Studentët sot para Kryeministrisë: Zero Tarifë për regjistrimet në Universitetet Publike. Arsimi është falas

637
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Protesta e studentëve, më e madhja pas Dhjetorit 1991 tronditi qeverinë, duke e detyruar të heqë pagesat për provimet e mbartura

VKM-ja e 5 majit 2018, një vendim që synon zhvatjen e studentëve

Proteste e studentëve sot në ditën e katërt, është protesta më e madhe e studentëve pas Dhjetorit 1991. Dje mijëra studentë vërshuan nga të gjitha universitetet publike të Shqipërisë, mbushën bulevardet e Tiranës, dhe u drejtuan para Ministrisë së Arsimit. Përgjigja e kryeministrit Rama, e ministres së Arsimit Lindita Nikolla, një ditë më parë, se kërkesa kryesore e tyre duhet të shqyrtohet me universitetet, pasi është kompetencë e tyre, nuk përmbushi kërkesat e studentëve. Për më tepër, studentët u ndien të fyer nga përcaktimi i kryeministrit, i cili tha se qeveria nuk mund të shpërdorojë taksat e shqiptarëve për t’u dhënë provime falas “mbetësve”. Studentët protestues e cilësuan VKM-në e 5 majit 2018 një vendim që synon zhvatjen e studentëve.

Apeli i studentëve protestues

Me thirrjet “Hiqni tarifën”, “Arsim publik falas” dhe “Nuk jemi ngelës” – studentët hodhën pankarta të shumta që kritikonin tarifën shtesë si një barrë mbi përpjekjet e tyre për të arritur rezultate më të mira në shkollë. Protestuesit hodhën gjithashtu vezë ndaj fasadës së ministrisë së Arsimit, ku forca të shumta policie ishin të pranishëm.

Solidariteti studentor me protestuesit nga universitetet e rretheve

Studentëve të kryeqytetit u dolën në krah edhe qindra studentë të Elbasanit, Durrësit, Korçës, Vlorës dhe Shkodrës. Për 4 orë studentët e Universitetit “Fan S. Noli” të Korçës protestuan duke u nisur nga fakultetet përkatëse dhe u bashkuan në Bulevardin “Republika” , për të marshuar para Rektoratit të Universitetit. Në Shkodër qindra studentë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” protestuan në mesditë fillimisht para Rektoratit kundër tarifave. Studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” iu bashkuan protestës rreth orës 09.00 të mëngjesit të se enjtes. Protesta u zhvilluan edhe nga studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës. Një protestë e ngjashme u mbajt edhe në Vlorë.. Protesta po ashtu u organizuan edhe në Universitetin Bujqësorë në Kamëz. I vetmi universitet ku nuk pati protesta ishte ai i Gjirokastrës.

Protestës së studentëve iu bashkuan edhe gjimnazistët e Tiranës

Protestës së madhe të studentëve në kryeqytet i janë bashkuar edhe nxënës të shkollave të mesme. Nxënësit e shkollës “Qemal Stafa” iu bashkuan protestës së studenteve, ndërkohë që nga burime mësohet se nxënësit janë kërcënuar nga drejtoria e shkollës që të mos merrnin pjesë në protestë.

Ministria tërhiqet

Rreth mesditës, ministrja e arsimit Lindita Nikolla doli në një konferencë për shtyp ku lajmëroi tërheqjen e VKM. “Që sot qeveria do të shfuqizojë vendimin që lidhet me tarifat për studentët përsëritës,” u shpreh Nikolla, gjatë fjalimit, ku nënvijëzoi disa aspekte të buxhetit për arsimin dhe faktin që tarifat nuk janë rritur prej 2014-s. Jashtë ministrisë, studentët protestues brohoritën të kënaqur vendimin e tërheqjes së tarifës, por u shprehën se ajo ishte vetëm një nga katër kërkesat e tyre.

Kërkesa e studentëve: Heqja e tarifës shtesë për provimet e mbartura

Studentët kërkuan shfuqizimin e pikës 4 të VKM-së nr 288 për tarifë shtesë për provimet e mbartura. Ata gjithashtu kërkuan që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-te, dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët. Përmirësimi i kushteve të konvikteve, ishte një tjetër kërkesë e studentëve, si dhe përgjysmimi i tarifës së studimit. Studentët e mbyllën protestën e tyre të së enjtes, duke deklaruar se do ta vazhdonin atë të nesërmen përpara kryeministrisë, të vendosur për plotësimin e të gjitha kushteve të tyre.

‘Qeveria për 2 km rrugë 40 milionë, për arsimin 35 milionë euro’

Qeveria nuk e ka përparësi arsimin e të rinjve. Një nga studentët protestues që ndodhet para Ministrisë së Arsimit solli si shembull buxhetin e dhënë prej qeverisë për arsimin, 35 milionë euro ndërsa për një rrugë 2 kilometra jep 40 milionë euro duke iu referuar segmentit te Unaza e Re. “Qeveria ka dhënë 35 milionë euro për arsimin e të rinjve në vend, ndërsa jep 40 milionë euro për 2 kilometra rrugë. E shikoni se me çfarë kemi të bëjmë. Ne nuk tërhiqemi. Kryeministri na tha ngelës, por po i them atij se nuk ka aspak të drejtë që në ta quajë kështu për shumë arsye”, tha studenti.

