Tahir Muhedini: Burgjet  tona sot janë të tejmbushura nga e keqja e qeverisjes

502
Sigal

Presidenti i PDIU-së, deputeti Tahir Muhedini në intervistën për “Telegraf”, edhe pse është i rezervuar të bëjë kritikë ndaj qeverisjes të së Majtës, në këto 18 muaj, pasi ka ende kohë, pohon se tejmbushja e burgjeve tona vjen nga e keqja e qeverisjes. Duke marrë shembull se arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Vlorës nuk përbën modelin e shtetit të së drejtës, zoti Muhedini thotë se kur forca e shtetit nuk mbështetet në ligj, atëhere kemi anarshi. Deputeti i PDIU-së, Muhedini  pohon se ata janë në aleancë me PD-në, por heshtja e tyre në kritikat ndaj qeverisë,  ka dëmtuar vetë PDIU-në dhe është koha për autoritikë. Edhe një herë, deputeti Çam thotë se partitë në Shqipëri nuk kanë një bashkim force në çështjet kombëtare. Për kryetarin e ri të PD-së, zoti Muhedini shprehet se pos jell një model europian në politikën e Shqipërisë.

-Zoti Muhedini, ju dhe PDIU-ja si e vlerësoni performancën e qeverisjes së Majtë në këto 18 muaj?

– Nuk ka bërë atë që pritshmëri që kishim të gjithë, si politika, si edhe populli. Nuk ka hapur vendet e punës, që populli prêt, ka problematika në ministritë e ndryshme. Ndaj them që performanca e qeverisë nuk është ajo që duhej. Ja shiko tani. Qeveria deri tani nuk ka bërë asgjë për të përmbyturit. Është e turpshme që të ndahen edhe ato pak ndihma, me kritere bindjesh poltiike,  po të jetë i përmbyturi  i majtë ta marrë ndihmën, por, po  të jetë i djathtë, të mos e marrë!

– Janë shkaqe subjektive që performance e qeverisë është e dobët?

– Kjo maxhorancë u votua që të  qeverisë në mënyrë korrekte për të gjithë shqiptarët dhe  erdhi në pushtet nga gabimet e qeverisë së mëparshme. Kjo qeveri po ecën me mentalitetin, që gjërat ishin kështu, ndaj vazhdojnë kështu. Nuk kemi pse të fshihemi. Ekonomia nuk ka ngritje, mirëqënia nuk është përmirësuar, nuk ka arritur të konkretizojë ato premtime që dha në elektorat. Performanca e administartës shtetërore lë shumë për të dëshiruar. Kjo qeveri ka marrë përsipër të bëjë hapa shumë të mëdha, por që nuk bën dot as hapa të vegjël përpara. Përshembull, këtu flitet që kush nuk paguan dritat, do të hyjë në burg. Kjo qeveri nuk ka ardhë që të burgosë popullin. Për mospagesat e energjisë elektrike, kjo qeveri bën një hap të gabuar me vendimet e saj. Në rradhë të parë, duhet të dënohët administrate shtetërore, që ka lënë qytetarin të mos paguajë në vite energjinë. Si vjen tani qeveria dhe i vë thikën në fyt qytetarit e t’i kërkojë borxhin, që administrata shtetërore nuk ia mori në 10 vjet? Edhe ai sistem diktature që rrëzuam, po të donte atëhere, i kishte futur të gjithë qytetarët në burg, por nuk e bëri, sepse edhe diktatura ka patur arësye që populli nuk futet i gjithi në burg. Sot burgjet janë të tejmbushura, e të ndodhë kjo gjë në demokraci, unë këtu e shikoj të keqen e qeverisjes. Bindjen ndaj ligjit, qeveria, së pari, duhet ta kërkojë te administrata e shtetit, e jo kjo të jetë arësyeja që të burgosësh qytetarët.

– Sot që flasim, a mund të pohojmë që krimi është i lidhur me politikën?

– Situata me shpërthimet e sotme që bëhen, janë shqetësuese për këdo. Nuk mund ta ndajmë që është e Majta në pushtet dhe e ka fajin kjo qeveri. Këto akte kriminale terrorizojnë edhe popullin, por strukturat e shtetit duhet të gjejnë arësyen përse ka ndodhur. Kur të gjejmë arësyet pse ndodhën, atëhere le të flasim, a janë të lidhura këto krime me politikën.

– Megjithatë, opozita këmbëngul, duke thënë që krimi është i lidhur me qeverinë. Po ju e ndani këtë mendim?

– Opozita thotë që kanë ndodhur shumë raste, që nuk duhet të kishin ndodhur. Unë them që gjërat duhen marrë me qetësi, sepse po të thuash gjërat janë të lidhura me politikën, mbyllen që këtu hesapet dhe strukturat e shtetit thonë, që, derisa krimet janë të lidhura me politikën, e lënë këtu punën. Duhet të  mësohemi, që të lëmë të flasin strukturat e shtetit dhe  ne politikanët, të mos e kalojmë fjalën tonë. Kemi rastin e kryetarit të Bashkisë së Vlorës. Ai sapo mori pafajësinë në gjyq, por pa pyetur e pa menduar, e riarreston për një leje që janë shtuar 3-4 kate. Unë pyes: A është ky  krim i rëndë, që një kryetar bashkie, duke qënë në krye të detyrës, të arrestohet? Forcën e ka shteti, por kjo forcë duhet të zbatohet në respekti të ligjit. Nëse ka forcë, por nuk respekton ligjin, atëhere jemi në anarshi.

