Superskandalet e mjekëve shqiptare, nuk ka ilaç që i shëron

426
E rrallë dhe mbi të gjitha e denjë për çmimin Gines. Ka ndodhur pikërisht në Korçë, në qytetin e kulturës dhe qytetarisë, jo vetëm shqiptare, por edhe botërore. E nëse kjo qytetari ekziston tek banorët, pacientë të qytetit të serenatave, mungon tërësisht tek mjekët, të cilët kanë harruar “Betimin e Hipokratit”. Ndoshta disa mund ta konsiderojnë edhe mungesë të intuitës nga vetë Hipokrati, pasi në kohën e tij nuk ka pasur pallate me 5 kate. Jo vetëm kaq, por Hipokratit nuk i kishte shkuar në mëndje që do kishte edhe ashensorë. Po pse do të thoni ju? Ç’lidhje kanë katet e pallateve dhe ashensorët e tyre? Sigurisht, që kanë lidhje, sepse po të ekzistojë ashensori, atëherë humanizmi i mjekëve do të jetë më i madh dhe fjala humanizëm do ketë vërtetë vlerë. Pikërisht, këtë kam menduar gjithë ditën e djeshme, pasi nuk më shqitej nga kujtesa një telefonatë në emisionin e News 24, “Koha për t’u zgjuar “ të Bashkim Hoxhës. Një zonjë nga Korça denoncon një ngjarje të pazakontë dhe të veçantë, e cila kishte lidhje me familjen e vetë dhe mjekun specialist të okulistikës. “Në shtëpinë time kam një familjar, i cili ka ditë që ka probleme me sytë. Ndoshta, pas një gripi apo edhe mund të jetë një infeksion dhe që ne e ngatërrojmë, apo ja vëmë fajin gripit, që kaloi bashkëshorti im. Ndaj shkova tek mjeku i familjes dhe meqenëse familjari është në moshë, bisedova dhe ai erdhi për vizitë në banesë. Pasi e pa, më dha rekomandimin dhe më tha që duhet patjetër ta kontrollosh tek mjeku specialist i okulistikës. Me letër në dorë u drejtova tek poliklinika e specialiteteve dhe kontaktova me mjeken, duke i qarë hallin për bashkëshortin dhe pamundësinë për ta sjellë për vizitë në poliklinikë, pasi edhe mosha është e shumë e madhe dhe se ai ka një periudhë të gjatë që nuk lëviz për të dalë jashtë. Mjekja, të parën pyetje që më bëri, ishte:
-Ku e ke shtëpinë ? Private apo pallat? 
-Pallat, i them. 
-Në çfarë kati, ma kthen doktoresha?
-Në katin e pestë, i them. 
Jooooo, e pamundur, ulëret ajo. Ka ashensorë, më pyet? 
-Jo, i them unë.
-Këtu ndahemi përfundimisht, ma kthen doktoresha. 
Fillova po qaja, pasi më ra si bombë në kokë, kur dëgjova përgjigjen e saj. Po pse, moj doktoreshë, i thashë apo se ne jemi dy pleq në shtëpi dhe mezi mbyllim muajin. Është e pamundur, ma kthen ajo, unë nuk ngjisë më këmbë më shumë se 2 kate. Po të kishte ashensorë ndryshonte puna. Po, po të kishte ashensorë, ja kthej unë, do e sillnim me barelë dhe nuk do ju bezdisnim as ju dhe as drejtorinë e poliklinikës. E pamundur, ma kthen sërish mjekja okuliste dhe e vetmja shpresë dhe zgjidhje, sipas meje, vazhdon doktoresha, është që ju ta fotografoni me celular, në facebook ose instagram, syrin e sëmurë dhe të ma nisni mua si foto. Aman, moj doktoreshë, po ku di unë e shkreta, si fotografohet dhe pale ta nisë ty në celularin tënd. Gjithsesi, ika duke qarë dhe ka tre ditë që im shoq qëndron në shtëpi me syrin e gjakosur nga infeksioni”, përfundon rrëfimin e saj në News 24, në emisionin “Koha për t’u Zgjuar “ qytetarja nga Korça (Datë 10 nëntor 2015 ora 07.42 minuta. Kjo ngjarje është vetëm një pjesëz e vogël e maskaradës, që ka përfshirë shëndetësinë shqiptare, paaftësinë menaxhuese dhe makutërinë, nga i vogli deri tek më i madhi. Po si ka mundësi që shqiptarët paguajnë për sigurimet shëndetësore dhe jo pak, por plot 170 milionë euro dhe si kundërpërgjigje nuk marrin asnjë shërbim apo e thënë më troç, ky shtet rrumpallë nuk i garanton as shërbimin më minimal. Shteti dhe qeveria kanë përgjegjësi, pasi premtimi elektoral i Rilindjes për shërbim shëndetësor falas, tashmë është një iluzion i humbur dhe për të cilin shqiptarët do e japin verdiktin, duke ndëshkuar pa më të voglin hezitim mashtruesit dhe batakçinjtë e podiumeve. Shqiptarët nuk do tundohen nga dhuratat elektorale, pasi ata janë bërë të mençur dhe, sikurse thoshte dikur, kur ishte në opozitë, një lider “që meruani paratë, se, në fund të fundit, juve ua kanë vjedhur dhe votën mos ua jepni”. Shpresoj dhe besoj që kjo ditë nuk do të vonojë shumë! 
Sigal