Studentët para kryeministrisë/ Nuk ka negociata. Protestës sot i bashkohen edhe prindërit e tyre. Jehonë e madhe në mediat ndërkombëtare

520
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Sot të gjithë në protestë, prindërit e studentëve bojkotojnë punën

Studentët gdhihen përpara kryeministrisë, nuk pranojnë negociata me qeverinë. Paralajmërimi për Grevën e Urisë

Dje ishte dita e shtatë që studentët protestojnë para ministrisë së Arsimit. Nuk pranojnë asnjë negociatë, asnjë dialog me kryeministrin, përveçse presin që qeveria të plotësojë pa kushte të tetë kërkesat e tyre.

Qytetarët përkrahin studentët në protestë

Mijëra studentë që në orët e para të mëngjesit, rrethuan ministrinë e Arsimit, duke krijuar atmosferën e ndezur të protestës. Mirëpo, sa më shumë ditë kalojnë, qytetarë dhe prindër të studentëve bashkohen me ta në protestë. Krahas tyre bashkohen dhe solidarizohen edhe pedagogë, artistë, personalitete. Protesta është e vazhdueshme, pa afat.

Solidariteti

Të gjitha universitetet publike mbarë Shqipërisë janë në protestë, pavarësisht kërcënimeve, presioneve që bëjnë rektoratet dhe policia. Madje, shumë studentë nga universitetet e Shkodrës, Elbasanit, Korçës, Gjirokastrës, Durrësit mbërrijnë në Tiranë, për t’u bashkuar me studentët protestues. Kauza është e përbashkët.

Ultimatumi

Studentët i kishin dhënë një ultimatum qeverisë, që deri në orën 16 të ditës së martë, do të presin që të plotësohen 8 kërkesat e tyre, përndryshe, do të përshkallëzojnë protestën. Kryeministri Rama, reagoi, sërish nëpërmjet rrjeteve sociale, duke i ftuar edhe një herë studentët për dialog. Madje kryeministri foli, se studentët protestues nuk janë shumica e studentëve, duke dashur që t’i nënvlerësojë. Mirëpo studentët reaguan, duke iu përgjigjur kryeministrit, që protestuesit janë shumica e studentëve.

 “Nuk ka negociata, nuk ka përçarje”, thirrjet e studentëve tek “Zogu i Zi”

Pas përfundimit të ultimatumit që studentët, i kishin vënë kryeministrit, një pjesë e tyre protestuan tek “Zogut të Zi”, duke thërritur: “Nuk ka negociata, nuk ka përçarje.” Studentët vazhdimisht kanë refuzuar kryeministrin Rama për dialog. Ata thonë se kërkojnë vetëm plotësim të kërkesave të tyre të cilat janë të qarta, dhe s’kanë nevojë për dialog.

Rama reagon sërish: S’ndalemi më për Universitetin

Kryeministri Edi Rama, reagon sërish lidhur me protestën e studentëve, të cilët u ndanë në 3 grupe, një para Ministrisë së Arsimit, një para Kryeministrisë dhe një tjetër tek rrethrrotullimi i “Zogut të Zi”. Kryeministri Edi Rama e ka quajtur një pjesë të studentëve si militantë të PD dhe LSI-së, dhe një pjesë si studentë të vërtetë. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Rama shprehet: “Ju mbytën me presionin kundër Dialogut se do ju përçaja unë, po tani kush ju përçau?! Mos e vrisni mendjen, unë jam me studentët jo me maskat e LSI PD dhe s’ju le në baltë Jo ato pikat, po shumë më tepër se aq do bëjmë së bashku. Me të nisur Dialogun, s’ndalemi më #përUniversitetin”

Reagimi: Asnjë student që ulet me kryeministrin, nuk na përfaqëson

Studentët njëzëri reaguan sërish kundër kryeministrit, duke thënë, që asnjë student nuk i përfaqëson, nëse shkon dhe ulet për të dialoguar me studentët.

Përballë Kryeministrisë

Studentët, pasi mbaroi afati i ultimatumit, u drejtuan drejt kryeministrisë, duke u ulur të gjithë në sheshin para saj. Studentët, bënë të qartë: Asnjë nuk do të largohet nga sheshi para kryeministrisë edhe gjatë gjithë natës. Një prej studentëve tha se grupi është ndarë nga militantët e partisë dhe se do qëndrojnë pa afat përpara kryeministrisë. “Kemi marrë bukë me vete, na kanë sjellë e qytetarët, dhe ne do rrimë tërë natën këtu mbi libra, do lexojmë,” – tha ai.

8 kërkesat

1-Rritja e buxhetit me 5 % e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.

2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.

3-Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)

7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve.

