Studentë e qytetarë protestë para Parlamentit

509
Sigal

Përpara parlamentit po zhvillohet një protestë, ku përveç studentëve ka edhe qytetarë të tjerë.

Studentët po mbajnë fjalime ku bëjnë thirrje që protesta e tyre mos ketë ngjyrime politike.

“Çdo shqiptar të lërë partitë, mos bëni thirrje partiake, por bëni thirrje për mbrojtje të kauzës sonë. Kemi 15 ditë dhe nuk kemi folur për ligjin e arsimit të lartë”, tha një student.

Ora 09:20 Mobilizohet edhe PD

Ndërkohë edhe PD është mobilizuar për t’iu bashkuar protestës. Sipas kryetarit të PD Fier, Luan Baçi nga ky qytet janë nisur rreth 1000 protestues. Nisja është bërë nga pika të ndryshme të qytetit si dhe nga njësi administrative. Sipas Baçit një pjesë protestuesish janë nisur me mjetet e tyre private.

“Bojkotimi i mësimit, mbledhjet koordinuese në fakultete do të jenë të përditshme. Dita e nesërme, kur Kuvendi i Shqipërisë mblidhet në seancë plenare, është vendimtare. Aty do të jenë strukur të gjithë përgjegjësit e katastrofës universitare, të sotmit dhe të djeshmit“, shkruan në FB Lëvizja për Universitetin.

Një ditë më parë studentët e dy fakulteteve, Shkencat Sociale dhe Ekonomiku vendosën që protesta dhe bojkoti mësimor të vijojë edhe pas pushimeve të fundvitit.

Ndërsa kryeministri Rama ka nisur një dialog me studentë dhe pedagogë të Fakulteteve dhe Universiteteve, ka bërë publik edhe planin për zbatimin e 8 pikave të kërkuar nga studentët.