Sulejman Mato:Kadare dhe Agolli pas ikjes së tyre nga Lidhja e Shkrimtarëve donin të mos ekzistonte më ky institucion

536
Sigal

INTERVISTA/ Flet shkrimtari Sulejman Mato:Lidhja e Shkrimtarëve dje, sot dhe nesër

Kohët e fundit nëpër faqet e shtypit është ngritur shpesh problemi i Lidhjes së Shkrimtarëve, mbyllja e gazetës “Drita” dhe zaptimi me forcë i Godinës së Lidhjes nga qeveria “Berisha” -1. Në bisedën me shkrimtarin dhe poetin Sulejman Mato, ai shpreh indinjatën e tij të thellë, por dhe nuk e kupton heshtjen e Isamil Kadaresë dhe Dritëro Agollit për këto probleme. Madje, ai shkon më tej: –. Përse nuk prononcohen shkrimtarët politikanë si, Ben Blushi, Namik Dokle, Preç Zogaj? Pse nuk e nge zërin Sali Berisha, kur tregon se dhe vet ai në rininë e vet ka shkruar vjersha dhe një ditë të afërt do të shkruaj kujtimet e tij? Pse nuk shqetësohet për këtë institucion piktori Edi Rama, kur mendon se në këtë Institucion ka dhënë një kontribut të çmuar vet ai dhe i ati i tij, Kristaq Rama?

 Fillimisht le të bëjmë pak histori, duke sjellë ndërmend si lindi ky institucion?

 Ishin nevojat urgjente për të pasur dhe Shqipëria e rilindësve të mëdhenj, që e projektuan atë institucion , për të pasur dhe vendi ynë tempullin e artit dhe kulturës shqiptare. Fillimisht Lidhja e Shkrimtareve dhe Artisteve grumbulloi ne gjirin e vet artistë dhe shkrimtarë të pas luftës. Me vonë, ishin nevojat urgjente që e lindën dhe e shndërruan këtë Institucion në një qendër të rëndësishme të artit dhe letërsisë. Këtu u grumbulluan shkrimtarët më të mirë të viteve të para të çlirimit. Ky Institucion u bë shtëpia e shumë krijuesve letrarë, piktorë, skulptorë e muzikantë, emrat e të cilëve sot janë bërë krenaria e kulturës shqiptare.

 -Çfarë ishte për ju krijuesit Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve?

Se pari: Botimi i veprave letrare falas, nga shteti, madje paguhej çdo vepër letrare. Nxitja për të rrokur shkrimtarët tematikën e ditës dhe personazhet bashkëkohorë. Kjo ishte një kërkesë që nuk i përkiste realizmit socialist, siç thonë sot disa persona që nuk e kanë njohur atë kohë ose që kërkojnë të luajnë rolin e disidentit. Kjo është një kërkesë që i vihet para edhe sot, si provë, një shkrimtari serioz. Veprat letrare shpërndaheshin falas. Agjencia e Tregtimit të Librit kishte 168 pika shpërndarjeje në të gjithë Shqipërinë. Në qytetet kryesore libraritë dhe bibliotekat ishin në vendet më atraktive të qyteteve. Mos të harrojmë lejet krijuese dhe oraret e reduktuar për shkrimtarët dhe artistët. Pas viteve nëntëdhjetë humbi tradita. U shkelën me këmbë shkrimtarët dhe artistët. Gjer më sot nuk është parë më ai lulëzim arti dhe Kulture sa në vitet 60-70-të. Është e vërtetë që kishte dhe vepra me tematikë socialiste, madje, disa të patalentuar e gjeten si strehe të mediokritetit të vet, por kjo gjë nuk ndodhi tek shume shkrimtare të tjerë, as tek shumë poetë, kompozitorë e skulptorë, piktorë e koreografe. Mbetet një fakt i pamohueshëm që letërsia dhe arti ynë nxori krijues të mëdhenj në ato vite. Pas viteve nëntëdhjetë nuk pati në letërsi Kadare, Arapi, Agolli, Marko, Andoni, Blushi, Çuli, Kongoli, Çela, Myftari. As poetë si Reshpja, Zeqo, Vyshka, Spahiu, Mece, Petriti… Prurje ka patur shumë por individualitetet ende nuk janë spikatur. Kjo mbase vjen dhe ngas mungesa e një kritike letrare, e cila do t’i evidentonte të rinjtë letrarë sipas parimit të origjinalitetit krijues. Duhet thënë që pas nëntëdhjetës mungoi dhe kritika e cila ka lozur një rol të madh në evidentimin e krijuesve me vlera të veçanta.

