Tahiri: Shqiptarët nuk kanë arsye për të kërkuar azil

438
Shqiptarët nuk kanë asnjë arsye për të kërkuar azil në vendet e Europës. Kjo është ajo çka thekson ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në një intervistë për “Euro News”. Duke folur për azilkërkuesit shqiptarë, kryesisht në Gjermani, Tahiri thekson se qeveria shqiptare ka marrë masa për të frenuar fenomenin, i cili ka baza ekonomike.
“Ne kemi punuar me partnerët për masa që do të ndalojnë fenomenin. Nuk ka arsye për të kërkuar azil politik nga shqiptarët. Shqipëria është vend demokratik. Ne jemi drejt integrimit evropian. Ne po përmbushim reformën në sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu, reforma po bëhen edhe në ekonomi. Këto janë masa që nuk kanë arsye të çojnë njerëzit drejt azilit”, shprehet ai.
Sipas Tahirit, arsyet e rritjes së numrit të azilkërkuesve sidomos gjatë këtij viti kanë të bëjnë me problemet ekonomike që kanë vendet e Ballkanit, por edhe faktorë nxitës, që në disa raste i kanë bërë njerëzit të lënë punën në vendin e tyre, për të udhëtuar drejt Europës Perëndimore.
“Praktikisht ata kërkojnë azil për arsye ekonomike. Shkaqet mund të jenë lokale, që kanë të bëjnë me vendet e Ballkanit dhe problemet ekonomike e varfërinë. Por ka edhe faktorë që nxisin azilkërkuesit. Ne kemi luftuar organizatat kriminale që përfitojnë nga padijenia e personave që kërkojnë të udhëtojnë në kërkim të një të ardhmeje ekonomike më të mirë. Ne i kemi njoftuar se nuk ka shanse të shkosh në vende të BE-së dhe të kërkosh azil”, tha ai.
Në lidhje me numrin e madh të azilkërkuesve shqiptarë, Tahiri tha se një pjesë e tyre janë emigrantë në Greqi, të cilët pas krizës atje i janë drejtuar kryesisht Gjermanisë në kërkim të një jete më të mirë.
“Ka azilkërkues që kanë më shumë se një dekadë në Greqi dhe pas krizës greke i janë drejtuar Gjermanisë. Ka ndodhur që njerëz të punësuar kanë udhëtuar drejt Gjermanisë në kërkim të azilit, pasi u është dukur se pas pritjes mund të merrnin një shtëpi, mbase një leje pune apo përfitime sociale”.
Tahiri shprehet se ka qenë vetë Shqipëria ajo që ka kërkuar futjen e saj në listën e vendeve të sigurta të origjinës. Ai thotë se kjo duhet të shërbejë për të shkurtuar procedurat e azilkërkuesve shqiptarë që ndodhen kryesisht në kampet e Gjermanisë, në pritje të një përgjigjeje.
“Ne u kemi kërkuar që Shqipëria të futet në listën e vendeve të sigurta. Kjo do të shkurtojë procedurat për shqyrtimin e kërkesave për azil. Nuk mund të them nëse ndihma financiare do të ishte zgjidhje. Është një vendim që e marrin autoritetet. Ne sugjerojmë se për azilkërkuesit e paligjshëm të jepet përgjigje e shpejtë. Kjo nuk duhet të jetë më shumë se dy javë. Nëse jemi vend i sigurt origjine, azilkërkuesit duhet të marrin përgjigje të shpejtë. Ne kemi kërkuar shpesh që Shqipëria të klasifikohet si vend i sigurt origjine. Kjo është mënyra më e mirë për zgjidhje të qëndrueshme”, shprehet Tahiri në intervistë.
Sigal