Tabaku: Qeveria kanabizoi zgjedhjet dhe ekonominë

436
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, flet për lëvizjen për zgjedhje të lira e të ndershme, marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe gjendjen ekonomike

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, shprehet në një intervistë për “Telegraf”, se opozita ishte e bindur që beteja për zgjedhje të lira e të ndershme nuk do të ishte e shkurtër. Ajo flet për 6 javët e para të lëvizjes për zgjedhje të lira e të ndershme, si dhe për gjendjen aktuale ekonomike. Tabaku fajëson qeverinë dhe politikat e saj si dëmtuese të ekonomisë vendase, ndërsa nënvizon se asnjë e mirë nuk të vijë nga paratë e siguruara prej mbjelljes e trafikimit të drogës.

Opozita po proteston prej 6 javësh në kërkim të një qeverie teknike si kusht për hyrjen në zgjedhje. Kur PD mori këtë vendim më 18 shkurt, mendonit se do të ishte një betejë kaq e gjatë, së cilës ende nuk i dihet fundit?
“Askush nga ne nuk ka menduar që beteja për zgjedhje të lira do të jetë e shkurtër dhe e shpejtë, një mendim i tillë do të ishte naiv, sidomos përpara një kryeministri që pushtetin e konsideron një veshje që i takon veç atij. Kushdo që ka qenë i vëmendshëm në 4 vitet e qeverisjes aktuale ka dalluar lehtësisht këmbënguljen e vazhdueshme të opozitës për të ndrequr një qeveri, e cila nuk ka pasur si qëllim primar qytetarin. Vendosja e çadrës në mes të godinave ku qëndrojnë bashkëkryetarët e qeverisë është hapi i fundit përballë një mazhorance që nuk respekton institucionet dhe që nuk ka ndërmend të respektojë as demokracinë. Fundi i kësaj beteje të drejtë dhe në shërbim të së ardhmes sonë të përbashkët është i qartë; qeveri teknike që do të mundësojë kryerjen e zgjedhjeve brenda rregullave më minimale të demokracisë”.

Palët politike duken të ngurta në pozicionet e tyre. Çfarë ka ndryshuar në këto 6 javë protestë? Çfarë ka arritur opozita deri më tani?
“Në 6 javë qeveria ka shkarkuar 4 ministra dhe dy prej tyre janë ministra që janë akuzuar nga opozita. Ish-ministri i Shëndetësisë Beqaj është akuzuar për koncesione abuzive të shpërndara në kompanitë e oligarkëve të qeverisë, gjithashtu ka përfituar indirekt nga paratë e shqiptarëve përmes kompanisë së tij INTECH+. Ish-ministri i Rendit, Tahiri, është akuzuar me fakte jo vetëm për lidhjet e tij me trafikimin e drogës, por edhe si një nga personat kyç me të cilin lidhet prodhimi i hashashit në vend. Jo vetëm kaq, qeveria më në fund ka pranuar që droga është problem, ndërkohë që deri disa muaj më parë ajo mohonte kategorikisht ekzistencën e drogës. Mirëpo, raportet e DASH, EUROPOL si dhe deklarata e kreut të Anti-mafias ishin një tjetër provë se argumentet e opozitës dhe medias ndërkombëtare qenë të sakta ndaj për rrjedhojë edhe konkluzionet. E më e rëndësishmja sot lajmi i ditës është protesta e opozitës e cila ndihmoi të rikthejë vëmendjen tek zgjedhjet e tek dekriminalizimi. Sa më sipër janë disa nga arritjet më të rëndësishme të një opozite, e cila në mungesë alternativash institucionale, ka vendosur të detyrojë qeverinë përmes protestës së përditshme popullore. Sot, shohim një mazhorancë të zbehur, një qeveri të këputur, e cila nuk ka mbajtur qoftë edhe një premtim të madh elektoral”. 

