Tahiri “pushton” takimin e parlamentarëve, opozita kërkon shpjegime nga Vlahutin. Debatet

604
Tahiri “pushton” edhe takimin e parlamenteve Shqipëri-BE
Opozita kërkon shpjegime nga ambasadorja Vlahutin për heshtjen ndaj drogës dhe hetimin e ish-ministrit. Debatet dhe shpjegimet e zyrtarëve të Brukselit
Çështja e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili po hetohet për përfshirje në trafikun e drogës, ka zaptuar edhe mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri. Pas shqetësimit të ngritur nga deputetët e Partisë Demokratike për çështjen “Tahiri” në sesionin e parë të takimit të 12-të BE-Shqipëri që u mbajt dje në Tiranë, ambasadorja e BE, Romana Vlahutin u shpreh se kjo çështje po ndiqet me shumë interes. E pyetur disa herë nga deputetët e opozitës për çështjen e drogës dhe rastin “Tahiri”, Vlahutin u shpreh se kjo çështje po monitorohet nga shumë afër. “Heqja e imunitetit është një përgjegjësi sovrane e Parlamentit. Presim me padurim që çështja të përfundojë nga ana e prokurorisë. Ne po monitorojmë nga shumë afër të gjithë procesin dhe presim rezultatet të bëhen publike sa më shpejt”, tha Vlahutin.

Sesioni u drejtua nga Monika Makovei, kryetare e delegacionit të PE dhe Taulant Balla, kryetar i delegacionit shqiptar. “Partitë politike duhet të jenë bashkë në përpjekjet për integrim”, theksoi Monika Makovei gjatë takimit të Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit. Në takimin e 12-të të Komitetit ndërparlamentar të Stabilizim Asociimit mes Bashkimit Evropian dhe atij të Shqipërisë, Monika Makovei, e cila drejton delegacionin e parlamentarëve evropianë, u kërkoi politikanëve në Tiranë që të lënë mënjanë sherret dhe të dialogojnë. Pas kësaj thirrjeje, Taulant Balla që drejton delegacionin shqiptar përsëriti edhe njëherë ftesën drejtuar opozitës për një pakt kombëtar për Evropën. “Ne kemi filluar të shikojmë produktet e para të ndryshimit të sistemit. Ne i shohim rezultatet e para të procesit të vetingut edhe përpara seancave dëgjimore publike, me dorëheqjet e ditëve të fundit dhe ne do të vijojmë të kërkojmë rezultate”, u shpreh Vlahutin. Edhe europarlamentarja Makovei komentoi largimet e fundit nga sistemi i drejtësisë. “Vetë fakti që disa gjyqtarë dhe prokurorë kanë dhënë dorëheqje, tregon se ata janë të frikësuar për gjërat që mund të zbulohen rreth tyre. Rezultati i Reformës në Drejtësi nuk do të jetë perfekt, të paktën këtë kemi parë nga eksperienca e vendeve të mëparshme. Pra, nuk do të jenë engjëj të gjithë ata që do të jenë pjesë e gjyqësorit dhe prokurorisë”, tha zyrtarja e BE-së.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati vuri në dukje se Reforma në Drejtësi ilustron impaktin në integrimin evropian. Gjatë fjalës së tij, ministri vuri në dukje edhe faktin se qeveria shqiptare është përfshirë në një proces intensiv dialogu me Greqinë. Ndërsa deputetja e PD, Jorida Tabaku, kërkoi edhe njëherë shpjegim, se përse opozita nuk është përfshirë në takimin e fundit të Këshillit të Stabilizim-Associimit. Por shqetësimi i saj dhe i deputetes tjetër të PD, Albana Vokshi ka qenë edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ka qenë pjesë e delegacionit që duhet të merrte pjesë në këtë takim. “Si është e mundur që opozita është përjashtuar nga Këshilli i fundi të Stabilizim-Asociimit. Tashmë kjo nuk i lejohet opozitës. PD ngriti një shqetësim për anëtarësim të deputetëve në Komision të Stabilizim-Asoccimit, ku pjesë e së cilës është edhe deputeti Saimir Tahiri”, tha Tabaku. Bashkëdrejtuesi i këtij Komisioni, Taulant Balla i ka kthyer përgjigje Jorida Tabakut se në seancën e fundit është miratuar lista e re e përfaqësuesve të Partisë Socialiste në këtë takim, ku emri i Tahirit nuk është në të. “Njoftimet bëhen në fund të seancës plenare dhe kërkesa ime është dërguar javë më parë dhe është miratuar në seancën e fundit plenare. Përbërja e këtij këshilli janë ata që shihni në këtë takim”, u përgjigj Balla. Por për Albana Vokshin deri në këtë moment nuk është paraqitur asnjë dokument për zëvendësimin e Tahirit.
PD: Komision hetimor për Tahirin
Komisionin e parë hetimor në këtë legjislaturë të Kuvendit opozita do ta ngrejë për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur që komisioni të hetojë ligjshmërinë e akteve të Parlamentit e të qeverisë, nga vendimi për të mos i dhënë leje prokurorisë për arrestim, e deri tek ekstradimi i Nezar Seitit. Gjithashtu, opozita ka deklaruar se nuk është tërhequr as nga plani i saj për të kallëzuar penalisht ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. 
Sigal