– Jemi në anarshi?

– Kur jemi në anarshi, do dëgjojmë edhe këto shpërthime, do dëgjojmë edhe gjëra të tjera.

– A e respekton shteti ligjin?

– Strukturat e shtetit kanë lënë gjithmonë për të dëshuar për punën që kryejnë. Administrata e shtetit ka humbur komunikimin korekt me qytetarin dhe e detyron ta çojë të kompromentimi, që po nuk e pagove zbatohet ligji dhe po pagove nuk zbatohet ligji. Po të  vazhdojë kështu, edhe  kjo qeveri, duhet të iki. Kur shteti e lë qytetarin në vite të ndërtojë pa leje, se i merr nëpunësi i shtetit lekët në xhep, dhe tani ty si shtet, pas shumë vitesh ia prish me forcë pronën, këtu nuk e ka fajin qytetari, që nuk ka zbatuar ligjin.

Përse harxhojmë shumë energji, maxhorancë-opozitë për akuza dhe ndërakuza dhe nuk përpiqen të bashkëpunojnë, që të zgjidhin problemet?

– Kjo përgjigje më mundon edhe mua si deputet. PDIU-ja ka një program të veçantë nga gjithë partitë e tjera. Ne kemi themel çështjen kombëtare, zgjidhjen e problemit Çam. Me këtë agresivitet të politikës, nuk mbetet kohë jo të diskutosh për çështjet kombëtare dhe Kombin, por ne hamë njëri-tjetrin, për këtë karrike. Kjo maxhorancë, kur ishte në opozitë e nxinte çdo gjë. Nëse edhe ne, si opozitë, vazhdojmë të nxijmë çdo gjë, por në fakt nuk është bërë ndonjë gjë, që ta nxijmë, do të mbetemi në vend. Prokurorinë, gjykatën, duhet t’i lëmë, të mos ndërhyjë politika. Nuk mund të themi që gjithçka është e korruptuar, sepse çfarë morali do të ketë nëpunësi, pastaj, që të punojë? Pastaj, a mundët më që qytetari t’i besojë më këtij nëpunësi? Nëse nëpunësi nuk është i sigurtë për vendin e punës, nëse ikën një qeveri e vjen tjetra, si mund të pretendosh se do zbatohet ligji?

– Përse forcat tona, politike, ndahen edhe për çështjet e mëdha kombëtare?

– Si duket, ka ardhur një mikrob nga jashtë, që sëmurë politikën edhe për të mbajtur një qëndrim unik për çështjet e Kombit dhe të shqiptarizmit. Para çështjet kombëtare, nuk vlen as PD-ja dhe as PS-ja.

– Si do ta vlerësonit PD-në postBerisha?

– Kjo opozitë e PD-së me zotin Basha është krejt tjetër nga opozita e mëparshme. Basha ka dhënë një mentalitet të ri, politikës shqiptare. Mjaft me sharje, por ka qënë kritikë dhe ka sjellë një qytetari në politikëbërje.

– Qeveria Cipras, a do të ketë një tjetër ndikim  në marrëdhëniet e deritanisheme Shqipëri-Greqi?

– Unë dua që marrëdhëniet Greqi-Shqipëri, të jenë sa më të mira. Para 10 vjetësh, qeveria greke ishte instaluar në Shqipëri komplet. Vetëm kryeministri na mungonte të ishte grek. Ekonomia varej nga Greqia. Cipras dhe kushdo Cipras që të vijnë, ata të gjithë kanë idenë e megallomanisë, që ta pushtojnë Shqipërinë. Qeveria jonë ishte zotuar që çdo 6 muaj, do të raportonte në Parlament për çështjen Çame, por deri tani nuk e ka bërë.

– Po edhe ju, të PDIU-së, nuk e keni ngritur këtë problem.

– E thashë, ndaj bëjmë kritikë. E lamë, që të bëjë punën, por qeveria deri tani nuk ka raportuar asnjëherë për çështjen Çame.

PDIU është në aleancë me PD, por bëjmë autokritikë për heshtjen tonë

– Në zgjedhjet vendore,  PDIU-ja, do të dalë më vete?

– Partia jonë ka bërë një zgjedhje, që kur është formuar. Që nga 2005-sa e deri më sot jemi në aleancë me PD-në. Sot jemi prapë me PD-në. Kemi dëgjuar, që thonë, ikëm andej e këtej. Ne këtu jemi, as kemi ikë dhe as që do ikim.

– Do të keni kandidatura të përbashkëta me PD-në?

– Ne sot, si PDIU, jemi pak të vonuar. Ka ardhur koha, momentet janë në limit, që ne duhet të fillojmë të angazhohemi me strukturat dhe të marrim vendimet me kandidatë të përbashkët, apo si do të bëjmë. Nuk mund të flas, pa marrë vendime kolegjiale.

– Po kritikat tuaja ndaj qeverisjes përse kanë munguar?

– Të jemi korrektë, nuk kemi qenë kritikë. Ndaj, kjo heshtje nuk ka shërbyer, as për ne vetë, për mirë. Ky lloj hutimi, as andej dhe as këtej, që shprehet gjithmonë nga ju, dhe heshtja jonë ka krijuar iluzione. Është kjo një autokritikë nga ne, që kemi qenë në heshtje karshi qeverisë. Por, kemi patur mendimin, që ta lëmë qeverinë të punojë, një-dy  vjet. Por unë doja që për çështjet komëtare, të dy forcat duhet të jemi bashkë.

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA