Taip Sulko*:Skandalet e ambasadorëve që po shkatërrojnë sistemin diplomatik

164

Diplomacia shqiptare e pushtuar nga korrupsioni, grabitjet, injoranca, nepotizmi provincializmi dhe hakmarrja

Shkrimin tim për diplomacinë shqiptare po e filloj me një fakt që duket paksa i vjetruar, tani, në ditët marramendëse të zgjedhjeve. Më 8 maj u mblodh Komisioni Hetimor parlamentar për hetimin e incidentit të ndodhur në 24 prill në Akademinë Diplomatike të Vjenës. Për shumëkënd ky ishte veçse  një autogol politik, por mbi të gjitha, duhet thënë se ky hetim, hapi perden dhe la lakuriq, në dritë të diellit, e madje na bën të shohim më thellë në shtrembërimin dhe sakatimin e pamëshirshëm, që i ka bërë Qeveria shërbimit të jashtëm.

Në fillim disa fjalë më tej për këtë incident. Po, ky është një incident, madje shumë i rëndë!  Në cilin shtet të botës ndodh që një diplomat, me shërbim në përfaqësi jashtë vendit, siç ka ndodhur me Egin Cekën, të kreshpërohet aq shumë saqë të ndërhyjë në veprimtarinë e kryetarit të opozitës, madje siç pohon edhe vetë ta fyejë atë rëndë dhe ta quajë “plehrë”?
Vizita jashtë shtetit e kryetarit të opozitës është veprimtari e personalitetit politik, i cili nesër është Kryeministri i vendit. Opozita është pjesë e rëndësishme, themelore e strukturës shtetërore të një demokracie. Egin Ceka nuk ishte as një i papunë dhe as në rrugë, apo një fatkeq i dëshpëruar që për të shfryrë dufin gjuan me vezë njeriun që po flet në një miting. Duke fyer Kryetarin e Opozitës, z.Ceka ka fyer rëndë shtetin që e ka dërguar me shërbim në Austri.
Përfundimi i parë nga gjithë kjo histori është se z.Ceka është kthyer në një përçues mjeran të asaj psikologjie dhe trajtimi komunist që vetë Kryeministri dhe Kryetari i PD, S.Berisha ka për opozitën. Ai, sa herë është në pushtet, e quan opozitën armike të vendit, të papërgjegjshme, penguese, e cila e pakta e ka vendin në burg. Ligjërata e Egin Cekës në Kuvend duket se e ka marrë ujin nga këto burime të qelbura përderisa ai vetë e pranon se ka përdorur fjalë të rënda fyese ndaj z.Rama, Kryetar i Opozitës.
Diplomati vepron jashtë vendit në emër të shtetit shqiptar. Po ja Ceka (i riu), e tejkalon këtë dhe e ndjen veten simpatizant dhe aktivist të PD dhe njerëzve që janë në pushtet. Pse ndodh kjo? Kjo vjen nga që E.Ceka është emëruar në atë vend si rrjedhojë e një pazari, pa u testuar dhe pa meritë, dhe, për më tepër, nuk ka ardhur në Shqipëri të punojë në MPJ për të paktën dy vjet, para së të emërohet në përfaqësi, sikurse e përcakton Ligji për Shërbimin e Jashtëm. Ai është në mesin e një pazari, sepse, pa të drejtë, i kanë dhënë një mundësi dhe tani i duket se ka ardhur koha ta kthejë shpërblimin për bamirësinë. Madje rasti dëshmon se E.Ceka është bërë pjesë e lojës politike, dhe i vërsulet Shefit të Opozitës, me ëndrrën që të ndalojë ardhjen e saj në pushtet, duke zgjatur kështu qëndrimin e vet të paligjshëm në shërbimin e jashtëm. (Ju lutem, vini re, sidomos ju diplomatë profesionistë dhe ish kolegë të mi: A e përfytyroni dot se çdo të ndodhte nëse një farë Ceka tjetër do të hapte gojë përpara Berishës, qoftë si shef opozite apo, aq më keq, si shef i ekzekutivit? Do të nxirrte ujë të zi, që atje në Vjenë.  Është për të qarë dhe qeshur në të njëjtën kohë- Berisha, me siguri do ta kapte me shqelma edhe vetë ministrin e Jashtëm, gjysmat e të cilëve, sikurse e dinë shumë prej nesh, i kanë provuar në lëkurën dhe të ndenjurat e tyre se sa të hidhura dhe rroposëse janë shpullat dhe shqelmat që Berisha të jep në zyrë apo edhe në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD.