A ka një betejë, mospajtim apo mungesë dakordësie mes opozitës dhe faktorit ndërkombëtar?
“Nuk ka asnjë betejë apo mungesë dakordësie mes faktorit ndërkombëtar dhe opozitës! Për një kohë të gjatë qeveria përpiqet të retushojë deklaratat e faktorit ndërkombëtar, duke u përpjekur të prodhojë një mesazh ndryshe nga reali. Jo pak herë ia ka arritur që të prodhojë një mesazh të rremë apo qoftë edhe fakte alternative përmes këtyre metodave tërësisht diabolike, kjo falë edhe kontrollit të mediave. Rasti më i freskët është postimi i kryeministrit Rama në faqen e tij në ‘Facebook’ të gjysmës së pikës së rezolutës së Partive Popullore Evropiane. Nëse ai do të postonte të gjithë pikën e përgjysmuar do të lexonim se ajo përmbante edhe kërkesën imediate për dekriminalizimin e politikës. Personi i vetëm që ka një problem me faktorin ndërkombëtar është kryeministri, i cili përditë shikon se si raportet e institucioneve më me peshë në BE dhe SHBA janë të alarmuar nga inkriminimi i politikës, droga dhe korrupsioni. Por ai sërishmi me kokëfortësinë e tij vazhdon të këmbëngulë në të tre këto probleme, duke e zhytur vendin dhe shoqërinë më thellë në krizë e duke gënjyer partnerët tanë ndërkombëtarë”.

Në një klimë të tensionuar politike vëmendja shkon pak ose aspak te ekonomia. A rrezikon vendi të ndjejë efekte negative në ekonomi nga tensioni politik?
“Për katër vjet me radhë vendi ka ndjerë efektet negative nga politikat fiskale dhe ekonomike të implementuara nga mazhoranca. Në fund të katër viteve shqiptarët paguajnë 1.5 mld USD më shumë taksa, kanë sistemin e transportit rrugor dhe hekurudhor më të dobëtin në rajon, gëzojnë investimet më të ulëta të huaja në rajon dhe paguajnë dy herë më shtrenjtë se sa vendet e Bashkimit Evropian ushqimet e përditshme. Këtu nuk duhet harruar edhe mbjellja e vendit me drogë, si dhe shndërrimi i Shqipërisë në tranzit të kokainës dhe heroinës në sasi të mëdha ka ndikuar negativisht, jo vetëm në shfrytëzimin e resurseve natyrore. Evidentimi nga EUROPOL dhe DASH si një vend burim i hashashit përkeqëson imazhin e vendit në sytë e kompanive të huaja, lidhja që qeveritarët kanë sot me krimin e organizuar, si dhe inkriminimi i institucioneve më të larta demokratike përçon mesazhin e një qeverie kartel droge. Një qeverie që funksionin e saj primar ka prodhimin e drogës dhe fuqizimin e bandave. Janë këto elementët negativë që kanë ndikuar dhe sot rëndojnë më shumë në ekonominë e vendit, duke tensionuar deri në këtë pikë kritike opozitën dhe demokracinë”. 

