Tahiri sulmon ambasadorin Lu për klanet mafioze

561
Ish-ministri i Brendshëm mohon të ketë përgjegjësi ligjore për çështjen “Habilaj”, ndërsa deklaron se sot mund të jetë në pranga. Deklaratat e forta
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka deklaruar se nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore, por vetëm morale, në atë që cilësohet si dosja “Habilaj” lidhur me trafikun e drogës nga Shqipëria në Itali. Deputeti socialist mohoi të kishte udhëtuar në një makinë me Habilajt, siç pretendon prokuroria dhe deklaroi se nuk kishte ndihmuar në aktivitetin e tyre kriminal. Vetëm pak orë pasi prokuroria i kërkoi Kuvendit që t’i japë autorizimin për të arrestuar deputetin socialist, ishte vetë Tahiri që nuk i kurseu akuzat edhe për ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu. Ish-ministri Tahiri tha në emisionin “Opinion”, se Shqipëria nuk ka nevojë për ambasadorë që të thonë se sa familje dhe klane mafioze ka. “Kam shumë respekt për ambasadorët në tërësi, pavarësisht se i kam njohur ndryshe secili me të vetat, njerëz janë edhe ata. S’kam preferuar të jem lloji i politikanit që shtrihet barkas para një ambasadori, apo t’i puthja dorën ndonjëherë një ambasadori. Kam menduar që Shqipëria është një shtet sovran që me hallet e veta, t’i zgjidhë vet e as kam pritur që të vijë një ambasador të na zgjidhi problemet që ne mund t’i zgjidhim vet. Në shtëpinë time s’ka asnjë burrë që vjen të zgjidhë problemet. S’ka nevojë Shqipëria për ambasadorë që tregojnë se sa familje apo klane mafioze ka, ia kam thënë ambasadorëve që atëherë s’më duhet mua fare kritika publike e një ambasadori, më duhet që kur të flasë për policinë të vijë të më japi një ndihmë konkrete”, tha Tahiri. Ai shtoi se e kishte gjetur policinë me 11 milionë euro ndihma, nga të cilat 2 milionë euro janë reale dhe të tjerat ishin pallavra, ekspertizë kot. “Megjithatë e vlerësoj ambasadorin amerikan për kurajon e pashoq për të denoncuar gjëra”, tha Tahiri. Deklarata e ish-ministrit socialist vjen vetëm pak javë pasi ambasadori amerikan në Tiranë deklaroi se në Shqipëri ka 20 familje dhe 4 klane mafioze. Diplomati amerikan kërkoi ndëshkimin e kokave të krimit. 

Roli i Xhafajt
Pa publikuar emra, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka pohuar se ka deputetë dhe ministra të qeverisë së majtë që kanë thyer ligjin. “Ka deputetë dhe ministra ka PS që e kanë shkelur ligjin”, ka thënë Tahiri, duke mos dhënë asnjë emër konkret. Gati i përlotur, Saimir Tahiri ka thënë se në këto momente i intereson vetëm qetësia e familjes dhe e vërteta. I pyetur, nëse dikush ka komplotuar kundër tij, mes tyre kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, përgjigja e Tahirit ishte evazive. “Nuk është dita të merrem kush ka rol në këtë histori. Është dita t’i shkojë deri në fund kësaj historie, madje duke shkuar edhe në qelinë më të largët. Mua më intereson të dalë e vërteta. Nëse ka njerëz që janë marrë me këtë histori, do vijë dita që do të merrem unë me ta”, tha Tahiri. Më tej, ai nënvizoi se “ekzagjerimi me bandat është i tepërt, nuk ka të tilla. Të gjithë këta që quhen banditë, janë të arrestueshëm, por janë gjykatat që e kthejnë prapë mbrapsht”. Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka deklaruar se janë të paktën 30 deputetë nga opozita e sotme dhe e djeshme që kanë dalë jashtë Shqipërisë me makinat e tyre me persona me rekorde kriminale. “Ka të paktën 30 deputetë që kanë dalë me kriminelë në makinën e tyre…vetëm në opozitën e sotme dhe të djeshme ka gati 30 deputetë që kanë dalë jashtë vendit me me persona që kanë pasur rekorde kriminale në të kaluarën”, tha Tahiri. Ai nënvizoi se dispononte informacione të shumta. “Unë di shumë më shumë se ç’kam mundësinë të flas, unë po ju them që Shqipëria në vlerësimin tim s’ka histori bandash, për mua janë ca banditë rrugësh të cilët me vullnet nga policia dhe mbi të gjitha nga prokuroria apo nga gjykata akoma më shumë, shkojnë në burg dhe lirohen…Historia e Elbasanit s’ka asnjë motiv për ‘shok’ publik, ndoshta nuk shkon në gjatësinë e valës së shqetësimit tuaj kjo histori, por të dyja bandat janë arrestuar kur unë kam qenë ministër, janë arrestuar dhe i ka liruar gjykata pas 6 muajsh apo një viti”, tha Tahiri.

“Në burg me ata që arrestova”
“Mua mund të më ndodhë që të bëj burg me ata që kam arrestuar vetë”. Kështu deklaroi dje ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ndaj të cilit pritet që të vendoset, nëse do t’i hiqet imuniteti duke iu lënë rrugë arrestimit të tij, për përfshirje në trafik droge. Tahiri, i ftuar në “Opinion” pohoi se ky ishte filmi që ai priste ta shihte një ditë, ndërsa theksoi me ironi se mund t’i qëllonte që të ishte në një qeli me ata që ai dikur arrestoi gjatë detyrës si ministër. “Ky është filmi që prisja ta shihja një ditë. Që i gjithë llumi të më vinte në bark. Mua mund të më ndodhur që të bëjë burg me ata që kam arrestuar vet. Unë po them, është kollaj për një politikan sot që të përfitojë nga një aleancë për të qenë i paprekshëm, dhe nuk është kollaj ajo që kam bërë me veten. Kam luftuar për ditë për të punuar. Nuk kam zgjedhur që të ruaj miqësinë me dikë. Me aq sa kam mundur kam punuar. E di që ju intrigon shumë nëse mund të kem shumë informacione”, tha Tahiri.
diçiturë
Ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, kur ka hyrë në “Tv Klan” mbrëmjen e djeshme është njohur me kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të tij. Dokumenti i është dorëzuar nga punonjësi i Kuvendit.
Demiraj: Çakon e mbron kryeministri
Dritan Demiraj, ish -ministër i Brendshëm, i ftuar në emisionin “360gradë” të Artur Zhejit, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me kreun e policisë së Shtetit, Haki Çako. I pyetur nga moderatori Artur Zheji se, pse nuk e kishte kërkuar dorëheqjen e Haki Çakos kur ishte në detyrë, Demiraj tha se Çako mbrohej nga kryeministri. “Nuk e kam kërkuar, pasi e dija që e mbronte Kryeministri. Fatmir Xhafaj nuk mund të largojë dot Haki Çakon, vendimin për shkarkimin e drejtorit të policisë e merr kryeministri”, tha Demiraj.
Sigal