Tahiri: 21 Qershori, zgjedhjet më të mira dhe më të ndershme

509
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, gjatë fjalës së tij në seancën plenare deklaroi se zgjedhjet e 21 Qershorit ishin më të mirat dhe më të ndershmet që janë organizuar ndonjëherë në Shqipëri.
“Partnerët ndërkombëtarë panë nga afër që zgjedhjet ishin më të ndershmet dhe më të mirat që kur janë organizuar zgjedhjet puraliste në këtë vend. Qytetarëve u janë dukur “shumë të qeta për të qenë zgjedhje”, tha Tahiri
Sipas tij, këtë e kanë thënë shumica e njerëzve dhe e kanë thënë kundërshtarët tanë politikë.
“Nuk kishte mbetur njeri që nuk i perceptonte zgjedhjet si ditë stresi kolektive, por kjo gjë tashmë ka ndryshuar”, tha Tahiri.
Ministri u shpreh se meritën për këtë e kanë së pari qytetarët, duke shtuar se “fituesit e vërtetë të zgjedhjeve janë qytetarët”

Fjala e Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në seancën parlamentare – 2 korrik 2015:
I nderuar Kryetar i Kuvendit, 
Të nderuar Deputetë, 
Duke dëgjuar gjithë këtë debat për standardin e zgjedhjeve, por veçanërisht akuzat e vonuara të opozitës, më vjen t’ju ftoj e të pyesni të gjithë veten nga pak: Po mirë, a mendoni që ka njerëz që na dëgjojnë jashtë kësaj salle?
Ka qytetarë që kanë jetuar këtu përpara 21 qershorit, që ishin këtu gjatë 21 qershorit e janë këtu edhe sot të na dëgjojnë ne?
Sigurisht ka, qytetarë që e dijnë më mirë të vërtetën për standardet e këtyre zgjedhjeve. E që nuk kanë asnjë faj sot, po të drejtojnë gishtin ndaj disave prej atyre që folën këtu para meje, për t’i treguar si njerëz, që për hir të politikës së ditës janë të gatshëm të gënjejnë pa iu dridhur qerpiku, të shpifin pa respektuar asnjë standard të së vërtetës e të bëjnë për budalla veten dhe ata që i dëgjojnë.
Nuk po merrem me konstatimet e partnerëve ndërkombëtarë, që këto zgjedhje i quajtën më të qeta, më të rregullta e më të mira se çdo palë zgjedhje në të kaluarën. 
Po flas për ata partnerë që erdhën këtu, kontaktuan me të gjithë, dëgjuan edhe opozitën para gjatë e pas zgjedhjeve, por që mbi të gjitha ishin në terren duke monitoruar zgjedhjet atë ditë dhe panë nga afër zhvillimin e tyre. 
Nuk po flas për sa të tjerë që u mjafton vetëm faqja e facebook e ish-kryeministrit, për të bërë spotin e rradhës për PD. Por përtej kësaj, flas për qytetarët, që ishin këtu, në çdo cep të Shqipërisë, e që me zgjedhjet e datës 21 nuk përjetuan as stres, as tmerr e as luftë. 
Ishin thjesht zgjedhje. Më të lirat e më të ndershmet të organizuara ndonjëherë që kur në këtë vend janë organizuar zgjedhje pluraliste.
Sa qytetarë keni dëgjuar t’ju thonë se nuk po ju duken as si zgjedhje? 
Shumë të qeta për të qenë zgjedhje. Sigurisht, sepse nuk kishte mbetur më njeri që nuk perceptonte zgjedhjet ditë rrëmuje, ditë stresi kolektiv, ditë depressive, ditë kur qytetarët e perceptonin si sakrificë votimin. 
Ditë kur edhe ambasadat e huaja bënin thirrje për shtetasit e tyre këtu që të kishin kujdes, se në Shqipëri ka zgjedhje. E pra, këto zgjedhje ishin tërësisht e kundërta. 
E këtu nuk ka asnjë arsye për të mos qënë të ndërgjegjshëm të gjithë, sepse fituan të gjithë. 
Më të parët qytetarët. Ata janë fituesit e vërtetë të këtyre zgjedhjeve, më shumë se edhe vetë fituesit e çdo gare elektorale në të 61 bashkitë e vendit. 
Është meritë e tyre më së pari, që sot mund të themi të gjithë se kemi hedhur një hap të rëndësishëm përpara, duke arritur standardet më të larta demokratike për zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri. 
