Sigal

Skandali: Qeveria me administratorët militantë “pushton” fakultetet me polici private dhe të Shtetit

Studentët votojnë unanimisht për bojkot dhe ngujim në universitete

Jakup B. GJOÇA

Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme studentët të mbledhur në ambientet e Fakultetit Ekonomik, diskutuan strategjinë e vazhdimit të protestës së tyre. Pas sondazhit të bërë, ata vendosën se do të vazhdojnë bojkotin e mësimit si dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë të ngujuar në Fakultet. “Do vazhdojmë bojkotin dhe ngujimin tonë pa afat, pasi kërkesat tona nuk janë plotësuar. Nesër të gjithë duhet të na bashkohen në protestë, pasi nuk janë plotësuar kërkesat tona. E kemi parë që kemi mbështetjen e të gjithëve dhe Rama të mos guxojë të cenojë kauzën tonë. Ne do shkojmë të ngujohemi tani dhe të gjithë duhet të na bashkohen. Nesër herët në mëngjes prej orës 07:00 iu ftojmë ti bashkoheni kauzës sonë. Studentët e bashkuar kanë për të fituar”- kanë thënë studentët.

Ngujimit i bashkohen studentët e Mjekësisë

Zgjerohet protesta e studentëve, të cilët prej disa ditësh kanë bojkotuar mësimin dhe vijojnë të ngujuar në fakultetet përkatëse. Mbrëmjen e djeshme, ngujimit i janë bashkuar edhe studentët e fakultetit të Mjekësisë. Me maska dhe uniformat e bardha, studentët e Mjekësisë bashkohen me studentët e Ekonomikut, Inxhinierisë, Juridikut dhe Arkitekturës, të cilët vijojnë ngujimin prej 4 ditësh në fakultetet përkatëse për të vijuar bojkotin dhe ngujimin edhe në ditët në vijim deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

 

Studentët e Shkodrës u “bashkohen” protestuesve në Tiranë

Në një njoftim në rrjetet sociale, studentët e fakultetit të Infermierisë dhe të Shkencat e Natyrës në Shkodër kanë paralajmëruar protestë masive. Ato kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre, ndërkohë që paralajmërojnë se do të zhvillojnë protesta për gjatë gjithë javës.

Qeveria, me administratorët militantë, urdhëron policinë të futet në universitete

Qeveria ka marrë në dorë edhe universitetet, duke emëruar administratorët e universiteteve militantë të partisë. Këta, në kundërshtim të plotë me ligjet dhe me statutin e Universiteteve, kanë urdhëruar policinë e Shtetit dhe policinë private që të zaptojnë mjediset e universiteteve dhe të nxjerrin me të gjitha mënyrat studentët protestues. Madje, duke shfrytëzuar një hapësirë në Ligjin për Universitetin, këta administratorë, militantë të partisë, kanë dërguar në policinë private dhe në Policinë e Shtetit urdhra që ata të futen në mjediset e universitetit, dhe këto shkresa nuk janë vulosur fare nga rektorët, siç e kërkon ligji për Universitetin. Urdhrin për UT e ka firmosur Skerdi Dafa, administrator i universitetit. Po kush është Skerdi Dafa? Kush e ka emëruar? E ka emëruar qeveria. Skerdi Dafa është ish-drejtor i Postës, ish-drejtor i Tatimeve të Elbasanit, militant i PS. Po kështu, administratori i fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Sotira Bufi, dhe administratori i fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, Arbër Zejnati kanë firmosur urdhrat pa vulën e rektorit dhe dekanit përkatës.

Kryeministri Rama: Sot do të çoj specialistët e ministrisë së Financave dhe të Arsimit

Ndërkohë kryeministri Rama ka njoftuar se që nga sot do të jenë përditë në fakultete specialistë nga ministria e Financave dhe të MARS, që t’u shpjegojnë studentëve VKM e qeverisë për lehtësirat financiare që ka ndërmarrë qeveria, duke dashur kësisoj, të bindë studentët, se qeveria i ka plotësuar kërkesat e tyre ekonomike.