Tabaku-Ekonomit: Ja çfarë duan investitorët e huaj të vijnë në Shqipëri

488
Sigal

Një investim prej 5 miliardë dollarësh i pretenduar nga qeveria Rama për tu bërë në bregun e Karpenit të Kavajës ka sjellë një debat të ri mes opozitës dhe mazhorancës. Një ditë më parë, deputetja demokrate Jorida Tabaku kërkoi transparencë në lidhje me këtë projekt, por ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi u përgjigj vetëm duke thënë se, opozita është kundër investimeve.

Deklarata e deputetes Tabaku:

Investimet e huaja kërkojnë angazhim serioz që të vijnë në Shqipëri. Ashtu sic shprehet në raportin e investitorëve Gjermanë e Amerikanë, ata kërkojnë taksa të ulëta, kërkojnë procedura të shpejta dhe jo ndryshime të shpeshta ligjore. Kjo qeveri në vetëm 3 vite ka rritur taksat, ka ndryshuar mbi 40 herë ligjet fiskale e ka larguar cdo investitor të mundshëm nga Shqipëria për në vendet e rajonit. Kjo është arsyeja se pse IHD kanë rënë me 42% në tremujorin e parë të 2016 në krahasim me tremujorin e parë të 2015.

Këta faktorë më erdhën në mendje dje mbasi lexova reagimin militantesk të Ministrisë së Ekonomisë.

Ajo që kërkova dje dhe vazhdoj të kërkoj edhe sot është vetëm një gjë: Cilët janë investitorët që duan të marrin 1700 Ha tokë publike dhe private? Pse kompania u shit në Singapor vetëm dy ditë përpara se të kalonte në Kuvend ligji? Pse bëhet pazar me pronat e 220 pronarëve në këtë zonë?

Nga një kërkim i thjeshtë në internet del ky informacion mbi kompaninë kryesore që do të fillojë negociatat me Ministrinë:

Kompania Britanike Star Bridge Port Limited siç është theksuar në deklaratë është krijuar në vitin 2011. Sipas të dhënave të marra nga “Companies House” (që është qendra e informacionit për kompanitë e regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar), rezulton se kompania Britanike së cilës bëhet fjalë t’i jepet Karpeni ka dorëzuar nga viti 2013 deri në vitin 2016 Bilancin e tipit “kompani e fjetur”, pra një llogari që nuk ka pasur asnjë aktivitet tërheqje apo depozitimi në 3 vitet e fundit. (https://beta.companieshouse.gov.uk/…/07760856/filing-history). Si ka mundësi që një kompani që ka shpenzuar miliona euro në vepra të ngjashme dorëzon në Britani një bilanc të këtij lloji?

Nga ana tjetër, kompania që ka blerë (sipas të dhënave të marra nga Companies House) kompaninë Star Bridge Port Limited, është një kompani me seli në Singapor e cila nuk mundet t’i gjendet asnjë adresë interneti për punët që ajo ka kryer. Një blerje e tillë ngre pikëpyetje jo vetëm mbi kompaninë Star Bridge Port Limited por edhe mbi raportet e saj me kompani serioze. A mundet vallë që një kompani serioze të shitet tek një kompani fantazëm që ekziston vetëm me një kuti postare në Singapor?! A mundet që një kompani serioze që ka shpenzuar miliona euro, të mos ketë projekte të saktësuara në faqen e saj të internetit?! (http://starbridgeltd.com/projectsanddevelopments.html)

Gjithashtu nga një hulumtim mbi strukturën e kompanisë Britanike e cila pretendohet të jetë serioze në fushën e ndërtimit, si ka mundësi që nga gjithë faqet Britanike rezulton se struktura e kompanisë në fjalë është tejet e varfër për një kompani që do të shpenzojë 5 miliardë euro, pra sa 1/5 e shumës së TAP?! (https://companycheck.co.uk/…/STAR-BRI…/directors-secretaries) Dhe i gjithë ky investim do t’u realizoka nga një kompani që nuk ka as edhe një punonjës, por vetëm një Bord Drejtorësh?

A mund të flasim për negocim kur nuk kemi asnjë plan konkret dhe asnjë të dhënë të saktë sa i takon kompanisë që bëri propozimin e pa-kërkuar?

Ky projekt negocimi është po aq transparent sa ishte projekti i ndërtimit të Stadiumit të ri Kombëtar me kullën ngjitur! Ky projekt negocimi është po aq transparent sa edhe tentativa e dështuar për koncesionin e TVSH-së nga Ministria e Financave, me të njëjtin tip kompanish!

Asnjë kompani serioze nga ato që përmend Ministria nuk ka ardhur në Shqipëri. Asnjë ofertë serioze nuk ka ardhur në lidhje më këtë projekt. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur e prandaj ka shumë pikëpyetje.

Partia Demokratike mbështet e përshëndet çdo investitor të huaj që vendos të investojë në Shqipëri, sot në opozitë e nesër në qeverisje. Ashtu siç vlerëson TAP që sot është i vetmi burim për rritjen në ekonomi, por dhënia e 1700 hektarë tokë kompanive që kanë vetëm një adresë postare nuk është normale për vende në Afrikë e jo më për një vend që aspiron të jetë nesër në Europë!