Ashtu siç është meritë e qeverisë, e mazhorancës dhe institucioneve në tërësi, që me vullnet institucional dhe ligjor, bënë gjithçka është e mundur për të organizuar një proces zgjedhor ku të vendoste qytetari me vullnet të lire dhe pa ndikim.
Unë besoj i mbani mend kroninat e lajmeve, ku autobuza karvan me punonjës administrate që mbushte mitingjet, listat e prezencës ku Drejtorët merrnin mungesat nën kërcënimin e rrogës, nën tmerrin e bukës së gojës. Nuk pa njeri mësues e nxënës që vërshonin mitingjeve duke lënë edhe mësimin, për të mbushur sheshet e pushtetit. 
Jo këto zgjedhje, ama. Nuk keni parë të tillë. 
Nuk pa njeri sipërmarrës të tmerruar nga taksidar e gjobaxhi që veç gjobave të pushtetit vinin dhe gjobat e fushatës. Nuk pa njeri Polici e Ushtri, sulur zgjedhjeve për të tmerruar qytetarët, për t’i marrë votën me dhunë për t’i dhunur përsëri pas zgjedhjeve.
Këtë e dini ju, e dinë qytetarët, pavërisht se nuk e thoni. 
Sigurisht që kishte probleme. Askush nga ne nuk thotë dot se këto ishin zgjedhje pa asnjë problem. 
Por nuk besoj çdo njeri me mend në kokë beson se një trashëgimi e tërë gati lufte zgjedhore, mund të çbëhej dot menjëherë në të gjithë elementët e vet, që fillon nga deputetët, Partitë, militantët që janë mësuar ti shohin zgjedhjet si luftë. Por këto zgjedhje ishin sigurisht shërbimi më i mirë që kjo mazhorancë mund tu bënte qytetarëve. 
Një qeveri e angazhuar për tu shërbyer qytetarëve, vlen atëherë kur i shërben edhe atëherë kur qytetarët vetë, mund të thonë fjalën e tyre me votë, edhe kundër saj. Për këtë arsye këto janë zgjedhjet më të lira, më demokratike, më të ndershme të organizuara ndonjëherë.
Jo për protokoll por tërësisht sinqerisht, unë dua të falenderoj të gjithë përfaqësuesit politik dhe kandidatët e partive politike në çdo bashki, e veçanërisht përfaqësuesit politik dhe kandidatët e opozitës. 
Me një pjesë të mirë të tyre kam biseduar intensivisht, për probleme të cilat shqetësonin ata lidhur me fushatën, zgjedhjet, por edhe ne. 
Dhe dua t’i falenderoj sepse besoj bashkarisht kemi dhënë shembullin më të mirë se gara mund të na ndajë, politika mund të na vërë përballë të konkurojmë, partitë mund t’i kemi në fushatë, por kur ka vullnet real për të garantuar rregullat e lojës, për të garantuar zgjedhje të ndershme, ato janë tërësisht të mundura.
Deputetet me të cilët kanë biseduar, mund të çohen këtu e të akuzojnë për standardin e zgjedhjeve, siç bënë disa, por në fund edhe ata vetë e kuptojnë se pavarësisht incidenteve të vogla, tek Qeveria dhe institucionet gjetën një partner me vullnet të plotë për të lënë garën mënjanë e për të garantuar zgjedhje të qeta e të rregullta, prej nga ku disa prej kandidatëve dolën edhe fitues, e u uroj edhe detyrë të mbarë me këtë rast.
Shfaqëm vullnetin tonë të plotë duke u angazhuar së bashku me KQZ dhe Prokurorinë për të ngritur njësi hetimore të posaçme, në gatishmëri të plotë për procesin zgjedhor e veçanërisht ditën e zgjedhjeve. 
Kjo jo vetëm rriti komunikimin dhe bashkëpunimin institucional, por bëri më të efektshëm veprimin e Policisë dhe Prokurorisë për çdo rast që kërkonte trajtim, veçanërisht ditën e zgjedhjeve. 
Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile u angazhua tërësisht për shmangien e dublimeve në lista dhe përditësimin e tyre.
U gjeneruan në kohë listat e reja të votuesve sipas 61 Bashkive të reja, të cilat u monitoruan ngushtësisht nga përfaqësuesi i opozitës në çdo hap të procesit, ashtu siç u monitoruan për herë të parë në historinë e zgjedhjeve edhe nga vetë auditori i KQZ. 
