Studimi, IDRA: Shqiptarët japin votën në këmbim të një vendi pune

419
Sigal

Studimi më i fundit mbi lirinë e votës dhe votimin familjar u promovua dje në ambientet e Hotel Tirana International. Studimi “Liria e Votës dhe Votimi Familjar” u krye nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA) me mbështetjen teknike dhe financiare nga UN Women dhe bazohet në një anketë kombëtare me 2,000 persona me moshë 18 vjeç e lart. Synimi ishte nxjerrja në pah e opinioneve të qytetarëve mbi praktikat që mund të ndërhyjnë në lirinë e votimit, vlerësimi i fenomenit të “votimit familjar” si dhe identifikimi i mangësive (ligjore, kulturore, dhe strukturore) që fshihen pas këtyre fenomeneve.

“Është tepër kritike që të eliminohet votimi familjar gjatë zgjedhjeve në Shqipëri dhe të edukohen gratë dhe anëtarët e familjes mbi të drejtat e grave për të votuar në mënyrë të pavarur dhe të fshehtë”, tha Lisa Fredriksson, Drejtore e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit në Ambasadën e Suedisë, e cila ishte një nga financuesit e studimit. “Ne jemi të bindur se ky studim do ta çojë diskutimin në nivele më të larta për t’i trajtuar këto çështje në një mënyrë tërësore dhe për të siguruar standarde më të mira dhe pjesëmarrje nga të gjithë”, përfundoi përfaqësuesja suedeze.

Ndërsa Drejtori i UN Women, David Saunders u ndal në nevojën për të patur të dhëna të grumbulluara në mënyrë shkencore, të cilat mundësojnë politika të bazuara në informacion dhe evidencë dhe jo në hamendësime. “Ky studim vëzhgon çështje të rëndësishme mbi përfaqësimin dhe demokracinë për të gjithë qytetarët shqiptarë, por sidomos për gratë”, tha z. Saunders. Ai shtoi se “studimi është një hap praktik për të kuptuar më mirë sfidat dhe mundësitë që kanë gratë në politikë dhe vendim-marrje”.

Në prezantimin e studimit ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duke përfshirë Kryetaren, Zj. Lefterije Lleshi e cila theksoi rëndësinë e rezultateve të këtij studimi për punën e KQZ-së, sidomos duke patur parasysh zgjedhjet lokale të 2015-s.

Studimi

Shumica dërrmuese e të intervistuarve (93%) deklarojnë se janë ndjerë “tërësisht të lirë” kur kanë votuar në zgjedhjet e 2013. Kjo gjetje sugjeron se presioni i dallueshëm, i drejtpërdrejtë apo i dhunshëm, për të votuar kundër dëshirës së individit nuk ka qenë shumë i pranishëm në këto zgjedhje. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që votuesve nuk u janë premtuar favore në këmbim të votës. Në fakt, pothuajse 43% e të intervistuarve deklarojnë se janë në dijeni të rasteve në të cilat favore apo shërbime janë premtuar në këmbim të votës. Specifikisht, hedhja e votës për “të mbajtur vendin e punës”, për “të gjetur punë pas zgjedhjeve” dhe për të “përfituar para apo dhurata” janë përmendur si fenomene të hasura shpesh nga më shumë se një e treta e të intervistuarve.

Votimi familjar

Përsa i përket votimit familjar – kur disa persona nga familja votojnë njëkohësisht apo kur një anëtar i familjes voton edhe për anëtarët e tjerë – vetëm 5% e atyre që kanë votuar në zgjedhjet e përgjithshme të 2013 pohojnë se kanë vënë re raste në të cilat Komisioni i Qendrës së Votimit ka lejuar më shumë se një person ne zonën e fshehtë të votimit. Ky tregues shpreh një mënyrë të përafërt të matjes së fenomenit të “Votimit Familjar”. Sipas studimit, forma të tilla të drejtpërdrejta si shoqërimi në dhomën e fshehtë apo marrja e fletëve të votimit që i përkasin anëtarëve të tjerë të familjes dhe votimi në emër të tyre, kanë ardhur duke u zvogëluar ndër vite. Megjithatë, “Votimi Familjar” që nënkupton presionin që ushtrojnë anëtarët meshkuj të familjes mbi anëtarët femra për të votuar në një mënyrë të caktuar, nuk ndodh domosdoshmërisht në dhomën e fshehtë të votimit. Ky është një fenomen qe ndodh në familje, përpara se familjarët t’i drejtohen qendrës së votimit.

Interesi i ulët ndaj çështjeve politike apo ato të qeverisjes, vihet re në shumicën e popullsisë dhe veçanërisht te gjinia femërore. Rreth 1 në 3 të intervistuar (34%) “nuk është aspak i interesuar” ndaj politikës, ndërsa 18% e të intervistuarve shfaqin nivele shumë të ulëta interesi ndaj saj (“nuk janë të interesuar”). Ndarja sipas gjinisë nxjerr në pah se femrat janë më pak të interesuara për çështjet politikë sesa meshkujt (38% e femrave në krahasim me 29% të meshkujve pohojnë se “nuk janë aspak të interesuar”). Rreth 25% e meshkujve të intervistuar deklarojnë se janë “shumë të interesuar” në krahasim me vetëm 12% të femrave të cilat pohojnë të njëjtën gjë.