-Pse u shkri ky institucion pas nëntëdhjetës?

 Së pari pasi u vendos të mos financohej më nga shteti. U prenë financat dhe u hoqën të gjitha favoret që u jepeshin shkrimtarëve dhe artistëve para nëntëdhjetës. Disa shkrimtarë si Kadare dhe Agolli që ishin në drejtimin e saj dhe kishin përfituar prej saj heshtën Për më tepër patën një dëshirë që pas ikjes së tyre të mos ekzistonte më ky institucion. Pati të tjerë që shkuan dhe më tej, e akuzuan Lidhjen si një organizatë politike… që kishte bërë më shumë zullume se kishte nxjerrë vlera. Pati te tjerë që e akuzuan si një institucion të frikshëm, të mbushur me sigurimsa. Shumica e sulmeve nëpër gazeta Lidhjes i kanë ardhur nga vetë krijuesit, për më tepër, nga ata që kanë përfituar më shumë nga ky institucion dhe nga disa shkrimtarë të tjerë që “e patën më të madhe ambicien se talentin”. Ndërkohë që, pushtetarët e rinj, me në krye Berishën, i cili kishte menduar se një ditë do të bëhej shkrimtar, menduan: përse i duhet një shteti të pafuqishëm një organizatë shkrimtarësh dhe artistësh? Për t’i dhënë një përgjigje kësaj pyetjeje, më duhet ta përmend sërish shprehjen e poetit nobelist Ezra Paund: “Në qoftë se letërsia e një kombi pëson rënie, kombi atrofizohet dhe kalbet”

Si ju duket kjo gjendje e Lidhjes së Shkrimtarëve që degjeneroi deri në zaptimin e godinës?

-Ne që kemi gjysmë shekulli që jetojmë me librin dhe midis librave, na duket paradoksale kjo gjendje, e cila ka dhe shkaqet e veta objektive, por, sulmi që i është bërë nga shteti këtij institucioni mbarëkombëtar, Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, gjer në zhbërjen e vet, është unik dhe paradoksal , po të  mendosh që vetë këtë vend e rilindën poetet rilindës duke qenë të vetëdijshëm për vlerat e mëdha kulturore dhe tradicionale të një populli nga me të vjetrit në Europë. Se dyti, e keqja këtij institucioni i erdhi pasi Lidhja e Shkrimtarëve nuk u administrua si duhet, nga ata që u vunë në krye, por,unë mendoj se e keqja më e madhe Lidhjes i ka ardhur ngaqë vetë ata që e ngritën në këmbë, vetë shkrimtarët e njohur, si Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, nuk u prononcuan ndaj këtij akti barbar, duke shkuar me mendimin “Pas nesh çdo gjë le të shembet”. Sikur Shqipëria të kishte vetëm dy shkrimtarë që e mbanin atë Institucion në këmbë dhe jo 300 anëtarë të saj, shkrimtarë dhe artistë të shquar. Edhe sikur të 300 shkrimtarët dhe artistët e tjerë të kishin vdekur pas nëntëdhjetës, me hyrjen e shumë intelektualëve politikanë në Parlamentin e parë pluralist, Lidhja duhet të kishte mbetur së paku si monument vlerash për të gjithë ata shkrimtarë dhe artistë që, në kushte të vështira të një terrori psikologjik, i dhanë jetë të pa parë letërsisë dhe artit shqiptar, përfshi këtu dhe veprat e Kadaresë dhe Agollit.

Po pas 23 vjetësh si shihet kjo Lidhje?