Numri i dublimeve në listat zgjedhore krahasuar me zgjedhjet e kaluara u reduktua 91%. Falë punës sonë, reduktuam dublimet në këtë masë.
Për këtë arsye, kjo është hera e parë që nuk ka asnjë ankesë të vetme për votues që nuk gjejnë emrin në listë, që për rrjedhojë nuk votojnë dot, apo për votues me emrin dy here a më shumë herë në lista e që për rrjedhojë votonin dy here, a më shumë herë. 
Histori të kaluara, të zgjedhjeve të kaluara, të qeverive të kaluara. Dhe qytetarët kanë memorie të mbajnë mend. 
Dua t’ju bëj me dije, se kishte vetëm 3 ankesa për regjistrime elektorale të zgjedhësve. Do të thotë zgjedhës që për qëllim të votimit ndryshojnë vendbanim brenda afatit ligjor. 
Policia e Shtetit dhe Prokuroria kanë nisur menjëherë hetimin penal, kryesisht ose me ankim, për të çuar para drejtësisë këdo që mund të ketë shkelur ligjin. 
Institucionet vepruan, bënë detyrën, Policia e Shtetit nisi hetimet, Prokuroria po vijon hetimet, pa marrë parasysh në favor të kujt Partie apo kandidati janë regjistruar këta zgjedhës. 
Dhe ky është sigurisht standard i arrirë zgjedhor, krahasuar me të kaluarën, kur shkuleshin institucione të tëra nga një zonë në tjetrën vetëm për të votuar për pushtetin, dhe kur ankesat legjitime të Partive dhe kandidatëve binin në vesh të shurdhët, pa hetuar njeri e madje pa lëvizur njeri gishtin qoftë edhe për të treguar të paktën të dukej sikur institucionet po bënin punën e vet. 
Ndaj për këtë arsye, dua të falenderoj të mbi 7.000 punonjësit e Policisë të cilën garantuan në mënyrë tërësisht profesionale procesin zgjedhor në të gjitha fazat e zhvillimit të tij. 
Janë regjistruar më pas se 5 procedime penale, ndër të cilat njëri me iniciative të vetë Policisë. Janë arrestuar 2 shtetas, Komisioner të një QV, dhe 8 shtetas të tjerë ndiqen në gjendje të lirë.
Në vetëm 5 Qendra Votimi është kërkuar ndihma e Policisë nga Komisionet e QV, dhe kjo për të garantuar rregullin për shkak të rradhëve të gjata dhe masive të votuesve. 
Ashtu siç sot vazhdon puna së bashku me Prokurorinë për hetimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë të çdo personi që ka shkelur ligjin gjatë procesit zgjedhor.
Po kështu ka vazhduar edhe procesi i numërimit, kryesisht pa incidente dhe pa probleme që mund të cënonin standartet e përmbushura të procesit zgjedhor. 
Kjo është përsëri një shenjë e qartë e vullnetit insitucional për të lënë shqiptarët të shprehin bindjen e tyre me votë. 
Sepse kështu fitojmë të gjithë më shumë, opozita, sigurisht mazhoranca, e mbi të gjitha qytetarët. 
Siç ishte e vërtetë dje se një Qeveri që qeveris keq, i duhet të manipulojë zgjedhjet, ashtu është e vërtetë sot, se kur qeveris për t’i shërbyer qytetarëve, nuk ka pse të mos i shërbesh përsëri për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. 
Siç ishte e vërtetë dje, se një Qeveri e zhytur në korrupsion, i duhet të korruptojë dhe të vjedhë edhe zgjedhjet për të vazhduar korrupsionin, ashtu është e vërtetë sot, se kur qeveris për ta bërë vendin më të drejtë, më të lirë e më demokratik, duke i dhënë zë qytetarëve, e duke garantuar që zgjedhjet të jenë tërësisht të lira e të ndershme.
Kam dëgjuar akuza nga më të çuditshmet këto kohë, për banda, disa të armatosura, lidhur me manipulime, që kanë dhunuar zgjedhësit e kanë vjedhur zgjedhjet. 
Unë ju sfidoj të më thoni një emër të vetëm, të denoncuar apo qoftë edhe thjesht të përmendur, që nuk i është nënshtruar hetimit të policisë, duke marrë përgjigje ju dhe qytetarët në kohë rekord.
