“Suksesi im modest ka sakrificën e bashkëshortes sime”

2199
Sigal

Intervista/Prof. Et’hem Ruka rrëfen jetën e tij personale dhe akademikë.  “Preferoj Sokratin e ditur dhe jo Sokratin e nginjur”    

Duke jetuar për një kohë shumë të gjatë, në një nga vendet europiane, nga ku është lindur edhe vetë “demokracia”, mësimi i parë demokratik që mora është se politika jo e parë si profesion ( e cila kurrë nuk është profesion), por e konceptuar si funksion dhe krijimtari ka një lidhje organike edhe me personalitetin e atij që e ushtron. Në qoftë se politikani është shquar në fushën e vet të profesionit, talentit, është , në një masë të lartë të propabilitetit, ngjizja e personaliteteve  të profesionit me politikën. Në Shqipëri, rastet janë përjashtime, dhe prandaj edhe të gjithë politikanët kanë të njëjtin profil, pasi ata më shumë janë militantë, sesa personalitete. Politikanët në Shqipëri përkujdesen të përkushtohen me zell te besnikëria ndaj udhëheqësit, kulturë trashëguese e regjimit komunist, sesa personaliteti i politikanit të udhëheqë, proceset e integrimit të shoqërisë. Prof Et’hem Ruka është një shëmbëlltyrë e tillë, ku personaliteti i shkencëtarit është i ngjizur me personalitetin e politikanit.

-Cili ishte motivi që ju shtyu të merreshit me politikë?

Impulset e mia për vlerën e pluralizmit buruan nga përvoja që kalova në Francë gjatë studimeve të gjata pasuniversitare. Ishin vitet  1978-1983. Thjesht kisha dëshirë që Shqipëria jonë e izoluar të europianizohej sa më shpejtë të ishte e mundur. Si profesor universiteti nuk mund të rrija indiferent për ndryshimet demokratike në vend. Në atë periudhë kam shkruar me guxim dhe kam ndjekur të gjitha manifestimet për ndryshimin e regjimit të asaj kohe.

 –Në vendimmarrjet tuaja, që kanë të bëjnë me jetën tuaj, sa deciziv ka qenë ndikimi i prindërve?

– Prindërit e mi kanë qenë njerëz të thjeshtë dhe të ndershëm. E vetmja këshillë që na kanë brumosur ka qenë ndershmëria në raport me të tjerët dhe të donim sa më shumë shkollën. Arritjet e mia modeste kanë brenda pa dyshim edhe sakrificën e prindërve të mi.

Çfarë ju jep juve politika, dhe çfarë përpiqeni ju t’i jepni politikës?

– Në tre njëzetvjeçarët e jetës sime njërin, atë të pjekurisë e kam kaluar me politikë. Unë i takoj atij breza që u morën me politikë që në ditët e para të pluralizmit shqiptar dhe besoj se bashkë me kolegët e mi i hapëm rrugën transformimit demokratik të vendit. Politika më ka falur një auditor shumë të gjerë në të gjithë territorin e vendit. Më ka pëlqyer komunikimi me njerëzit dhe vazhdon të më pëlqejë. Unë i kam dhënë politikës, por edhe ajo më ka shpërblyer. Me ka bërë një njeri publik, një status që nuk fitohet kaq lehtë.

– Po shkenca, çfarë ju ka dhënë, dhe ju çfarë i keni dhënë?

– Jeta akademike dhe kërkimi shkencor janë një provë e madhe për trurin njerëzor. Një kërkues depërton atje ku të tjerët nuk shikojnë. Të jesh politikan dhe të kesh produkt intelektual të certifikuar nevojitet më shumë energji se sa thjeshtë të merresh me politikë. Unë besoj se, e kam pasur dhe vazhdoj ta kem energjinë dhe vullnetin e palëkundur për tu marrë njëherazi me politikën dhe jetën akademike.

 –Sa ju shqetëson ai mosbesim, që është në rritje në opinionin publik, që sot nuk mirëbeson te politikanët?

– Unë jam po aq i shqetësuar sa edhe pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë për faktin se. Shqipëria jonë nuk e fituar akoma standardin e zgjedhjeve të lira e demokratike Shoqëria civile ka kohë që është përgjumur dhe nuk ka force për të thënë fjalën e vet. PS është e bindur se, vota e lirë nuk është thjesht interes partiak, por interes publik kombëtar.