Kërkesa e re: Dekanët të bëjnë publike diplomat dhe doktoraturat

Studentët kërkuan në protestën e tyre, që dekanët të bëjnë publike diplomat dhe doktoraturat e tyre, sepse ka shumë spekulime.

Sot të gjithë studentët para kryeministrisë

Studentët kanë paralajmëruar një tjetër protestë të madhe për sot para kryeministrisë. Ata kanë publikuar dhe agjendën se nga do të nisen, për tu bashkuar në fund të gjithë para kryeministrisë në orën 10:00. Studentët janë shprehur qartë se nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga kërkesat e tyre që është ajo për arsim falas dhe kushte më të mira mësimdhënieje.

Katër kushtet e studentëve drejtuar MASR:

  1. Shfuqizimi i VKM nr 288 pika numër 4 .
  2. Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat studentore, Ligji i Arsimit të lartë pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-te, dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
  3. Përmirësimi i kushteve të konvikteve.
  4. Përgjysmimi i tarifës së studimit mbështetur në nenin 99 pika 5 (Ligji i arsimit të Lartë).

Protesta e studentëve, jehonë në mediat e mëdha ndërkombëtare

Mediat e mëdha ndërkombëtare i kanë bërë jehonë sot protestës së studentëve shqiptarë që kërkuan anulimin e tarifave për provimet e mbartura, përgjysmimin e tarifës së studimit dhe përmirësimin e kushteve të studimit. Gazeta “New York Times”, pasqyron tërheqjen e qeverisë shqiptare nga vendimin për tarifën e provimeve të prapambetura, ndërsa thekson se nuk janë plotësuar kërkesat e tjera të parashtruara nga studentët. Gazeta “Washington Post” thekson gjithashtu se studentët do të vazhdojnë protestat e tyre derisa të plotësohen të gjitha kërkesat e tyre. Lajmi pasqyrohet edhe agjencia “BalkanInsight”. Me titull “Shqipëria tronditet nga zemërimi i studentëve për tarifat e shkollimit”, kjo agjenci nënvizon se studentët bllokuan hyrjen e Ministrisë së Arsimit në ditën e tretë të protestës kundër rritjes të tarifave të shkollimit dhe vështirësive ekonomike. Mediat e huaja i janë referuar për agjencisë “Associated Press” për protestën e studentëve.

Shkollimi, 500 mijë lekë; Kosto vjetore për një student nga rrethet në Tiranë

 Lëvizja për Universitetin ka kryer një studim në lidhje me kostot studentore të të rinjve nga rrethet që zgjedhin fakultetet në Tiranë si një mundësi më e mirë studimi. Dhe, sipas këtij studimi, një studenti nga rrethet i duhet 500.000 lekë të reja, për një vit studimi. Por kjo zgjedhje,veç shpenzimeve për tarifat vjetore të shkollimit, shton shpenzimet e jetesës; një qira për të paguar, të ushqyerit larg tryezës familjare, të veshurit që përmblidhen në një shumë të lartë krahasuar me të ardhurat e një familjeje shqiptare.

Kryeministri Rama: Qeveria ka nisur investim masiv

Kryeministri Edi Rama tregoi në Facebook se qeveria ka nisur investim masiv “për të ndryshuar rrënjësisht situatën e trashëguar të konvikteve”. “Meqë po diskutohen këto ditë edhe kushtet e godinave për studentët, ja prova që kjo qeveri, si asnjë tjetër më parë, ka nisur një investim masiv (18.8mln€ Faza 1) në bashkëpunim me qeverinë gjermane, për të ndryshuar rrënjësisht situatën e trashëguar të konvikteve. Ndiqeni deri në fund sepse nis si 3D po vazhdon si realitet i prekshëm i kantierit të parë të këtij projekti”, shkruan Rama në rrjetin social.

Mark Marku, Drejtues i departamentit të Gazetarisë në UT: Studentët po reagojnë për të drejtat e tyre

“Ne nuk paguhemi për provimet, nuk janë pjesë e normës, ne kemi një pagë fikse dhe paguhemi. Provimet nuk futen aty, tek normat shtesë. Universiteti nuk ka asnjë shpenzim shtesë. Studentët paguajnë një kuotë që arrin një shifër në vit, dhe kjo tarifë shtesë ishte e kotë, nuk ka logjikë. Ishte reagim shumë i drejtë nga studentët. Si pedagog mendoj se jam në mbështetje të tyre.

Presidenti Ilir Meta në krah të studentëve: Të adresohen shqetësimet

Presidenti i Republikës, Ilir Meta po ndjek me vëmendje protestat e studentëve të universiteteve në disa qytete të vendit. “Duke vlerësuar situatën e krijuar, Presidenti Meta u bën thirrje autoriteteve dhe institucioneve përgjegjëse të dëshmojnë ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë e duhur në adresimin e çështjeve që shqetësojnë studentët, në përputhje me kuadrin ligjor dhe të frymës së dialogut për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të drejtë në interesin më të mirë publik. Duhen bërë me shumë përpjekje për një arsim dhe edukim sa më cilësor, që garanton shanse të barabarta për të gjithë, pavarësisht mundësive të tyre financiare. Rinia është aseti ynë me i çmuar kombëtar, ndaj dhe kujdesi ndaj shqetësimeve dhe aspiratave të tyre duhet të jetë prioritet i të gjithëve, sidomos i institucioneve.” thuhet në reagimin e presidentit.