Sot prindërit bëjnë bojkot punës në administratë

Bojkot jo vetëm për studentët, por edhe për prindërit e tyre. Kështu deklaroi dje nga protesta para Ministrisë së Arsimit, një prej studentëve, i cili tha se ditën e nesërme (sot) është rënë akord me prindërit që punojnë në administrata por dhe në institucione të shërbimit publik. “Nesër prindërit do bojkotojnë punën. Në uzinën e Ballshit, në Fierzë, Koman, Vau i Dejës, duke shkaktuar ngërç shtetëror, që kryeministri t’iu bindet studentëve”, -tha studenti.

Pedagogu Mark Marku: Protesta, shenjë e pastër që arroganca e Ramës ka marrë fund

Shefi i departamentit të Gazetarisë në Fakultetin e Histori-Filologjisë në Tiranë, Mark Marku, “Këto janë pasojat e ligjit për arsimin e lartë. E kundërshtuam, kur u paraqit si projektligj. Meqë dje studentët bënë një thirrje, ata t’i qëndrojnë. Këto janë kërkesa plotësisht të plotësueshme, por nuk plotësohen, nëse nuk ndërrohet ligji. Se është ky ligj që e ka shkaktuar këtë situatë. Ligji do duhet të ndryshojë, studentët i bëjnë këto, se ka një problem të madh, një tarifë e tillë për universitetin publikun shqiptar, me nivelin e pagave dhe të papunësisë, janë shifra tre-fish më të larta se vendet evropiane. Ato janë një grup shumë heterogjen, fryma e protestës është pozitive. Është një model për shoqërinë shqiptare. Edhe fakti që s’pranojnë dialog, bëjnë shumë mirë. Rama do t’ia bëjë si nder studentëve këto kushte, por studentët e thonë që ne s’duam fare ta kemi si nder, duam kushtet dhe pikë. Qeveria ka marrë përsipër t’u rregullojë jetët, jo t’i vejë në vështirësi. Le të rëndohet buxheti, se buxheti publik që merret nga taksat tona, duhet të shkojë për siguri, arsim dhe spitale. Ne paguajmë 100 taksa, jo karburanti, jo ambienti, dhe pastaj të vë dhe traun e rrugës me pagesë. Të paguash 10 herë për një gjë. Problemi që ata kanë studentët tani janë për shkak të ligjit të arsimit. Ky është abuzim ndaj studentëve. Kjo që po ndodh është shenjë e pastër që arroganca ka fund. Rama ka menduar që qeveria mund të tallet me popullin. Ai filloi të mendojë që do largohem kur të dua vetë, por jo. Ai do ikë derisa të jetë vullneti i qytetarëve të tij. Kur ai thotë ashtu është ose i çmendur, ose injorant, ose diktator. Është fat që ka protestues paqësorë. Duhet ta lexojë mirë protestën.

Jehona ndërkombëtare e protestës së studentëve

Mediat ndërkombëtare i bëjnë jehonë protestës së studentëve

Protesta e studentëve ka gjetur jehonë në media ndërkombëtare. “Reuters”, “AP”, “Ansa”, “New York Times” dhe “Washington Post”. Mediat raportojnë atë që po ndodh në vend prej 7 ditësh tashmë, duke theksuar se studentët i kanë refuzuar të gjitha ftesat e kryeministrit Rama për t’u ulur në bisedime duke kërkuar më parë plotësimin e kërkesave të tyre. Studentët janë në ditën e 7 të protestës në rrugë. Ata kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave të tyre dhe kanë paralajmëruar se në rast mosplotësimi, ata do marshojnë drejt Kryeministrisë. Kreu i qeverisë, Rama, edhe sot përsëriti ftesën e tij për t’u ulur në bisedime me studentët, por këta të fundit e kanë hedhur poshtë sërish. Ata kanë deklaruar se asnjë student nuk do shkojë në takim me Ramën dhe ata që shkojnë nuk përfaqësojnë askënd. Ata thërrasin: Arsim falas, ulni tarfiat, e duam Shqipërinë si gjithë Europa, e duam arsimin si gjithë Evropa. Pak ditë më parë kryeministri Rama i cilësoi ata si ngelës por më pas u detyrua të ndryshojë qëndrim.

Reuters: Protestë e rrallë në Shqipëri, Rama nën presion

Agjencia e njohur e lajmeve, Reuters, ka publikuar një raportim në lidhje me protestën e studentëve në Shqipëri. Studentët shqiptarë bllokuan një kryqëzim të rëndësishëm në kryeqytet të martën pasi qeveria nuk përmbushi kërkesat e tyre për të përmirësuar sistemin arsimor dhe uljen e tarifave. Protesta paqësore dhe plot ngjyra, që ka nisur prej një jave jashtë Ministrisë së Arsimit, është një shfaqje e rrallë zemërimi në një vend ku manifestimet organizohen zakonisht nga partitë politike. Protesta e vendos nën presion kryeministrin socialist, Edi Rama, ofertat e të cilit janë refuzuar.