 –Sot politikani në Shqipëri, a mund të shprehë në qëndrime personalitetin e vet? Përshtypja është që, politikani dhe deputeti janë të përdorshëm nga udhëheqësi, ndryshe, ai del jashtë radhe. Cili është mendimi juaj?

Po është e vërtetë, që ka shumë politikanë që qeshin si shefi, bëjnë gjeste si shefi, vishen si shefi qeshin kur qesh shefi, i bëjnë shefit qejfin etj. Problemi është se politika të zhvlerëson shumë shpejtë nëse e konsideron veten thjeshtë vlerë muzeale, kur u kthen shpinën njerëzve që të kanë votuar  dhe në se e ve veten mbi vendimet që merr shumica.

 –Cilat janë pasionet tuaja?

– Më pëlqen të lexoj e të shkruaj, të ndaj miqësi me njerëz të mirë edhe pse mund të jenë shumë të thjeshtë, më pëlqen të dëgjoj muzikë, veçanërisht atë klasike, më pëlqen të shikoj pikturë dhe pse jo të vizatoj edhe vet. Harrova, më pëlqen të prodhoj edhe vet pak verë të mirë për përdorim shtëpiak. Para disa ditësh mbarova një pikturë me bojëra vaji. Thash ta provoj njëherë. Dështova shumë herë, por më në fund sipas mënyrës sime e mbarova dhe ca miq piktorë ma pëlqyen. U gëzova shumë. Më mirë të mos e vazhdojmë këtë temë se shpirti i njeriut vështirë është se kënaqet me atë që do të bëjë.

 –Cilat janë prioritetet tuaja?

– Prioriteti im i parë janë obligimet politike. Të sjellim PS në pushtet në vitin 2013. Prioriteti i dytë, të kontribuoj sa më shumë për problemet e arsimit. Arsimi për mua mbetet gjeja më e shtrenjtë. Prioritet tjetër për mua është ecja e fëmijëve të mi dhe bashkëshorteve të tyre në profesion dhe në kërkime. Djali i madh dhe bashkëshortja e tij janë duke mbaruar doktoratat, një në Francë e një në Gjermani dhe unë i nxis ata çdo ditë. Po kaq shumë motivoj edhe djalin tjetër të bëhet një neurokirurg i talentuar, kurse bashkëshorten e tij një ekonomiste të zonjën.

 –A keni kohë të lirë? Dhe me çfarë ju pëlqen ta shfrytëzoni kohën e lirë?

Koha ime e lirë është e kufizuar. I vjedh shumë kohë gjumit dhe ai më ka toleruar. Por, nuk jam robot megjithëse shkruaj çdo ditë. Megjithatë e gjej edhe kohën e lirë për të bërë ndonjë vizatim apo për të pirë me miqtë e mi një gotë verë të kuqe Eranimus.

 -Keni shumë pasion për këngën labçe. Çfarë gjeni te kënga labe?

Ne jemi rritur me këngën labe. Është e mrekullueshme dhe një ndër vlerat e identitetit të krahinës sonë të mrekullueshme të Labërisë, pse jo të identitetit shqiptar. Ndryshe nuk do të ishte shpallur pasuri mbarë botërore e UNESCOS. Më pëlqen shumë të jem në tavolinat ku këndohet, jo thjesht si dëgjues por edhe si kontribues. Kënga polifonike labe është e papërsëritshme është një orkestër simfonike pa instrumente. Atje ne kemi shkruar historinë tonë, dashurinë dhe dhimbjen, trimërinë dhe vlerat tona më të mira.

 –Çfarë sakrificash jeni gati të bëni për politikën?

– Fjala sakrificë ka pasur vlerë në filmimet e demokracisë, veçanërisht në vitet 1992-1997. Ne jemi rrahur, poshtëruar, qëlluar me gurë, jemi sharë, jemi arrestuar nga policia, ndonjëri edhe qëlluar me plumba, por nuk jemi tërhequr. Sakrifica si ajo e dëshmorëve që ranë në bulevardin e Dëshmorëve të kombit nga plumbat e shtetit thjesht dhe vetëm se protestuan është sublime çka tregon se, politika kërkon akoma sakrifica. Unë si gjithë të tjerët dhe bashkë me të tjerët.