-Sot, pas 23 vjetësh demokraci, kjo Lidhje, në vend që të mbyllej, duhej të ishte shtuar dhe pasuruar me shkrimtarë e artistë të tjerë, që jetojnë në Shqipëri dhe në trevat mbarëshqiptare. Sot, pas 23 vjetësh duhet që ky institucion të kishte përfshirë në gjirin e vet vlerat e mbarë intelektualëve shqiptare, shkrimtarë e artistë që jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni , në Mal të Zi, në Ballkan dhe Europë, në Turqi e Siri, në Amerikë dhe në Kanada, e në mbarë botën, ku jetojnë shqiptarë. Pas viteve nëntëdhjetë ne mendonim, madje prisnim me ngut, që Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të zgjerohej dhe të pasurohej me vlerat e mohuara të gjithë atyre shkrimtarëve që diktatura I kishte përzënë jashtë saj për shkak të mendimit ndryshe, e po kështu, të ktheheshin vlerat e mohuara të Fishtës dhe Migjenit, të Konicës dhe të Camajt e Trebeshinës. Në këtë lidhje të futeshin vlerat e poetëve të rëndësishëm Kosovarë, Mekulit, Sulejmanit, Shkrelit, Dedajt, Mehmeti, dy vëllezërve Zejnullahu,etj., dhe të shumë shkrimtarëve të tjerë. Në fondin e artë të Lidhjes të hynin veprat e pabotuara të shumë shkrimtarëve shqiptarë, që nuk janë pak, që i lanë kockat jashtë atdheut të tyre, për më tepër të mos shkatërrohej biblioteka e saj, me mijëra libra në gjithë vendin. Kjo nuk u bë. Së pari pasi lidhja ra në duar të tjera, e së dyti, dhe ata që ia dinin rëndësinë dhe duhet të mbronin si të vetmin Institucion vlerash, pranuan të tjetërsohesh me mendimin “pas nesh çdo gjë le të shkatërrohet.” -Lidhja e shkrimtarëve duhet të ekzistojë doemos, edhe kur nuk e duan pesë a gjashtë ish intelektualë të konvertuar në politikanë. Lidhja duhet të ekzistojë siç ekziston një shtëpi e vjetër për brezat e tjerë ë kanë lindur ose do të lindin. Siç ekzistojnë kalatë tona si dëshmi e një kohe qëndrese. Por edhe si institucione që përfaqësojnë artin dhe kulturën e një kombi të lashtë si ky yni.

Keni menduar ndonjëherë se cili ishte shkaku dhe shkaktari i prishjes së Lidhjes?

Asnjëherë nuk kam mundur ta kuptoj se cili ishte shkaku dhe shkaktari i shkatërrimit dhe tjetërsimit të këtij institucioni mbarëkombëtar. Të ishte një Ministër si Ylli Pango?! Të ishte një urdhër i Berishës?! Të ishte një hakmarrje mediokrësh ndaj intelektualëve shqiptarë?! Kjo e treta më duket më e besueshme. Ne kemi trashëguar nga e kaluara një traditë të mirë të trajtimit të krijuesve, ishte pikërisht ky kujdes që letërsia jonë trashëgon nga e kaluara shumë vepra letrare të rëndësishme: romane, tregime, poezi dhe skenarë me vlerë, ndërkohë që në vitet tona krijuesit gjenden në krizë identiteti. Shteti ka hequr dorë nga financimi i veprave të shkrimtarëve , një rast tipik, që nuk ndodh në asnjë vend tjetër të botës. U shkri Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, shtëpia botuese “Naim Frashëri” si dhe Agjencia e Tregtimit të Librave Letrarë. Sot ka lulëzuar botimi privat, i cili kërkon para për botimin e veprave letrare,ndërkohë që shteti duhet të kishte detyrim për nxitjen e shkrimtarëve të talentuar, pasi veprat letrare janë pasuri kombëtare. Botimi i veprave të disa shkrimtarëve prej shtetit duhet të ishte një detyrim i sanksionuar me ligj, siç ndodh në shumë shtete të tjera të botës të cilat janë dhe më të varfër se ne. Librat me tregime, romani, drama, piktura, etj., te ne konsiderohen si një mall tregu, ligji i sponsorizimit të veprave letrare siç është ndërtuar është një ligj pa kuptim.

Si trajtohen dhe si janë shkrimtarët sot?

