Sulka: Punësimet elektorale, më të përhapura se raporti

545
Ish-zv/ministri i Punës, Kastriot Sulka, u shpreh se situata reale me punësimet gjatë fushatës elektorale ka qenë edhe më e përhapur se ajo që është raportuar në prokurori dhe që tashmë po hetohet. “Kjo situatë ka qenë edhe më shumë e përhapur se ato që janë depozituar me fakte në prokurori, pasi disa janë punësuar pa letra dhe tani janë duke kërkuar rrogat ose kontratat, që natyrisht nuk kanë se ku t’i gjejnë”, u shpreh Sulka për “Telegraf”. Sipas tij, një fenomen i tillë është konstatuar në shumë takime paszgjedhore gjatë analizave në degët e Partisë Demokratike, si në Elbasan, Cërrik, Belsh, Gramsh dhe Peqin. “Shkelje tjetër në fushatën elektorale kanë qenë edhe pagesat e ndryshme të tipit të përfshirjes në listat e ndihmës ekonomike”, nënvizoi Sulka. Ai përmendi edhe një element tjetër që është përdorur gjatë fushatës së shkuar elektorale për zgjedhjet parlamentare. “Një tjetër mënyrë e përdorimit ka qenë edhe dhënia e lejeve të ndërtimit për rregullim shtëpie apo muresh rrethuese, të cilat i kishin zvarritur prej vitesh”, u shpreh ish-zv/ministri i Punës. Për rreth 3 mijë emërime gjatë fushatës elektorale, prokuroria ka nisur hetimet, duke dyshuar për dy akuza kryesore që janë “shpërdorimi i detyrës” dhe “korrupsioni aktiv”.
Sigal