Tahiri, sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda

477
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, është thirrur për t’u pyetur sot nga Gjykatat për Krimet e Rënda. Deputeti Tahiri pritet të paraqitet përpara gjyqtares Liljana Baku rreth orës 9:30. Ligji parashikon thirrjen e ish-ministrit të Brendshëm brenda 5 ditëve nga zbardhja e vendimit që i ndaloi daljen jashtë shtetit dhe bllokimin e pasaportës e kartës së identitetit. Burime nga Gjykata për Krimet e Rënda konfirmojnë se në këtë seancë paraprake dhe të fokusuar te masa shtrënguese, përballë gjyqtares Baku, ish-ministri Tahiri do të duhet të përgjigjet për të gjitha çështjet që kanë dalë nga përgjimet e Habiljave dhe të dhënat e tjera të siguruara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Pala e hetuar nuk ka qenë e pranishme gjatë javës së shkuar në seancën ku u vendos mbi bllokimin e daljeve jashtë vendit t ëish-ministrit, kështu që Tahiri pritet të pyetet për njohjet me Orest Sotën dhe lëvizjet me automjetin “Audi”, nëse i ka njohur Habilajt dhe kur i ka takuar, apo për akuzat se ka përfituar dhurata nga Habilajt. Vendimi i gjykatës që i ndaloi Tahirit daljen jashtë shtetit jep në mënyrë kronologjike rrjedhën e hetimit të kësaj çështje, që nisi në Shqipëri ndaj Habilajve, me veçimin e dosjes për Treblovën. Në dosjen e Treblovës përmenden për herë të parë lidhjet e policisë me narko-trafikun. Ndërkohë, gjithmonë sipas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda që i ndalon Saimir Tahirit daljen jashtë vendit, në Itali u ra në gjurmët e Habilajve që prej vitit 2012 pas operacionit antidrogë “Odisea”.
Sigal