 Shkrimtarët kurrë nuk kanë qenë më të varfër dhe më të papërfillur se sot , ndërkohë që nuk janë as 20 –të ose tridhjetë krijues të mirëfilltë. Ndërkohë botohen libra që mbushin boshllëkun e një letërsie të vërtetë, por ky nuk thelbi i problemit , në çdo kohë ndodh të ketë njerëz që kanë para dhe botojnë kujtime ose krijime, pa i kaluar në gjykimin e një redaktori letrar. Ky është një problem për Ministrinë e Kulturës, për kontrollin që ajo duhet të bëjë mbi shtëpitë botuese, së paku ,të ketë gjoba për ato botime që prekin rregullat gjuhësore. -Nisur nga shumë shembuj të tjerë mendoj se, në shembjen e këtij Institucioni dhe tjetërsimin e tij, ka pasur diçka malinje, diçka djallëzore që lind vetëm në mendjen e dështakëve të letërsisë dhe artit…Ky është një fenomen që ka ndodhur kudo. Lidhet me zilinë dhe me dështimin…Në kohën që jetojmë ne sot, kur vlerësohet kulti i politikanit, s’ka se si t’u bëjë hije disa politikanëve dështakë profesionesh, hija e institucionit me të madh të vlerave kombëtare siç ishte ai i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Kush janë më të rrezikshëm për letërsinë dhe Lidhjen e Shkrimtarëve?

S’ka më të rrezikshëm për një letërsi se vet letrarët që i kthejnë shpinën asaj. Përse nuk prononcohen shkrimtarët politikanë si, Ben Blushi, Namik Dokle, Preç Zogaj,etj.. Pse nuk e nge zërin Sali Berisha, kur tregon se dhe vet ai në rininë e vet ka shkruar vjersha dhe një ditë të afërt do të shkruaj kujtimet e tij? Pse nuk shqetësohet për këtë institucion piktori Edi Rama, kur mendon se në këtë Institucion ka dhënë një kontribut të çmuar vet ai dhe i ati i tij, Kristaq Rama? Sa larg janë këta intelektualë të vërtetë, nga tempulli i tyre i Artit dhe letërsisë? A do të ishte më e rëndësishme një administratë kulture para tempullit të emrave të Petro Markos, Jakov Xoxës, Kolë Jakovës, Sterjo Spasses, ose skulptoreve dhe piktorëve të shquar të Shqipërisë,si Odise Paskali,Guri Madhi, Kristaq Rama, Sali Shijaku, Bashkim Ahmeti, Danish Jukniu, etj., para akademikëve, kritikëve, studiuesve të artit dhe kulturës, kompozitorëve, balerinëve dhe muzikantëve dhe këngëtarëve popullorë. Dhe sikur të ishte shndërruar në një muzeum vlerash ndërtesa jonë e falur përgjithmonë nga shteti, do të kishte një vlerë po aq të madhe sa dhe Muzeu Kombëtar. Sot ka shumë shkrimtarë dhe artistë që jetojnë me dëshirën që të kthehen një ditë. Por edhe kur të kthehen nuk do ta gjejnë aty shtëpizën e tyre të ëndrrave. Sot ka shumë shkrimtarë dhe artistë të rinj, që jetojnë brenda dhe jashtë vendit, veprat e të cilëve kanë kaluar pa një analizë kritike dhe pa rënë në duar të lexuesve. Kjo ka ndodhur pasi , përveç mungesës së kritikës letrare dhe institucionit te Lidhjes, mungon dhe Agjencia Shtetërore e Shpërndarjes së Librit. Mungojnë 168 librari që funksiononin dikur ne Shqipëri. Kjo ka ndodhur dhe për një fakt të thjeshtë. Dhe kur vjen puna tek vlerësimi i veprave në konkurset vjetore bëhen pazare ne ndarjen e çmimeve.

Nga se vijnë këto pazare çmimesh?

“Nga paaftësia e plotë për të gjykuar për letërsinë si letërsi, paaftësia e plotë për të zotëruar kodet elementare, pjell lista emrash që nuk maten me nivelin mediokër të letërsisë shqipe, sipas parimit,lista pjell listën dhe kështu diçka do të mbetet” shkruan në një shkrim kritik për këtë problem Gazmend Krasniqi. Dhe më poshtë shton se për letërsinë “Thembra e Akilit nuk është krijimi por gjykimi” Kur miratohet një juri e përjetshme për të diskutuar për dy-tri vepra letrare duke anashkaluar rreth 500 vepra letrare, të botuara vitin e kaluar në trevat shqiptare, ky veprim skandaloz e i pa përgjegjshëm, ,jo vetë ata që kanë marrë përsipër të lozin “kompetentin”, por dhe vet autorët “beniaminë” do t’i bënin të skuqeshin. Dua te citoj dhe njëherë një paragraf të botuesit Kosovar Avdulla Zeneli: “Shikoni kush është vlerësuar sivjet për t’u bindur se të njohurit e mëhallës apo diletantët marrin çmime, gjë, e cila reflekton në hutinë e lexuesit. Kudo në botë, pas ndarjes së ndonjë çmimi kombëtar, lexuesit ngarendin pas librave të vlerësuar. Këtu te ne nuk ndodh dhe as do të ndodhë diçka e hairit, pikërisht për faktin se të shumtën e herës librat janë të pabotueshëm, se për t’u lexuar jo se jo.”

