“Stuhi” anti-krimi në polici, gati shkarkimi i 330 shefave, 57 gati për pranga, 220 përjashtim pa kthim

Përparim HALILI

Burime të “Telegraf” nga strukturat e policisë në qendër e rajone, na thanë dje, se drejtuesve të lartë dhe ekspertëve të papërlyer në abuzime e krime të ndryshme, u është kërkuar nga “lart”, që të jenë “GATI”, për një “stuhi” të fuqishme e të gjerë anti-krimi, që do të nisë në strukturat e policisë në ministri, në drejtorinë e përgjithshme, në drejtoritë rajonale, në komisariate dhe sektorë të tjerë, ku projektohen e hidhen në zbatim, planet dhe aksionet e luftës kundër krimit. Deklarata e Ambasadorit të SHBA në Tiranë, për ekzistencën e krimit të organizuar, për lejimin dhe mbrojtjen e tij, për përfshirje të drejtuesve dhe segmenteve të policisë, në botën e krimit, akuza e hapur për kthimin e Shqipërisë në “mbretëri” rajonale të prodhimit dhe trafikimit të drogës, të armëve, prostitucionit dhe riciklimin e parave të krimit, ka “zgjuar” ose më saktë ka detyruar krerët e policisë e të qeverisë, të pranojnë akuzat dhe të deklarojnë, goditje ndaj krimit e mbrojtësve të tyre në zyrat e shtetit. Në kontingjentet mbrojtëse të krimit janë skeduar edhe drejtues të lartë e të mesëm dhe segmente të policisë. Nisur prej këtij realiteti, krimi që po “trashet”, fuqizohet dhe po zgjerohet në mbarë vendin, duke u kthyer deri në “komando” të politikës, ekonomisë, financave, biznesit dhe jetës publike. Kryeministri ka deklaruar se do ketë goditje fatale për ata që mbrojnë krimin dhe “operacioni”, sipas Edi Ramës do të nisë me urgjencë e me strategji të përbashkët edhe me ndërkombëtarët. Këtë realitet të përfshirjes së krerëve dhe segmenteve të policisë në botën e krimit e korrupsionit ekonomik-financiar, gazeta “Telegraf” e ka denoncuar 1 vit më parë, duke publikuar një raport të SHISH-it, sipas të cilit, në botën e krimit ishin “zhytur e “notonin” 153 zyrtarë, drejtues dhe shefa sektorësh policie në qendër e rajone, kohë kur aktiviteti kryesor i tyre në shërbim të krimit, ishte mbrojtja dhe ortakëria në kultivimin dhe trafikun e drogës! Sipas informacionit, referuar dosjeve të përgatitura për zyrtarë dhe drejtues policie në qendër e rajone, të cilët kanë lidhje me krimin e çdo lloji. Në listat e goditjes që do të bëhet me ultimatum të ndërkombëtarëve, të cilët po drejtojnë dhe monitorojnë nisjen e “Veting”-ut, janë futur drejtuesit e policisë dhe të sektorit të anti-krimit në qarqet, rrethet dhe qytetet që kanë qenë qendra të kultivimit të drogës dhe baza e porta të trafikut të saj. Po kështu, janë skeduar drejtuesit e policisë dhe shefat e sektorëve, të atyre zonave, ku krimi ka komanduar mbi shtetin, duke “administruar” edhe vetë policinë e shtetit. Janë skeduar ata shefa policie, në zonat e të cilëve kanë mbizotëruar vrasjet, grabitjet, përdhunimet, prostitucioni, vjedhjet në rrugë, riciklimi i bandave të vjetra të krimit, Do të jenë në listat e goditjes, ata drejtues policie në qendër, të cilët kanë heshtur përballë bashkëpunimit të drejtuesve dhe sektorëve në vartësi të tyre, duke raportuar realitet “pastrime krimi, qetësie e sigurie publike”, kur në fakt ka qenë situatë e rënduar, siç ishte ajo që shpërtheu ditët e fundit në disa zona! Sipas burimeve tona, thuhet se “stuhia” anti-krim që është afruar dhe do të veprojë brenda strukturave të policisë, ka projektuar të nxjerrë jashtë loje 330 shefa të lartë rajonalë e qendrorë, të cilët do të shkarkohen me një listë kolektive. Po kështu, thuhet se 57 shefave “ekzemplarë” u janë bërë gati letrat për prangosje, ndërkohë që 220 titullarë të nivelit të lartë e të mesëm, përveç shkarkimit, do të përjashtohen përfundimisht nga policia e shtetit, 60% e të cilëve janë me karrierë 10-15 vjeçare, të gjendur brenda strukturave e në postet drejtuese por edhe të rikthyer në polici në shtator të vitit 2013!