Studimi i fizibilitetit: autostradës Thumanë-Kashar iu dyfishua kostoja nga 169 në 330 milionë euro

112

Rruga Thumanë-Kashar kishte kosto sa gjysma e koncesionit që qeveria donte t’ia jepte privatit.

Studimi i fizibilitetit të rrugës ka treguar se kostoja e ndërtimit të saj realisht ishte 169,3 milionë euro, ndërkohë që qeveria kishte parashikuar ta jepte me koncesion për 330 milionë.

Rruga prej 20.4 kilometrash nga Kashari në Thumanë është pjesë e autostradës Adriatiko-Joniane, pjesë e së cilës është edhe segmenti prej 15 kilometrash Milot-Balldren, dhënë me koncesion kompanisë ANK për 300 milionë euro.

Kashar-Thumanë qe parashikuar t’i jepej me koncesion dhe qeveria nisi procedurat e koncesionit përpara se të kishte rezultatet e studimit të fizibilitetit.

Kostoja e rrugës u parashikua në buxhetin e vitit 2019 me vlerë 45,5 miliardë lekë, ose ndryshe 330 milionë euro.

Mirëpo koncesioni u anulua në janar. Qeveria e arsyetoi këtë tërheqje me investimet që kishte rishikuar ti kryente në arsim, kjo si rezultat i protestave masive të studentëve.

Rreth 8 muaj pas anulimit të koncesionit, Ministria e Infrastrukturës tregon në një raport të saj se rruga në të vërtetë kishte kosto 169,3 milionë euro.

Pra qeveria duke mos-pritur rezultatet e studimit të fizibilitetit, ishte e gatshme ta jepte me koncesion me pothuajse dyfishin e kësaj shume.

Projekti dhe kostoja e dalë nga studimi sipas raportit të publikuar nga Ministria.

Autostrada Adriatiko-Joniane duket se do të vazhdojë të jetë në qendër të vëmendjes.

I vetmi projekt infrastrukture për të cilin qeveria mori mbështetje nga Nisma e Berlinit, vazhdon të ndiqet nga dyshime korrupsioni dhe skemash për pastrim parash.

Pavarësisht mbështetjeve nga BE, qeveria ka këmbëngulur ta ndërtojë këtë rrugë që vazhdon nga kufiri shqitparo-malazez e deri në kufirin me Greqinë me forëm PPP.

Mediat dhe opozita kanë denoncuar herë-pas-here skandalet që lidhen me kostot e rrugëve, veçanërisht të rrugës Milot-Balldren.