Tahiri i shkruan INTERPOL-it: Anuloni urdhër-arrestin e Ramush Haradinajt

488
Sigal

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, përmes
një letre dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të INTERPOL-it, Jurgen Stock,
kërkon rishqyrtimin dhe rivlerësimin e Urdhër Arrestit ndërkombëtar për kreun e
AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili mbahet në paraburgim në Paris të Francës që
prej 4 janarit.

Duke i kujtuar se Haradinaj është udhëheqësi i
luftës së Kosovës kundër gjenocidit serb, ministri Tahiri shton se zbatimi i
urdhër-arrestit cënon parimet themelore të drejtësisë penale, si edhe të
drejtat e njeriut.

“Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të
institucionit që unë drejtoj, të shpreh konsideratën më të lartë për punën tuaj
si dhe t’Ju falënderoj për bashkëpunimin e shkëlqyer më Policinë e Shtetit
shqiptar gjatë vitit të kaluar. Nga ana tjetër, kam ndjekur me shqetësim të
madh arrestimin e ish-Kryeministrit të Kosovës, njëherazi dhe një nga
udhëheqësit e luftës së Kosovës kundër genocidit serb, z. Ramush Haradinaj, në
Paris në datë 4 janar 2017, në zbatim të një Urdhër Arresti të INTERPOL-it”,
shkruan ministri.

Ministri Tahiri thekson në letër, se zbatimi i këtij
Urdhër Arresti, cënon parimet themelore të drejtësisë penale, si edhe të
drejtat e njeriut.

“Haradinaj, subjekt i këtij Urdhër Arresti është
hetuar, gjykuar dhe gjetur i pafajshëm nga Gjykata për Krimet e Luftës në
Ish-Jugosllavi, me seli në Hagë, një autoritet gjyqësor ndërkombëtar i posaçëm
që ka marrë një vendim për pafajësinë e tij, pas një procesi të gjatë e të
drejtë, në përputhje me të gjitha normat ndërkombëtare të drejtësisë penale.
Gjykimi dy herë për të njëjtën vepër penale është në kundërshtim të hapur me
këto parime dhe në shkelje të të drejtave të njeriut, si dhe, në këtë rast, një
precedent që bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare”, vë në dukje Tahiri.

Ministri nënvizon se Urdhër Arresti ka gjithashtu
probleme formale dhe proceduriale, duke renditur 3 prej tyre. “Në këtë Urdhër
Arrest, z. Ramush Haradinaj konsiderohet ende shtetas i Republikës Federative
të Serbisë dhe Malit te Zi, entitet shtetëror i cili ka pushuar së ekzistuari që
në vitin 2006;
më lejoni gjithashtu t’Ju rikujtoj se personi subjekt i Urdhër Arrestit
ndërkombëtar në datë 6 qershor 2005 është ndaluar më parë nga autoritetet
sllovene bazuar në të njëjtin Urdhër Arresti dhe është liruar menjëherë pasi
autoritetet e kanë konsideruar atë si të pazbatueshëm;
është e nevojshme gjithashtu të rivlerësohet nëse Urdhër Arresti ndërkombëtar
plotëson kriteret e përcaktuara nga neni 3 i Kushtetutës së Interpol nga
Konventa Evropiane për Ekstradimin”, pohon ministri i Brendshëm shqiptar në
letër.