Ju marr shembuj një foto që nxorrët një mjet policie, dhe thatë se po shkonte në një aktivitet politik, dhe nuk morët mundimin të shihnin as lajmet ku ishin mediat, sepse ishte një aktivitet për sezonin turistik, dhe aspak elektoral në Lezhë.
U morët me një aksident, me një person që pasi kishte pirë alkool, doli nga rruga. E sajuat, sikur një mjet i kishte rënë nga pas. Edhe vetë Kryetari i SHQUP që shkoi në spital, nuk guxoi të thoshte asnjë fjalë për media, pasi edhe vetë i aksidentuari edhe familjarët e pranuan se ishte aksident prej alkoolit.
Dolët në Durrës dhe thatë se është rrahur gruaja e një aktivisti të PD, për shkak të zgjedhjeve. Por vetë gruaja, deklaroi se kishte probleme të vetat dhe ishte proceduar 2 herë të tjera më herët, për shkak të grindjeve për një ndërtim pa leje. 
Ka vetëm një gjë më të keqe sesa gënjeshtari, ku është gënjeshtari hipokrit. Këto i keni bërë vetë në qeverisje në fakt. 
Në një kohë kur në zgjedhjet e kaluara edhe drejtuesit më të lartë të policisë i futeshin fushatës, nga faqet e FB deri te aktiviteti personal e institucional, kësaj rradhe Policia ka qënë diametralisht e kundërta, duke garantuar zgjedhjet, pavarësisht cila Parti është në Qeveri, e cila në opozitë. 
Edhe ushtria lëshohej në fushatë, me ndërtim urash e hapje rrugësh, jo më Policia. Kësaj rradhe jo, sepse i gjithë aparati shtetëror ka pasur vetëm një objektiv. 
T’i shërbente qytetarëve nëpërmjet zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Dhe ky nuk është aset i qeverisë, as i mazhorancës, por i të gjithë ne. Sepse është i të gjithë qytetarëve. Unë nuk shoh arsye pse e ndjeni veten të fyer, por të bashkoheni me ne. 
Dua të bëj edhe një sqarim për dy deklarata të PD-së lidhur me shtetasin Frroku që është larguar nga Shqipëria, medemek se i hapi rrugën Edi Rama.
Pas vendimit të Shkallës së Parë të Gjykatës së Krimeve të Rënda, sipas të cilit shtetasi ishte i pafajshëm dhe si i tillë i lirë, Z. Frroku nuk kishte asnjë ndalim ligjor nga askush për të lëvizur lirshëm në vend e jashtë vendit. 
Në pikën kufitare në kufin shqiptar, ky shtetas është rregjistruar si të gjithë shtetasit e tjerë, në regjistër manual për shkak se sistemi TIMS nuk funksiononte prej disa orësh.
Rregjistri është aty, mund të shihet nga të gjithë, e në qoftë se PD-ja ka ankesë për këtë, mund t’i drejtohet Prokurorisë duke ia kursyer edhe vetes mundimin e deklaratave tërësisht spekulative.
Policia ka bërë verifikimin e statusit të shtetasit dhe pasi është verifikuar, është lejuar të udhëtojë. Po kështu është bërë ndalimi edhe në një pikë të kalimi kufitar jashtë Shqipërisë, ku policia e atij shteti ka komunikuar me Interpol Tiranën, e cila pas komunikimit me Prokurorinë e Përgjithshme dhe pas verifikimit, është lejuar edhe atje të kalojë. 
Këto ishin zgjedhjet më të mirë në 25 vitet e fundit, e nëqoftëse ka humbës në rezultat, që zgjedh rrugën e bërjes pis të procesit zgjedhor, kur ky është çertifikuar i tillë nga partnerët ndërkombëtarë, nga insitucionet në vend, nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vëzhguesit vendas, por mbi të gjitha kur gjerësisht njihet si i tillë nga qytetarët, humbësi humb dy herë. 
E kjo nuk i duhet askujt. As ju. As ne. Dhe natyrisht as qytetarëve. 
Ne jemi të vetëdijshëm se ajo që duhet të bëjmë është gjithmonë më shumë se ajo që kemi bërë, ndaj jemi të angazhuar të bëjmë akoma më shumë punë që zgjedhjet e ardhshme të jenë shumë më të mira, të lira e të ndershme.
Të vendosur të mbajmë shënim gjetjet e raportit të ODIHR dhe të ndërtojmë mbi to një plan pune në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të jenë akoma dhe më të mira se këto. 
Sigal