Duhet bërë e qartë shumë fort- Cilët janë ata diplomatë që përfshihen në akte të tilla jo vetëm të nxituara, por me frymëzim antishtet dhe që turpërojnë vendin tonë jashtë kufijve? A mund të mendohet se një diplomat i karrierës do ta bënte këtë? Në asnjë mënyrë, jo! Në asnjë rrethanë!  Guximin për akte të tilla të ulëta e kanë vetëm ata që kanë ardhur nga skutat e errëta dhe pazaret e fëlliqura të politikës dhe që pastaj veprojnë thjesht si aktivistë dhe simpatizantë dhe përnjëmend janë plagë e hapur në veprimtarinë e shërbimit të jashtëm.
Skandali me E.Cekën nuk përbën gjë të re dhe as për tu çuditur. Është thjesht një shpërthim i papritur i ujërave të zeza të deformimit, shitjes dhe korrupsionit në shërbimin e jashtëm. Flitet për shërbimin e jashtëm si sistem, që mbështetet në Ligjin për Shërbimin Civil, në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm dhe në Rregulloren përkatëse. Në të vërtetë janë veprimet e paligjshme që janë ngritur në sistem. Ligji lejon që, nga jashtë, në shërbimin diplomatik të futen deri 20% , por kjo shifër tashmë e ka kaluar edhe 40%-at. Do të ishte e tepërt të ripërsërisnim listat e gjata, tashmë të bëra publike, të emërimeve nepotike në MPJ, sidomos në përfaqësitë jashtë vendit.
Duhet thënë se puna në MPJ bëhet torturuese për një profesionist, sepse ti, në vazhdimësi, ke përpara greminën e korrupsionit, kur shefi, Ministri, që është aty, së pari, për të ruajtur ligjin, është fatkeqësisht i pari dhe kryesori që e përçudnon atë dhe që e shkel ligjin duke filluar me emërimet, pazaret, sigurisht me tenderat e deri tek deformimet në përparësitë e politikës së jashtme.
Meqë jemi tek emërimet: diplomacia jonë, këto vite, ka njohur raste si ai i Mehmet Elezit në Zvicër, ku ambasadori kryesisht merret me luftën kundër standardit të gjuhës shqipe, e shkon deri aty saqë informacionet e shkruara në dialekt kërkon t’i përfshijë ashtu siç janë në buletinet zyrtare të shërbimit të jashtëm, ka raste flagrante si ai i ambasadores Mira Hoxha në Budapest që, ngaqë ishte pjesë e klaneve, ndenji vetëm një vit në MPJ dhe, duke mos pasur as gradën atashe, u  emërua ambasadore në Hungari, A.Banaj në A. Saudite- i cili i shikon gjërat me filozofinë e fesë së vendit ku është akredituar dhe jo nga interesat e Shqipërisë, F.Kërçiku emëruar nga sekretar i dytë ambasador në Indi, vetëm se ishte në rrethin familjar të Berishës, dhe që për më tepër punën në shtet hapur e quan dhe trajton si mjet të përfitimit korruptiv vetjak, Sonila Vathi, e cila për meritën e vetme se ishte stekë e përkryer e veprimeve korruptive nga atashe u emërua Ministre Fuqiplotë në Bruksel, për të arritur tek shembulli tipik i Elida Petoshatit që është ngjitur në rangun e ambasadores nëpër shkallët e paligjshme të nepotizmit, si njeriu i Ilir Metës. Por ky është vetëm fillimi i cili shpesh është domethënës. E.Petoshati në ushtrimin e detyrës së saj ka ngelur besnike e frymës dhe veprimeve të klaneve nga ka dalë dhe thjesht ia ka nxirë faqen Shqipërisë në Otavë me korrupsionin e hapur dhe sjelljet si përfaqësuese e grupeve mafioze, të denja vetëm për krizën e 97-s në Shqipëri.  Emërimi i kësaj ambasadoreje në Kanada, fatkeqësisht ka përkuar (është e logjikshme) me kulmimin e veprimeve abuzive dhe të papërgjegjshme të Qeverisë shqiptare, duke bërë që vala e emigrimit të paligjshëm nga vendi ynë në drejtim të Kanadasë të mos ndalet, madje të përkeqësohet. Kjo gjë ka sjellë edhe reagimin e pashmangshëm (që hyn në fuqi së shpejti)  të autoriteteve kanadeze të cilat, si një masë vetëmbrojtëse, e kanë përfshirë Shqipërinë në grupin e vendeve që kanë shpërthime valësh të pakontrolluara të emigrantëve të paligjshëm, për arsye të paqëndrueshmërisë politike, pasigurisë së theksuar dhe dhunës së grupeve mafioze, rrënimit ekonomik madje edhe luftës shkatërruese totale sikurse janë  Haiti, Kongo, Somalia, Sudani i Jugut, Afganistani, Kamboxhia, Irani, Iraku, Siria, Autoriteti Palestez etj., etj.. Këto veprime të Qeverisë shqiptare dhe përfaqësueses së saj në Otavë e kanë futur Shqipërinë në “listën e zezë”. Qeveria shqiptare dhe E.Petoshati duhet tu japin shpjegime shqiptarëve për këtë turp dhe dhe për atë realitet që kanë krijuar për shqiptarët që ende ikin sikur vendi të ishte në luftë…
Por gjërat nuk mbarojnë me kaq. Kësaj ambasadoreje me titull, E.Petoshatit, nuk i nxihet faqja as nga ana njerëzore as administrative që të marrë në mbrojtje hapur madje edhe vrasjet e katër demonstruesve në mes të Tiranës, më 21 Janar 2011, duke e quajtur vrasjen e tyre reagim normal të shtetit. Po me aq qetësi ajo ka marrë në mbrojtje edhe qarkoret e turpshme, fyese dhe shkatërrimtare nga ana profesionale (për çka ka folur në shtypin shqiptar, gazetari i mirënjohur Dritan Hila), të dërguara fill pas asaj ngjarjeje tronditëse dhe që e spërkati me gjak fytyrën e Qeverisë. Mënyra primitive-familjare- klanore se si e drejton E.Petoshati institucionin e ambasadës, fshehjet e korrupsionit të shefave në Tiranë dhe veprimet po ashtu  të frymëzuara po nga e njëjta psikologji korruptivo-klanore, e bëjnë atë një shembull tipik të diplomacisë shqiptare sot, – një dorë të zgjatur të klanit që e ka dërguar, e cila është fare e paaftë profesionalisht, inaktive dhe me performancën e një shtëpiakeje të rëndomtë në përfaqësim, por që bëhet sakaq agresive kur mbron dhe maskon interesat korruptive të vetat dhe të njerëzve të pushtetshëm që e kanë dërguar.
Por të rikthehemi tek shërbimi diplomatik shqiptar në përgjithësi. Shërbimi i jashtëm i Shqipërisë është vërtet në mjerim të plotë ekonomik. Këtu dua vetëm të ve në pah disa fakte, një pjesë e të cilave janë bërë publike (dhe pse me dorashka) nga ambasadori në Uashington, Galanxhi, i cili vëren se ambasadat si e tija nuk kanë para as për të mbajtur zyrat hapur. Nuk jepen pare për qiratë e banesave, nuk ka fonde për siguracionet dhe rrogat që, në mënyra të ndryshme shkurtohen dhe jepen me vonesë, makinat kanë ngelur të pariparuara ose nuk përdoren se nuk ka pare për benzinë… Për veprimtari të mirëfillta diplomatike as që bëhet fjalë… Mund të thotë dikush se çdo vend mund të kalojë gjendje të vështira. Po, kjo është e vërtetë, por nuk gjen asnjë vend në botë që në kohën që përfaqësitë janë të pezulluara dhe nuk ka pare as për rrogat, Qeveria derdh paratë lumë për kompani lobingjesh, që paguhen pikërisht për qëllime të ngushta zgjedhore partiake. Por ka edhe më, – ndërsa sirenat  e alarmit të përfaqësive po bëhen të frikshme dhe po jepet sinjali “SOS”, Qeveria bën emërime të reja, rreth 15 persona, janë emëruar në përfaqësi (sigurisht nga jashtë MPJ), pikërisht tani përpara zgjedhjeve! Për Qeverinë e Berishës kjo funksionon edhe pse në trajta disi tragji-komike. Disa “diplomatëve” u thuhet se mund të shkoni në përfaqësi,por do t’i paguani qiratë me paret tuaja?! Nxitojnë sikur e kanë ndjerë erën se anija e pushtetit po mbytet. Ikin, kështu, para zgjedhjeve,  sepse diplomacia tek ne, për fat të keq, herë pas here, ka qenë dhe është valvula për zbrazjen e ngërçeve dhe ndonjëherë edhe të pëgërave të politikës.
Nuk është gjë e re kjo- ka vite që diplomacia shqiptare, fatkeqësisht, në shumë raste, është kthyer në rrugë emigrimi të paligjshëm. Do të ishte shumë interesante të botohej lista e plotë e “diplomatëve” apo edhe sekretarëve teknikë dhe shoferëve që kanë qenë në përfaqësi. Ku janë ata tani? Shumica dërmuese e tyre nuk janë më në shërbimin e jashtëm dhe as në Shqipëri! Dhe, meqenëse po flasim për emigrimin ia vlen të përmendim edhe një fakt shumë domethënës nga regjistrimi i fundit i popullsisë. Për tetë vitet e fundit, (që përkojnë me Qeverinë Berisha), numri i popullatës në vendin tonë ka rënë me 200 mijë vetë, për arsye, së pari, të emigrimit të popullsisë. Ç’është kjo Qeveri dhe politikë e cila gjithë rritjen natyrore të popullsisë e drejton jashtë vendit? Është kjo Qeveri e shqiptarëve apo Qeveri e rritjes së emigracionit, shpesh edhe të paligjshëm? Dhe Qeveria, pasi iu jep shkelmin qytetarëve të vet, këtu e mbaron edhe detyrën e saj. Kujdesi për mërgimtarët është një nga detyrat parësore të Qeverisë dhe shërbimit të jashtëm, por në të vërtetë asgjë nuk bëhet, dhe ndihma e premtuar për ruajtjen e identitetit dhe lidhjeve me dheun mëmë mbetet një zhgjëndërr.  Jo vetëm nuk hapen shkolla dhe qendra kulture siç premtohet, por as tekste të thjeshta nuk dërgohen!
Folëm në fillim për rastin e E.Cekës. Ai rast flet qartë se ç’i pret profesionistët e mirë dhe të përkushtuar të MPJ. Trysnia e paprinciptë politike i bën shumë profesionistë të enden në korridoret e MPJ si kandrra e Grigor Samsës, në realitetet hënore të Kafkës. Në shërbimin e jashtëm janë pazaret e klaneve ato që vendosin për fatin e diplomatit dhe jo rregulli dhe aftësia profesionale! Njerëzit e politikës, tashmë shpesh edhe me përzgjedhje krahinore, jo vetëm marrin emërimet jashtë, por janë të parët për rritjet në grada dhe në poste drejtuese. Pa folur pastaj për të ashtuquajturat konkurse të cilat janë ironi fyese sepse ato, si rregull, bëhen pasi personi që është piketuar për t’u marrë ka një vit që punon në MPJ, apo i janë bërë notat për ta dërguar jashtë vendit. Shtrembërimet korruptive të politikës kanë krijuar në Shërbimin e Jashtëm problemin e mprehtë të “dhurimit” të gradave të larta “këshilltar” dhe “ministër këshilltar” për shumë të paaftë të cilët, jo vetëm dëmtojnë buxhetin, por MPJ dhe shërbimin e jashtëm po e bëjnë të duket si një koshere bletësh që po e pushtojnë meshkujt të cilët vetëm hanë, por nuk prodhojnë!
Korruptimi më i madh dhe më i dëmshëm në shërbimin e jashtëm të Shqipërisë, edhe pse këlthitës, nuk qëndron aq në çështjet teknike; ai para së gjithash qëndron në trajtimin e çështjeve madhore politiko-diplomatike. Një nga më domethënësit është problemi i dhunimit profesional dhe politik që iu bë shërbimit të jashtëm shqiptar me rastin e ngjarjeve të 21 janarit 2011.
Opinioni ynë dhe ai ndërkombëtar është informuar se pas ngjarjeve të 21 janarit, Qeveria ka shpërndarë për përfaqësitë e Shqipërisë në botë një qarkore mbi këto ngjarje, që u përmend edhe pak më lart. Në të vërtetë janë nisur dy qarkore dhe a dyta ka pak ndryshime, por që janë domethënëse (nga vetë e parë disa fraza kthehen në vetë të tretë)! Çështja është shumë serioze- Në qarkore; Opozita zyrtare, Partia Socialiste dhe Kryetari i saj, akuzohen për tentativë për grusht shteti dhe shprehimisht thuhet se “Për orë të tëra tentuan të pushtojnë Kryeministrinë e vendit, për të marrë pushtetin me forcën e dhunës. Skenari i tyre ishte; duhej me çdo kusht të merrej Kryeministria, duhej me çdo kusht të merrej Parlamenti, duhej me çdo kusht të merreshin ministritë”. Besoj kabllograme më të ashpra nuk janë nisur as në Rusinë cariste të 1917-s. Dhe përfaqësive diplomatike iu kërkohet me urgjencë që të njoftojnë partnerët ndërkombëtarë për këto ngjarje dhe të marrin reagimet e tyre . Në mënyrë fare të paskrupullt është përdorur shërbimi i jashtëm për të justifikuar luftën e paparimtë kundër opozitës, njëlloj si në shtetet e mirëfillta diktatoriale!
