Sulmet në Bruksel/ Meta i shpreh ngushëllimet Delegacionit të BE-së në Tiranë

516
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi një vizitë në zyrat e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ku u prit nga i ngarkuari me punë i Delegacionit të BE-së, Jan Rudolph, për t’i shprehur ngushëllimet për ngjarjet tragjike të ndodhura në Bruksel të Belgjikës. Pasi shkroi një mesazh në Librin e Ngushëllimeve, Kryetari i Kuvendit dha një prononcim për mediat, ku u shpreh se aktet terroriste që goditën Brukselin pak ditë më parë janë një agresion ndaj vlerave të qytetërimit evropian.
“Aktet e fundit terroriste në Belgjikë, më shumë se sa një agresion i drejtpërdrejtë fizik ndaj qytetarëve të Brukselit dhe të Evropës janë një agresion ndaj vlerave të qytetërimit europian. Në këtë drejtim padyshim që ne jemi pranë popullit belg, pranë gjithë popujve të Evropës, jo vetëm në këtë moment goditjeje dhe dhimbjeje, për t’u lutur për viktimat dhe për të shprehur ngushëllimet për familjarët e tyre, por mbi të gjitha për të shprehur vendosmërinë tonë për të mbrojtur vlerat që ndajmë me Europën”, – tha Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta në prononcimin e tij për mediat.
Sigal