Tabuja e legalizimit të hashashit, Shqipëria harxhon 3 milionë euro në vit për të burgosurit nga hashashi

1105
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Kanadezët dalin të festojnë ditën e parë me hashash. Efekte pozitive te të sëmurët me Alzheimer

Shqipëria harxhon 3 milionë euro në vit për të burgosurit nga hashashi, të cilat mund të investohen në shkolla, në spitale publike, në ndihmë sociale. Dhe, hiqet edhe pjesa e mafies, sepse, tani që është ilegal, keni edhe mafien e hashashit, vjen edhe kokaina, edhe heroina, edhe trafikantët e drogës.

A duhet ta legalizojë Shqipëria hashashin?

Është tabu, që hashashi të cilësohet si drogë, është ashpërsuar Kodi Penal, mjafton një rrënjë e kultivuar hashash, apo qoftë edhe një cigare hashash dhe dënohesh me vite burg. Në një kohë, që kultivimi i hashashit në Shqipëri ka sukses, si nga kushtet klimaterike, ashtu edhe nga fitimi i përvojës në kultivimin dhe përpunimin e saj. Hashashi në Shqipëri, ndonëse, sipas tabusë, cilësohet krim, u kultivua në zonat kodrinore dhe malore, aty ku bujqësia jonë është e prapambetur, tokat të pakultivuara nga bimë të tjera për shumë arsye. Nëse shteti ynë do të thyejë tabunë dhe do ta legalizojë, ligjësojë kultivimin e hashashit për qëllime farmaceutike, por edhe për përdorime, me kushte, atëherë, së pari do të zhduket fenomeni i trafikimit dhe krimit, por fshatarët dhe shteti do të sigurojnë të ardhura shumë të mëdha. Fshatarët do të kultivojnë hashashin, sepse ka kërkesa shumë të mëdha në treg, por edhe shteti do të përfitojë nga taksat, si edhe nga shpenzimet që do kursejë nga mosburgimi i kultivuesve dhe përdoruesve të hashashit. Janë 3 milionë euro në vit, që shteti harxhon për të burgosurit nga hashashi.

Mark Krauford, Kryetar Dhomës Amerikane të Tregëtisë Për gazetën “Telegraf”

Unë them jo të legalizohen lekët nga ata që trafikojnë, por kultivimi i hashashit të legalizohet, sepse hashashi përdoret edhe për industrinë farmaceutike, mund të ketë më pak dëme sesa duhani dhe alkooli për shëndetin e njerëzve. Unë nuk them që është i keq apo i mirë që të përdoret hashashi për t’u pirë, por unë mbroj idenë, që jo të gjitha gjërat duhet të jenë kundër ligjit. Unë jam i mendimit që një përdorues i hashashit duhet të çohet në spital, jo në burg. Siç çojmë në spital një që ka varësi nga alkooli dhe duhani, edhe atë që ka varësi nga hashashi ta çojmë në spital, sepse dëmi është më i pakët sesa nga duhani dhe alkooli. Duhet të shikojmë me gjykim tjetër, siç ndodh në Kanada tani dhe disa shtete të SHBA-së që legalizohet. Nëse vërtet kjo veprimtari, (kultivimi i hashashit ka lekë) dhe ti si shtet e ke të pamundur ta ndalosh plotësisht kultivimin e hashashit, unë them atëherë që më mirë është ta legalizosh, sepse e ke të pamundur ta ndalosh me luftë, por duhet të përdorësh mjete ekonomike, taksat, informacionet, që të përfitosh dhe të ulësh edhe krimin, siç u bë me duhanin. Të shkruash, të informosh, që është e rrezikshme për shëndetin, por ta legalizosh e të fitosh. Duke e legalizuar, do të ulësh kriminalitetin, por do të rritësh edhe të ardhurat. Tani Shqipëria duhet ta vendosë se çfarë duhet të bëjë me hashashin. Në Amerikë e kanë legalizuar për prodhim, duke hequr pjesën e drogës dhe e bëjnë ilaç dhe e eksportojnë dhe mund të jetë shumë fitimprurës edhe për njerëzit, edhe për shtetin dhe, njëkohësisht, hiqet edhe problemi i burgut. Shqipëria harxhon 3 milionë euro në vit për të burgosurit nga hashashi, të cilat mund të investohen në shkolla, në spitale publike, në ndihmë sociale. Dhe, hiqet edhe pjesa e mafies, sepse, tani që është ilegal, keni edhe mafien e hashashit, vjen edhe kokaina, edhe heroina, edhe trafikantët e drogës.

Kanadaja festoi ditën e parë të legalizimit të hashashit

Këtë të mërkurë, Kanadaja u bë tregu më i madh në botë për marijuanën e ligjshme, pasi u pranua kërkesa e kryeministrit vendas, Trudeau, për ta legalizuar. Me qindra kanadezë u mblodhën në rrugë për të festuar, duke ndezur cigare e duke tymosur nën shoqërinë e njëri-tjetrit. Në disa prej dyqaneve ku është lejuar blerja janë vënë re radhë të gjata, të tjerëve u ka mbaruar stoku shumë shpejt. Festimet u bënë në shumë shtete, që nga Alberta e deri në Kebek.

Hashashi në mjekësi/ Efekte pozitive te të sëmurët me Alzheimer

Kanabisi, një drogë me nam të keq, gjithmonë e më shumë po gjen përdorim në mjekësi si mjet kundër dhimbjes, e shpresat janë edhe për një efekt pozitiv të tij tek personat që vuajnë nga Demenca. Në kohën kur Kanadaja u bë vendi i dytë i botës që e legalizoi përdorimin rekreativ të lëndës narkotike, ekspertët e Universitetit të Bonit tregojnë se eksperimentet e bëra tek minjtë, dëshmuan një ndikim të qartë të marijuanës në ngadalësimin e procesit të plakjes së trurit. Studiuesit e Institutit për Psikiatrinë Molekulare pranë këtij universiteti vunë re përmirësim të funksioneve të trurit tek minjtë e vjetër pas dhënies së një dozë të vogël të lëndës përbërëse të kanabisit THC, thuhet në revistën “Nature Medicine”. Drejtori i Institutit, Andreas Zimmer nuk e fsheh optimizmin se e njëjta gjë mund të ndodhë edhe tek njerëzit. Për këtë do të nisë shumë shpejt një studim klinik me persona të moshuar në Bonn. Studiuesit duan të dinë, nëse THC ka ndikim në funksionet e trurit të njerëzve me demencë në stadin e parë apo në fillimet e Alzheimerit. Edhe në Izrael studiuesit janë marrë me kërkime të shumta mbi efektin e kanabisit dhe kanë dalë në përfundime pozitive.