Këto qarkore, të cilat kur i lexon duket se fshehin mynxyra pushtetore dhe përpjekje për të blerë heshtjen e faktorit ndërkombëtar, duhet të bëhen të njohura për publikun, që ai ta marrë vesh se si keqpërdoret diplomacia dhe diplomatët dhe si merret pa të keq nëpër këmbë dinjiteti njerëzor dhe profesional i tyre. Shumë kolegë të mi (dhe unë si ata), kemi pasur turp të shikojmë kolegët tanë në sy, pas 21 janarit. Si mund t’i qëndroje një pyetjeje se përse vriten demonstruesit në një vend anëtar të NATO-s dhe që kërkon të anëtarësohet në BE? Çfarë Qeverie ka Shqipëria? Dhuna e përgjakshme e 21 janarit dhe këto qarkore qëndrojnë si hije të zeza mbi kryet e profesionistëve në diplomacinë tonë.  Pa u shpëlarë zgjyra e tyre s’mund të ketë Shqipëria diplomaci profesioniste.
Pikërisht në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë Kryeministri Berisha filloi një lojë të rrezikshme dhe të dëmshme me parullat nacionaliste, që herë- herë të dukeshin se ishin marrë hua nga kuzhina e vetë Milosheviçit. Këto parulla boshe goditën dhe synuan t’i hiqnin diplomacisë shqiptare gurin më të madh të themelit, ku ishte mbajtur gjithë këto vite të tranzicionit -– roli paqësor i Shqipërisë në rajon. A ndryshuan rrënjësisht raportet e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon dhe Europë që u kalua në një ndryshim tërësor të deklarimeve politike, që shqetësuan shumëkënd, aq më tepër ata që vendosin se si do të jetë moti nesër në Ballkan? Duket se situate u vu disi në kontroll nga një tërheqje veshi e faktorit ndërkombëtar, por duhet theksuar se ky lloj qëndrimi solli jo pak habi dhe trullosje tek diplomatët shqiptarë, të cilët kanë qenë dhe janë të mbushur aq shumë me argumente kundër politikash të tilla aventuriere dhe të rrezikshme. Jam i bindur se këto përndezje dhe flakërime boshe i kanë prishur shumë punë çështjes së shqiptarëve në Ballkan dhe të ardhmes së tyre si komb.
Është e qartë se për gjendjen e MPJ dhe diplomacisë në përgjithësi është përgjegjëse, së pari, vetë Qeveria dhe Kryeministri Sali Berisha, por edhe ministrat që e kanë drejtuar atë dhe që kanë pasur dorë të rëndë, veçanërisht Basha dhe Meta.  Për fat të keq, në karrigen e ministrit të Jashtëm janë ulur njerëz që janë nga më të përfolurit para opinionit publik për çështjet e rënda të korrupsionit. Ata që kanë punuar me Bashën, në kohën e akuzave për vjedhjet në rrugë, e dinë se çdo ditë vinte i zbehtë, gati i bardhë në Ministri dhe puna e parë që bënte ishte që të dërgonte që pa gdhirë dosjen e akuzave nga tryeza e zyrës së tij tek dera e Prokurorisë, duke ia dalë të ndryshojë fatin e tij me lojë procedurash. (Disa nga kolegët me siguri mund të pyesin- po cili ishte a djali i shkathët që çonte herë pas here dosjet tek dera e Prokurorisë? Është në MPJ apo në ndonjë përfaqësi?) Më vonë doli edhe videoja Meta-Prifti që ia thau edhe më keq fytin diplomatëve tanë, por edhe pa Metën, më pas, kazma e korrupsionit, sidomos në kohën e E.Panaritit, po aq e thellë dhe shkatërruese ka qenë.
Gjendja e tanishme në shërbimin e jashtëm duhet të ndryshojë një orë e më parë. Interesat e larta të vendit tonë, por edhe ato të trupës së diplomatëve profesionistë të Shqipërisë e kërkojnë me ngut këtë.  Kam shpresë se Shqipëria do të dale, më në fund, nga ai qerthulli tragjik i vendit të vogël (i cili nga numri zvogëlohet, madje edhe me mëtime për zvogëlime territoriale si ajo e kufijve detarë), por që, nga ana tjetër, ka udhëheqës të “mëdhenj” (që prodhojnë katastrofa të mëdha si ajo e ‘97-s,) e që i flijojnë interesat e vendit dhe talentin e përkushtimin e diplomatëve shqiptarë në altarin e pistë të interesat e tyre korruptive.

*(Ish-ministër këshilltar dhe Konsull në Ambasadën Shqiptare në Otavë)