Një problem tjetër përkthimi, cili është mendimi juaj?

-Problemi më i papërfillur pas nëntëdhjetës është politika e përkthimit të veprave letrare në gjuhë të huaja. Dikur me këtë problem merrej Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve. Sot nuk merret askush. Ndërkohë që, nuk ka një shtet tjetër në botë që nuk interesohet për krijuesit e vet, jo vetëm me politikat e financimit të botimeve por dhe përkthimet e veprave letrare cilësore. Për këtë gjë Ministria e Kulturës ka fonde të veçanta. Mirëpo, pranë kësaj ministrie nuk ekziston ndonjë komision që mund të bënte një përzgjedhje fillestare, të veprave që mund të përçohen në gjuhë të tjera. Nuk mjafton përkthimi i dy tre shkrimtarëve. Nga sa kam lexuar dhe vazhdoj të lexoj, e them me bindje se ne kemi shumë shkrimtarë që meritojnë të njihen në botë, për origjinalitetin e shprehjes dhe tematikës së veçantë. Në Shqipëri dhe në trevat shqiptare botohen relativisht rreth 500 libra në vit. Sikur 10% e tyre të merreshin në analizë, ose sikur dhe 10 libra në vit të merreshin në analizë dhe të projektoheshin për t’u përkthyer, letërsia jonë do të përfitonte shumë me njohjen e saj nga lexuesi i huaj.

Së fundi, na jepni disa fakte rreth Godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve?

 Godina e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve ka qenë e dhuruar nga shteti me një dekret të veçantë. Juridikisht e drejta e faljes është e patjetërsueshme. Kështu që nuk ka ligj në botë që ta tjetërsojë faljen.. Kështu që veprimi në kalimin e sa si godinë e Ministrisë së Kulturës është bërë i paligjshëm. Kjo Godinë është sekuestruar nga shteti në mënyrë të paligjshme. Gabimi tjetër ligjor. Ndërkohë që, përfaqësuesi jonë ligjor e hodhi çështjen në Gjykatën e Apelit, me një vendim uzurpativ gjithë materiali i gjendur Brenda kësaj godine, pronë e lidhjes, me gjithë bibliotekën e saj prej 10 000 ekzemplarësh të rrallë, konfiskohet dhe futen në një depo në majë të malit…vetë Lidhja kalon në pronësi të shtetit duke u shndërruar në Ministri e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më vonë godina i kalon për privatizim Ministrisë së Ekonomisë. Dokumentet e saj sot janë në Ministrinë e Ekonomisë. Godina e Lidhjes të dashur miq, iu është falur njëherë e përgjithmonë shkrimtarëve dhe artistëve, me një dekret të veçantë. Askush nuk ka tagër ta tjetërsojë. As ata që ikin as ata që vijnë. Madje, askujt nuk do t’i interesonte një gjë e tillë. Kështu që gjithë thashethemnaja se, kjo godinë do të privatizohet, ose , kjo godinë do t’i shkojë sipas një marrëveshjeje të bërë, një institucioni kulturor francez, nuk kanë bazë ligjore. Ka mendime që ne t’i kërkojmë shtetit në shkëmbin të kësaj godine të na jepet një godinë tjetër, si bie fjala, Godina e Partisë Social-demokrate, ose godina e Partisë inekzistente të Neritan Cekës. Mundet të pranohet dhe një gjë e tillë, por para së gjithash duhet parë se sa ligjore paska qenë ky vendim arbitrar i kalimit të këtij Institucioni në pronësi të shtetit. Dhe a do t’i interesonte sot shtetit që të Arti dhe Letërsia dhe në përgjithësi, e gjithë kultura jonë kombëtare, me gjithë traditën e saj të mos kishin godinën e tyre.