Surprizon Fatmir Xhafaj: Pa fondacionin Soros, reforma ime në Drejtësi do ishte e pamundur

72
HashtagAL
Kryetari i Grupit për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj ka mbajtur tre ditë më parë një fjalim me personalitetet e angazhuar me Reformën në Drejtësi. Gjatë fjalës së z.Xhafaj janë shënuar disa momente sinqeriteti të spikatura, të cilat duken tepër interesante. Element i parë është një deklarim surprizë i z.Xhafaj i cili duke iu drejtuar kryetarit të fondacionit Soros, z.Andi Dobrushi, i shprehu një mirënjohje të pazakontë, aq sa fraza lë të kuptohet se nëse nuk do ishte për këtë fondacion, askush nuk do e kishte marrë mundimin për të bërë reformë në drejtësi dhe askush nuk do kishte shpenzuar lekë për këtë proces. “Një falënderim mirënjohjeje dua ti shpreh Fondacionit Shoqëria e hapur për Shqipërinë – Soros, Andit dhe ekipit të tij të palodhur për suportin e fortë teknik e financiar, përcaktues për ecurinë e mbarë të procesit dhe padyshim nismëtar për nevojën për një projekt ndryshimesh kushtetuese në vend”, – është shprehur z.Xhafaj. Duket se Fondacioni Soros ishte një hap para qeverisë dhe mazhorancës për këto ndryshime Kushtetuese dhe për draftin e reformës. Madje dhe përfaqësuesi kryesor i ekipit shqiptar në Komisionin e Venecias, Kristaq Traja, rezulton si i dërguar ekskluziv i këtij fondacioni pranë grupit të reformës. Në fjalimin e rastit për fundvitin, Xhafaj ka përmendur më pas dhe bashkëpunëtorët e tjerë në këtë proces, por bie në sy një moment kur ai ka komentuar edhe përgjigjen e Komisionit të Venecias për draftin e përgatitur nga grupi i tij. “Ju duhet të jeni krenar për atë çfarë keni shkruajtur e mbrojtur teksa lexoni vlerësimet dhe komentet e këtij komisioni të nderuar. Vlerësime që shumë pak dokumentet të tilla kanë pasur fatin t’ju adresohen kaq pozitivisht nga opinioni i KV”, – thotë z.Xhafaj. Dhe pak më tej ai sqaron edhe se nga buron e gjithë kjo krenari: “ Në këtë opinion ndër të tjera theksohet se : ‘Komisioni i Venecias shpreh mbështetjen e tij për përpjekjen që po bëjnë autoritetet shqiptare për reformën e thellë në sistemin gjyqësor shqiptar. Një reformë e tillë nevojitet në mënyrë të menjëhershme dhe situata kritike në këtë fushë i justifikon zgjidhjet radikale. Ndryshimet kushtetuese përfaqësojnë një bazë të qëndrueshme për punë të mëtejshme në këtë drejtim” Pra sipas z. Xhafaj, Grupi i Reformës në Drejtësi duhet të ndihet krenar meqenëse një Komision i Lartë Ekspertësh Evropianë, kanë mbështetur dëshirën e mirë në parim për të bërë reformë dhe nuk kanë protestuar kundër kësaj iniciative dhe as janë futur në grevë urie për t’i bërë karshillëk asaj. Një krenari e vërtetë duhet thënë.