 -Po të pyesni veten, a ia keni arritur qëllimit që keni përcaktuar për jetën, cila do të jetë përgjigja?

– Kjo është një përgjigje e vështirë. Unë e ndjej veten mirë përsa kohë kam një kapital intelektual të çmuar, një produkt politik të admirueshëm, një familje të mirë dhe fëmijë që ecin në rrugën e mbarë. Normalisht jetës duhet t’i themi faleminderit për atë që na ka ofruar dhe vazhdon të na ofrojë. Qëllimit nuk mund t’ia arrijmë asnjëherë, ndryshe do të kishim vdekur së gjalli.

 -Kush ka ndikuar më shumë në marrjen e vendimeve më të rëndësishme që keni marrë deri tani në jetën tuaj?

– Vendimmarrjet nuk janë kaq të thjeshta në jetën e njeriut. Alternativat që të ofrohen mund të jenë të shumta. Aleatët më të mirë në vendimmarrje janë kultura, formimi intelektual, karakteri i fortë, vullneti për të arritur një objektiv, këshillat e të afërmve e miqve të vërtet dhe më në fund logjika por edhe intuita e mprehtë e bashkëshortes.

 -A besoni lehtë në marrëdhëniet me njerëzit?

– Po dhe jo. Marrëdhëniet në politikë kanë qenë idealiste, por për fat të keq po marrin më shumë karakter pragmatist. Për marrëdhëniet me njerëzit e tjerë është mirë të të mos e ofrosh menjëherë miqësinë nëse nuk ke njohjen e duhur. Shpesh themi për europianët janë të ftohtë. Jo nuk është aspak e vërtetë. Ata nuk të japin miqësi pa të njohur, por në se të ty zbulojnë vlera të thonë mik, dhe janë shumë më të ngrohtë nga çfarë e përfytyrojmë ne shqiptarët. Edhe kjo është një përvojë. Personalisht nuk më pëlqen marrëdhënia e klaneve dhe e kam shmangur atë gjithmonë me shumë kujdes.

 – Çfarë virtytesh vlerësoni më shumë tek njerëzit dhe çfarë nuk mund të falni kurrë te sjellja e tyre?

Qenia njerëzore ka brenda vetes engjëllin dhe djallin, të mirën dhe të keqen. Në këtë botë ka kaq shumë njerëz të mirë, por edhe kaq shumë ziliqarë. Nuk më pëlqejnë njerëzit egocentristë, mburravecë dhe pa taban. Ajo që nuk do të falja kurrë është mosmirënjohja.

 – E keni pyetur veten, përse njerëzit sot janë më pak humanë e solidarë me njeri-tjetrin?

– Individualizmi bëhet dominues dhe marrëdhëniet më të ftohta. Sot nuk e njeh fare komshiun qe ke te porta, kur dje mbaheshin dyert të hapura. Pasiguria është rritur, bashkë me të edhe mungesa e besimit. Solidariteti social i besohet shtetit dhe shume më  pak individëve me njeri tjetrin. Etja për fitim ka pasuruar xhepin e një pjese, por ka varfëruar shpirtrat e tyre.

 –  Falni lehtë dhe përse?

– Të falësh është vlerë është forcë, të ruash inatin është dobësi, është mungesë qytetarie. Çdo njeri duhet të gjejë forcë të falë. Sigurisht ka gjera për të cilat nuk falet, përndryshe nuk do të kishte nevojë për ligje dhe as për drejtësi.

 Të ndërtosh marrëdhënie do të thotë të arrish njëfarë kompromisi. Çfarë është kompromisi për ju?

– Kultura e kompromisit është qytetaria. Kompromiset janë të natyrave të ndryshme. Kur kërkon të bësh një kompromis me dikë ose në politikë duhet të jesh i aftë të testosh, të matësh tjetrin, të fillosh nga variantet më  të vështira për të ardhur te ato më të lehta. Pa lëshime nuk ka kurrë kompromis.

 – Cilën ngjarje, nuk mund të harroni kurrë dhe përse?

