Tahiri largohet drejt Gjermanisë

507
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, person nën hetim nga prokuroria për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal, ka udhëtuar dje drejt Gjermanisë, vend anëtar i hapësirës ‘Shengen’, bëri të ditur “Top Channel”. Burime konfidenciale konfirmuan lajmin për “Top Channel”, ndërsa avokati i tij Maks Haxhia ka deklaruar se Tahiri ka udhëtuar në cilësinë e një njeriu të lirë. Ky udhëtim vjen pas një heshtjeje të gjatë të ish-ministrit, që të enjten mungoi në Parlament, ku emri i tij ridoli në skenë. Ndërkohë, burime të tjera shtojnë se arsyet janë familjare. Tahiri është në hetim nga Prokuroria pas përgjimeve të familjes Habilaj, ku përmendet edhe emri i tij, si ndihmues në trafikimin e sasive të mëdha të kanabisit drejt Italisë fqinje. Prokuroria kërkoi autorizim për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, por Kuvendi vendosi të lejojë vetëm kontrollin e banesës, me pretendimin se nuk ekzistonin provat e mjaftueshme për ta prangosur Tahirin. Më pas, dy patenta lundrimi të Tahirit dhe një shumë e madhe parash (mbi 800 mijë euro), u gjetën në automjetin e një biznesmeni, i cili udhëtonte drejt Elbasanit. Biznesmeni vazhdon të jetë i arrestuar, ndërsa dosja e tij është kaluar për hetim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ai pritet të dalë përpara gjykatës në fillim të javës së ardhshme për masën e sigurisë në Apel. 
Ndërkohë, dje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda është hedhur shoqëri për vetingun ndaj tre prokurorëve. Në “sitën” e vetingut do të jenë prokurorët Gent Osmani (pjesë e grupit që heton Tahirin), Besnik Muçi dhe Gent Trenova. Osmani dhe Muçi kandidojnë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ndërsa Trenova është zgjedhur anëtar i KED. Komisionerët e veting-ut do të hetojnë dosjet e Gent Trenovës kur mbante postin e prokurorit tek Krimet e Rënda.
Sigal