Tahiri: “Qytetarët të pambrojtur, përgjegjës Berisha”

38

Krimi/ Opozita reagon ashpër ndaj rritjes së kriminalitetit dhe aksidenteve të përditshme

 

Deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri ka deklaruar dje se qytetarët shqiptarë janë të pasigurt dhe të pambrojtur nga krimi. “Java nisi sërish me vrasje. Sot nuk ka siguri për jetën e çdo qytetari. Sot qytetarët janë më të pasigurt dhe më të pambrojtur nga banditët se asnjë herë tjetër. Vendi i është kthyer terrorit, krimit ordiner dhe bandave mafioze. Shteti është gjunjëzuar dhe ata që e vuajnë janë qytetarët që sot janë më të pasigurt”, tha ai. Ai ka bërë përgjegjës për këtë kryeministrin Berisha. Siç tha, Tahiri kryeministri ka emëruar në krye të pozicioneve kyçe të shtetit, militantë partiakë. Deputeti i PS-së, Tahiri theksoi se nuk mund të ketë luftë kundër krimit sa kohë që i pari i vendit emëron në pozicionet kyçe të institucioneve të pavarura militantë partiakë, duke sjellë në vëmendje emërimet e fundit në KLD dhe SHISH. “Qytetarët grabiten në mes të ditës, ndërkohë që Sali Berisha dërdëllit për imunitetin. Vriten në rrugë, në shtëpi, në plazh, në qytet e fshat, ditën e natën, ndërkohë që Sali Berisha grabit institucionet e pavarura, siç bëri më së fundi me KLD dhe SHISH me ndihmën e President Bujarit. Rrugët lahen me gjak nga aksidentet skandaloze ku humbin jetën fëmijë, të rritur e të moshuar, ndërkohë që Sali Berisha mban rekorde noti”, akuzoi ai. Socialisti shtoi më tej se, “pa u shkulur Sali Berisha, nuk mund të rikthehet drejtësia në vend. Nuk mund të garantohen institucionet e pavarura, Prokurori, Gjykata, Shërbimi Informativ Shtetëror në radhë të parë, nuk mund të ndëshkohen ata që fshihen pas imunitetit, e po kështu, edhe grabitësit, hajdutët, kriminelët dhe bandat që po bëjnë kërdinë dita ditës”. Tahiri siguroi qytetarët se PS me ardhjen në pushtet do t`u kthejë qetësinë dhe do të garantojë sigurinë në vend. “Ne do i rikthejmë qytetarëve sigurinë, qetësinë dhe garancinë për jetën e për pronën, duke rikthyer më së pari pavarësinë e institucioneve kushtetuese për ti rikthyer dinjitetin shtetit shqiptar, institucioneve dhe vetë qytetarëve. Ne do garantojmë jetën, pronën dhe dinjitetin e çdo qytetari, siç do vëmë para hekurave të ligjit, cilindo bandit a kriminel, hajdut a grabitës, qoftë ky edhe nga këta pushtetarët e sotëm”, përfundoi deklarata.