Tahiri me zyrtarët e FBI: Asistencë për BKH

501
Kryeministri Edi Rama njoftoi të mërkurën se FBI-ja do të përfshihet në veprimtarinë antikrim të Byrosë Kombëtare të Hetimit. “Lajm i mirë: FBI do përfshihet me ekspertizë dhe asistencë në terren për fillimin e mbarë të veprimtarisë antikrim të Byrosë Kombëtare të Hetimit”, shkroi kreu i qeverisë në rrjetin social Facebook.
Por duket se këtë lajm kryeministrit ia ka dhënë ministri i Brendshëm Saimir Tahiri pas një takimi me ambasadorin amerikan Donald Lu. Burime për A1 Report konfirmuan më herët takimin mes Ministrit Tahiri dhe përfaqësuesve të FBI ku në fokus është folur për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe asistencën nga autoritetet amerikane në ngritjen e këtij institucioni.
Kjo strukturë, që përfundimisht është vendosur të jetë brenda Policisë së Shtetit, do të ketë vetëm 50 punonjës, të cilët do të jenë OPGJ, agjentë policie dhe ekspertë nga fusha të tjera.
“FBI-ja shqiptare” (Byroja Kombëtare e Hetimit) do të kryejë veprimtari gjurmuese dhe hetimore në përputhje me legjislacionin penal dhe procedural penal, për veprat penale në fushën e korrupsionit dhe të veprimtarisë së organizuar kriminale dhe do të ketë varësi dyfishe mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm.
Ajo ushtron kompetencat në të gjithë territorin e vendit dhe për veprimtarinë gjurmuese do të përgjigjet para Drejtorit të Policisë së Shtetit dhe për veprimtarinë hetimore procedurale do të përgjigjet para prokurorit. 
Tahiri takon zyrtarët e FBI: Asistencë dhe mbështetje për Byronë Kombëtare të Hetimit
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është takuar sot me Zv.Ndihmës Drejtorin J. Chris Warrener dhe Zv.Ndihmës Drejtorin Brian McCauley të FBI, me të cilët ka diskutuar lidhur me forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit.a
Takimi i sotëm vjen pas vizitës të Ministrit Tahiri në SHBA dhe takimeve që zhvilloi me Zv.Drejtorin e FBI, Mark Guliano. Që nga dita e sotme ka nisur puna konkrete e përbashkët ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Shtetit me ekspertët e FBI për ngritjen e plotë dhe funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
BKH pritet të shënojë një standart të ri në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë.
Drejtuesit e FBI theksuan mbështetjen për punën e Ministrisë së Punëve të Brendshme në angazhimin kundër çdo lloj paligjshmërie dhe forcimit të shtetit të së drejtës në vend
Sigal