–  Si ngjaje politike nuk harroj dot kurrë grushtin e shtetit në shtatorin e vitit 1998.

– Njeriu më i dashur për ju?

– Është e  vështirë të vësh radhë për njerëzit më të dashur. Varet nga konteksti i dashurisë.  Shumë të dashur janë prindërit, bashkëshortja, fëmijët…

 – Ju është dashur ndonjëherë të merrni një vendim të rëndësishëm, që është në kundërshtim me bindjen tuaj morale, dhe me karakterin tuaj?

– Nuk besoj se më është dashur të marr ndonjëherë ndonjë vendim të rëndësishëm pa dëshirë. Vendime të tjera më pak të rëndësishme po. Kjo ndodh rëndomtë në jetën politike. Edhe pse mund të mos jesh dakord më një ligj apo me ndonjë emërim ti je i detyruar të votosh sipas vendimit të grupit.

Me bashkëshorten tuaj, për çfarë gjërash, keni më shumë divergjenca, dhe ju nuk lëshoni pe?

Të them të drejtën nuk kam pasur ndonjë arsye të qenësishme për të arritur në divergjenca.  Jeta bashkëshortore nuk shkon si në vaj. Ajo që mund të them me bindje  lidhet me faktin që suksesi im modest ka sakrificën e bashkëshortes sime. Në shoqëritë si jona dikush duhet të sakrifikojë që tjetri të eci përpara. Kjo është një arsye e fortë për t’i qenë shumë mirënjohës bashkëshortes sime.

 – Fëmijëve tuaj, do t’i këshillonit të bëheshin politikanë?

– Jo nuk u kam dhënë asnjë këshillë të tillë. Ata tani po rriten në profesion dhe janë shumë të ndjeshëm ndaj politikës. Është e drejtë e tyre të vendosin një ditë.

 – Jeni i apasionuar me shpejtësinë, kur drejtoni makinën?

Po, por me kujdes. Për mua shpejtësia i jep jetës një dimension tjetër. Shpejtësia shijohet më shumë kur udhëton me motoçikletë. Unë e kam provuar këtë gjë për shumë e shumë vite më motorin tim Vespa Piagio.  Kur era të rreh fytyrën, duket sikur të pastron gjithçka të keqe.

– Politikën, ju mund ta konsideroni profesion? Dhe e keni menduar veten larg politikës?

Po,  politika për mua është shndërruar në një profesion. Politika është si vallja që po hyre në të nuk të vjen të dalësh më. Megjithatë në se vallen nuk e heq mirë pengon të tjerët. Sa të të nxjerrin me marifet është më mirë të dalësh vet. Po kjo nuk është një gjë e mirë. Më e vështirë për të dalë e kanë politikanët që, nuk kanë kapital intelektual e profesional.

– Pushimet, ku preferoni t’i kaloni, dhe me kë?

– Gjithmonë në Shqipëri. Preferenca ime është bregdeti i Jonit. Ka vite që preferoj Himarën. Thonë se, kur zoti ndau pronat i harroi himarjotët. Ata u ankuan dhe thanë po pse na harrove o Zot? Zoti u përgjigj, më falni për gabimin, po ju jap pjesën që kisha ruajtur për vete.

 Pak biografi për Prof. Et’hem Ruka

Lindur në Turan të Tepelenës në vitin 1947. Kreu arsimin fillor dhe tetëvjeçar në vendlindje. Në vitin 1961-1965 kreu shkollën pedagogjike Pandeli Sotiri në Gjirokastër. Në vitin 1965-1966 punoi si mësues i shkollës fillore në shkollën 8 vjeçare Memo Nexhipi, në Dukaj Tepelenë Në vitin 1992 zgjidhet Deputet i Kuvendit të Shqipërisë për Partinë Socialiste. Et’hem Ruka është i martuar dhe ka dy djem. Bashkëshortja e tij, Dituri Ruka, është kimiste dhe punon në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale. Djali i madh Rudenci është arkeolog pranë Institutit të Arkeologjisë në Tiranë, kurse djali i vogël Mareni, mjek në specializim për neurokirurgji pranë Spitalit Universitar Nënë Tereza në Tiranë. Tashmë është gjysh. Ka një nip katër vjeçar, që quhet Marti Ruka.