Tahiri vijon me akuzat ndaj gjyqtarit Aliaj

396
Ministri i Brendshëm është shprehur sot se nuk do të ndalojë së akuzuari gjyqtarët, siç veproi për gjyqtarin Besnik Aliaj. Këtë qëndrim ai e shprehu pasi kishte përfunduar seancën e pyetjeve në Prokurori, për deklaratat ndaj Aliajt. Në Prokurori, tha Tahiri, “sqarova se i qëndroj të gjitha deklarimeve që kam bërë, sepse unë besoj se ka shumë nevojë për të parë në detaje dhe shumë imët, punën e çdo gjyqtari pavarësisht vullnetit që kemi ne. Nuk më ndalon askush të jap opinione dhe vlerësime për vendime absurde gjyqtarësh që në atë detyrë janë për shkak të qokave politike dhe shërbimeve që u bëjnë atyre që kanë kapur drejtësinë.

Nuk jam i vetmi, besoj se 99% e shqiptarëve mendojne se sistemi gjyqësor ka segmente të caktuara që mbijetojnë falë korrupsionit. Gjyqtarët me vendime kriminale janë duke luajtur me jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Sipas Këshillit të Lartë të Padrejtësisë apo Koorporatës që drejton sot sistemin gjyqësor më të korruptuar në Evropë, cilido gjyqtar mua nuk do të më ndalojë të akuzoj cilindo gjyqtar dhe shërbimi më i mirë që mund të bëjmë ne që mund të flasim më shumë se qytetarët, është të akuzojmë çdo gjyqtar që në bindjen më normale të atyre që njohin sistemin e gjykatave, e përdorin pelerinën dhe çekiçin për gjoba politike dhe për imunitet.

Ju jeni dëshmitarët më të parë të denoncimeve të mia që kanë shkuar me qindra. Ju jeni dëshmitarë që kanë liruar në sallën e gjyqit përdhunues të të miturve që unë nuk e pranoj këtë as si prind, lere pastaj si Ministër i Brendshëm. Sistemi gjyqësor sot prodhon padrejtësi dhe kërcënon jetën e qytetarëve dhe një akt kriminal është kur gjyqtari i kthen pronën dikujt në mes të Tiranës pronarit dhe pronari i fal atij një pjesë të pronës dhe një vilë tre katëshe”.
Sigal