Susanne Schutz, ambasadorja gjermane në Tiranë na nxjerr mallin e … Vllahutin

737
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Ambasadorja  e Gjermanisë në Tiranë Susanne Schutz është shumë aktive me deklarata publike. Dje ambasadorja Schutz deklaroi se Ambasada Gjermane nuk ka qëndrim për Teatrin Kombëtar. Susanne Schütz: Ambasada gjermane nuk ka një qëndrim për Tetarin Kombëtar. E kemi lexuar me shumë vëmendje letrën e KE-së, si dhe kemi në vëmendje zhvillimet në vend. Debati lidhur me vettingun e politikanëve kam frikë se është një konsumim kohe dhe energjie, që mund ta largojë vëmendjen nga vettingu i gjyqësorit, që është vërtet thelbi i reformës në gjyqësor.

Çudi! Edhe pse ambasadorja gjermane në Tiranë pohon se e ka lexuar me shumë kujdes letrën që BE-ja i dërgoi qeverisë shqiptare për çështjen e Teatrit Kombëtar. Mbase ambasadorja gjermane Schutz nuk ka informacion të mjaftueshëm, as për analizën e dekretit të Presidentit të Shqipërisë që ktheu mbrapsh ligjin për TK, mbase nuk ka parë dhe dëgjuar për protestat e vazhdueshme të komunitetit të artistëve dhe qytetarëve për të mbrojtur më çdo kusht TK nga prishja që kërkon të bëjë qeveria, por pyetja është: A është dakord ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë me vërejtjet e BE-së për koncesionin e TK që është jo transparent? As për këtë nuk ka mendim ambasadorja Schutz?  Derisa ambasadorja gjermane përmendi dëshirën e bizneseve gjermane të investojnë në Shqipëri, a shqetësohet ambasadorja për monopolet e koncesioneve që nuk lejojnë konkurrencën e lirë në treg, shkaku që bizneset gjermane nuk vijnë në Shqipëri? Para disa ditësh ambasadorja gjermane në Tiranë Schutz u shpreh optimiste për vettingun në drejtësi, por nuk u shqetësua aspak që në Shqipëri nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk funksionon Gjykata e Lartë, nuk u shqetësua aspak që qeveria zvarrit ngritjen e SPKA dhe BKH, ndërkohë që korrupsioni është shkaku kryesor pse BE nuk hapi negociatat me Shqipërinë? A shqetësohet ndopak ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, që mazhoranca është kaq arrogante, saqë ka çuar në parlament një ligj antikushtetues “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”,  i cili nuk votohet pse nuk ka 84 vota, ndërkohë që nuk kërkon kompromis politik me opozitën për t’i dhënë fund kolapsit në Drejtësi? Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë deklaron se vettingu në politikë është humbje kohe, paçka se deputetët, ministrat janë miliarderë me rrogë simbolike. Zonja Susanne Schutz është ambasadore e Gjermanisë në Tiranë, ku Gjermania kërkon nga Shqipëria domosdoshmërish kryerjen e reformave të thella? Apo Susanne Schutz është mëkëmbëse apo përfaqësuese e Vllahutin, e cila vetëm lavdëronte qeverinë, edhe pse krimi ka marrë peng shtetin, edhe pse korrupsioni ka kancerizuar çdo strukturë të shtetit?