi për dijen dhe vendin. Forumi refuzon gjuhën shantazhuese dhe tallëse, por megjithatë të shqetësuar më shumë se prej talljeve apo kërcënimeve, nga gjendja dramatike dhe problemet e mprehta të pazgjidhura që vazhdojnë të shtohen pafundësisht, shpreh vullnetin për dialog, të cilin përveçse publikisht do ta adresojë edhe në mënyrë zyrtare.

Grupi i negocimit i zgjedhur nga pjesëmarrësit e forumit, pret me seriozitet një përgjigje. Forumi mbetet i palëkundur në vullnetin e tij që në rast refuzimi, të bashkuar me studentët tanë të shkojmë drejt një greve të përgjithshme.

Kordinatori i Forumit
Prof Ass Dr Mark Marku
Sigal