Sa mund të dëmtohet ekonomia, nëse mbajmë parasysh se ndodhemi edhe para një fushate elektorale?
“Dëmi ekonomisë sonë i është shtuar me doza të forta, por që janë përfolur më pak si pasojë e skandaleve më të mëdha, përgjatë katër viteve. Implementimi i politikave fiskale, mungesa e investimeve, trajtimi i gabuar i pronës dhe pasurive tona natyrore ka prodhuar një ambient të keq për bizneset. Këto të fundit kanë katër vjet që nuk trajtohen as si partner dhe as si taksapagues nga qeveria, duke qenë vetëm pre e taksave, tarifave dhe represioneve qeveritare. Bankat e nivelit të dytë dhe likuiditeti i madh që ato kanë janë një tregues i parë edhe i fortë i kësaj gjendje. Borxhi i rritur tatimor si dhe mbyllja e 27 mijë bizneseve vetëm vitin e shkuar janë tregues i gjendjes reale sot. Duke pasur parasysh se Rilindja nuk ka plotësuar qoftë edhe një premtim të madh në fushën e ekonomisë, qeveria ka nisur faljen e borxheve dhe gjobave që po vetë ajo ka vendosur vite më parë. Tentativë për të hedhur hi syve të sipërmarrësve vetëm e vetëm që këto të fundit të harrojnë tarifat dhe taksat e ngritura pa i pyetur kurrkush. Prandaj, në gjykimin tim ekonomia sot nuk është edhe aq e dëmtuar nga kriza politike që mazhoranca ndjen si pasojë e protestës së opozitës apo problemeve të saj të brendshme. Ekonomia është e gjymtuar sot, sepse Rilindja ka ushtruar me përpikëri dhe gjakftohtësi operacionin e tmerrshëm të shkatërrimit të ekonomisë dhe sipërmarrjes, frytet e këtij operacioni po i prekim sot ndaj duhet ndërhyrë shpejt për të shpëtuar”.

A është PD e gatshme për një fushatë elektorale në kuptimin e përgatitjes së programit dhe alternativave qeverisëse?
“Partia Demokratike e ka programin e saj dhe një pjesë e ka prezantuar, si në media, ashtu edhe tek grupet e interesit. Në fokusin e programit të PD-së gjendet ulja e taksave, heqja e barrierave të shumta fiskale dhe legjislative që pengojnë hapjen dhe mbylljen e bizneseve, krijimin e një klime për rritjen e bizneseve novatore si dhe implementimin e kritereve të Maastricht-it sa i takon borxhit dhe deficitit buxhetor. Gjithashtu premtojmë ritrajtimin e pronës dhe kthimit të saj duke evidentuar se me rëndësi jetike në një ekonomi tregu është prona. Zëvendësimin e Ligjit të Arsimit të Lartë! Sakaq, premtojmë të investojmë në fushat kryesore si bujqësia, inovacioni teknologjik dhe sistemet e paneleve diellore. Pa harruar edhe investimet në rrugët kryesore që do të mundësojnë kontaktin dhe komunikimin e shqiptarëve në të gjithë cepat e vendit. Sot, ne jemi vendi i fundit në rajon për komunikim. Në fokusin e programit të PD është liria ekonomike, si premisa kryesore për të realizuar aderimin në Bashkimin Evropian dhe për të përmirësuar situatën ekonomike në të cilën ndodhemi”.

Analistë të ndryshëm nënvizojnë se paratë e siguruara nga kultivimi e trafikimi i drogës, ndër të tjera, janë edhe një burim financiar për ekonominë vendase. E ndani edhe ju këtë qëndrim?
“Unë jam e bindur që asnjë e ardhur e siguruar nga një vepër penale nuk mund të jetë burim i dobishëm për ekonominë e një vendi. Asnjë e ardhur e siguruar nga droga (mbjellja apo transporti i saj) nuk mund të sigurojë një treg të lirë dhe mundësi të barabarta për sipërmarrësit. Sot, ne po vuajmë një gjendje ekonomike dhe financiare që po shtyn shumë qytetarë të punësohen si skllevër në plantacionet e hashashit për të siguruar një burim të ardhurash, por duke i rënduar vetes sëmundje dhe probleme të tjera sociale. Një e ardhur e tillë, provuar edhe në vende të tjera të botës, do të prodhojë më shumë kriza shoqërore se sa krijimin e një ekonomie dhe shoqërie të shëndetshme. Mjafton t’ju sjell shembullin e Kolumbisë, grupet kriminale dhe kartelet e drogës kanë skllavëruar me mijëra qytetarë, duke i dhunuar për të punuar në plantacionet e tyre për një shumë qesharake të ardhurash. Të ndërtosh një ekonomi të tillë do të thotë të skllavërosh në mënyrë çnjerëzore qytetarët dhe të shkatërrosh një shoqëri”.

“Telegraf”
Sigal