Deutsche Welle: Studentët protestues, ultimatum për grevë urie

Politika po korr atë që ka mbjellë

Protesta e studentëve hyri sot në ditën e saj të 7-të. Në thelb kërkesat e studentëve janë më shumë se financiare dhe përmirësim kushtesh studimi dhe jetese. Studentët kërkojnë ndryshim të sistemit të lartë arsimor publik, ndryshim të ligjit përkatës, kërkojnë vlerat universitare të pa përfillura nga politika për një kohë të gjatë. Ata këmbëngulin që politika t’i qëndrojë larg protestës së tyre. Kjo lë të kuptohet qartë se janë të pakënaqur jo vetëm nga qeveria por edhe opozita dhe politikat e saj ndaj arsimit të lartë kur ishte në pushtet. Politika nuk ia ka ndalë mbanë të luftojë dhe ?rrënjosë korrupsionin dhe nepotizmin në stafet e pedagogëve. Ajo ka lejuar blerjen e notës dhe diplomës edhe në universitetet publike duke zhvlerësuar dijen dhe mundin e studentëve të pa korruptuar. Fabrikimi i diplomave që u shfaq në kohën e boom-it të universiteteve private, 2005-2013 dhe u lejua nga politika pati pasoja të rënda që ndihen edhe sot. Studentët protestojnë që politika të transformojë sistemin arsimor dhe të rikthejë vlerat universitare që u sigurojnë atyre punë dhe të ardhme. Largimi masiv i rinisë nga Shqipëria ka në thelb zhvlerësimin e arsimit të lartë, pamundësinë që diploma t’u japë një vend pune dhe t’u sigurojë të ardhmen. Liderë të opozitës janë shprehur publikisht se mund t’i bashkohen protestës nëse studentët e kërkojnë. Por studentët vazhdojnë të kundërshtojnë ardhjen në radhët e tyre të përfaqësuesve dhe militantëve të partive politike opozitare.

VOA: Protesta e studentëve, pjesëmarrje e jashtëzakonshme në ditën e shtatë

Mijëra studentë të universiteteve publike po protestojnë para ministrisë së arsimit në kryeqytet, duke kërkuar përmirësim të kushteve të jetesës dhe ulje të tarifave të studimit. Kjo është dita e shtatë e protestës së tyre, sot më masive se asnjë ditë tjetër, ku morën pjesë studentë të universiteteve publike të Durrësit, Vlorës, Elbasanit, Shkodrës, Korçës, Gjirokastrës. Protestës iu bashkuan edhe maturantë të shkollave të mesme të Tiranës, ndërsa ata në rrethe zhvilluan tubime në të gjitha qytetet, duke ndërprerë mësimin. Studentët pohojnë se 8 kërkesat e tyre për uljen e tarifave, rritjen e buxhetit për arsimin, për pjesëmarrje në menaxhimin e fakulteteve dhe zgjedhjen e dekanëve, korrupsioni dhe paaftësia i pedagogëve etj janë të pa negociueshme dhe ata presin që vetëm të përmbushen nga qeveria. Ata theksojnë se kërkesat e tyre janë pjesë e ligjeve ekzistuese dhe duhej të ishin plotësuar nga qeveria edhe pa këtë protestë, ndaj nuk çfarë të negociojnë, sepse ato janë detyrat ligjore të autoriteteve në raport me studentët.

Jehonë në “Washington Post”: Pse studentët shqiptarë nuk i binden Ramës

Protesta e mijëra studentëve shqiptarë ka bërë jehonë edhe në mediat më të rëndësishme ndërkombëtare. Pas agjencive AP, ANSA edhe gazetat amerikane si “New York Times” dhe “Washington Post” kanë shkruar për atë që po ndodh në Tiranë. Prestigjiozja “Washington Post” shkruan se kryeministri shqiptar Edi Rama nuk arriti të bindë studentët protestues të universiteteve publike që të shkojnë të takohen me të dhe të bisedojnë për kërkesat e tyre. “Duke mbajtur protestën para ministrisë së Arsimit, ata kanë kërkuar që të përmbushen kërkesat e tyre, janë 8 pika për të cilat kryeministri i sqaroi dje në një dalje Live në Facebook dhe ofroi zgjidhje duke ftuar studentët të shkojnë e të bisedojnë. “Washington Post” shkruan se kërkesat e tyre janë: Përgjysmimi i tarifave, dyfishim i buxhetit për arsimin dhe prani më e madhe e studentëve në bordet vendimmarrëse. Rama tha se qeveria është gati për dialog, por shtoi se bordet autonome të universitetit kanë autoritetin për të përmbushur ose refuzuar shumicën e kërkesave, duke përfshirë vendosjen e tarifës. Studentët u bëjnë thirrje partive politike të qëndrojnë larg protestës pasi ata kanë kauzën e tyre. Ata paralajmërojnë se do mbajnë grevë, nëse u plotësohen kushtet.