Struktura e re shtetërore, shkrihen 40 agjenci dhe institucione

934
Nga 141 agjenci dhe institucione varësie të analizuara, propozohet të mbeten vetëm 104. Si do të veprohet me pronat, inspektimet dhe prokurime
Një grup i posaçëm, nën drejtimin e Niko Peleshit, prezantoi dje në Asamblenë e Partisë Socialiste një rishikim të funksioneve dhe të strukturës së institucioneve të varësisë. “Është një projekt që do t’i duhet dhe do t’i vlejë çdo ministrie, çdo sektori dhe një grupi të posaçëm pune për ta thelluar dhe për ta jetësuar më tej në strukturën e vet, në sistem të institucioneve të varësisë”, tha Peleshi. Nga kjo analizë ka dalë se Shqipëria ka krahasimisht me shtetet e tjera një numër shumë të madh të institucioneve të varësisë, duke përfshirë edhe degët: kemi rreth 500 institucione varësie, agjenci dhe institucione të ndryshme, të cilat janë të shpërndara në mënyrë jopropocionale. Ka 81 institucione ofruese të shërbimeve, 13 institucione politikbërjeje dhe 132 institucione që kanë funksione mikse. Gjithashtu, ka një varietet të madh të punonjësve, nga institucione me 10 punonjës, në institucione me 1400 punonjës. “Kemi bërë dhe një vështrim mbi teknologjinë në institucionet tona dhe na rezulton që vetëm 30% e institucioneve kanë regjistra të digjitalizuar dhe vetëm 20% e institucioneve nuk kanë regjistra fare”, tha Peleshi. Sipas tij, baza e të dhënave është një nga ato që të bien në sy dhe që jemi të vetëdijshëm që nuk kemi ende një databazë qendrore të të dhënave të shtetit shqiptar. “Propozojmë krijimin e një agjencie qendrore të bazës qendrore të të dhënave, e cila pa dyshim duhet të furnizohet nga institucionet, ministritë dhe institucionet e tjera, të cilave duhet t’u kërkohet përfundimi i shpejtë me një afat të përcaktuar të procesit të digjitalizimit të regjistrave fizikë në çdo institucion”, tha ish-zv/kryeministri.

Rekomandimet
Grupi i punës është udhëhequr nga parimi i optimizimit për rritjen e eficencës institucionale, sipas parimit “të bëjmë më shumë dhe më mirë me më pak”. Parimi i dytë është: Një organizim institucional, që shmang mbivendosjet e funksioneve ndërmjet institucioneve të ndryshme. Parimi i tretë është: Udhëheqja nga reforma e re territoriale dhe nga reforma e re rajonale zhvillimore, të cilën e kemi implementuar së fundmi. Nga 141 agjenci dhe institucione varësie të analizuara, grupi propozoi të bëhet një projekt me 104 agjenci varësie. Ndërkohë janë shkrirë agjencitë me më pak se 10 persona në staf dhe janë shmangur apo shkrirë disa institucione që kanë funksione të njëjta apo të ngjashme. Ndërmarrje e shërbimeve publike apo një emërtim tjetër, do të jetë institucioni që ofron shërbime. Inspektorate do të jenë ato institucione që kanë funksione të qarta kontrolli dhe inspektimi. Territori i Shqipërisë, sipas pikëpamjes zhvillimore, është ndarë në 4 rajone të mëdha. 

Së pari, propozohen 4 agjenci rajonale të sistemit shëndetësor, pra nga 1 agjenci për çdo rajon. 4 drejtori të sigurisë së cilësisë së arsimit, që do të zëvendësojnë 13 agjencitë arsimore rajonale. 4 agjenci rajonale të mjedisit. Shërbimi social shtetëror nga 12 të organizohet në 4 degë. Dhe në një perspektivë jo afatshkurtër, edhe degët rajonale të thesarit pas përfundimit të procesit të digjitalizimit të mund të dekoncentrohen në 4 nga 36 që janë sot.

Ministritë
Ministria e Bujqësisë – Propozohet shkrirja e drejtorive të bujqësisë, kalimin e funksioneve veterinare që këto drejtori kanë tek AKU, ndërsa statistikat pranë bashkive. 
Ministria e Financave – Propozimi kryesor është bashkimi i Drejtorisë së Tatimeve me atë të Doganave në Agjencinë Kombëtare të të Ardhurave. 
Ministria e Shëndetësisë – 4 agjenci të përkujdesit rajonal përkundrejt 11 drejtorive si dhe autoriteteve rajonale shëndetësore që kemi sot. 
Ministria e Brendshme – Propozohet ngritja e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, e cila përfshin edhe Drejtorinë e Rezervave Materiale dhe Emergjencat Civile, pasi jemi shumë modestë në kapacitetet e emergjencave civile. 

Ministria e Mirëqenies Sociale – Propozohet kalimi nga 12 drejtori të shërbimit social shëndetësor në 4 drejtori për 4 rajone. 

Ministria e Arsimit – Propozohet ngritja e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë të Arsimit Parauniversitar, e cila bashkon funksionet e 2 institucioneve, atë të Institutit të Zhvillimit të Arsimit dhe Inspektoratit të Arsimit. Ndërkohë në nivel vendor propozohet kalimi në nivel rajonal të drejtorive arsimore: në vend të 13 drejtorive arsimore të kalohet në 4 drejtori të sigurimit të arsimit parauniversitar. Nuk është thjesht ndryshim emri, por fuqizim i funksioneve të këtyre drejtorive të reja. 

Ministria e Ekonomisë – Propozohet agjencia e akreditimit dhe standardizimit, e cila bashkon 2 drejtori: drejtorinë e akreditimit dhe drejtorinë e standardizimit. 

Ministria e Zhvillimit Urban – Propozohet shkrirja e entit të banesave, duke qenë se strehimi është një funksion i bashkive. Enti të kthehet në një fond strehimi. Qeveria mund dhe duhet të mbështesë programet sociale, të strehimit të bashkive për shkak se funksionet e tyre nuk janë të mjaftueshme për të ndërtuar programe sociale strehimi sipas kërkesave të komunitetit. Ndërkohë implementimi dhe programi i këtyre projekteve duhet të bëhet nga bashkitë vetë. Ndërkohë ALUIZNI integrohet në ndërmarrjen e hipotekimit.

Ministria e Mjedisit – Ndërtohet Agjencia Kombëtare e Mjedisit, ku propozohet bashkimi me agjencinë për zonat e mbrojtura, sepse në thelb të dyja këto kanë funksione që mbivendosen.
Inspektimet
Është vënë re që ka një mori strukturash, që kanë funksione inspektimi ose posaçërisht funksione inspektimi, kështu që inspektimin e gjen kudo. Ajo që bie në sy është mungesa normative e formave dhe standardeve. Shqipëria nuk është ende pjesëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Standardeve, ku janë sot 163 vende anëtare. Kemi dublikime funksionesh; kemi një përzierje të kontrollit të brendshëm me inspektimin. Propozohet ndarja e qartë e inspektimit me kontrollin. Kontrolli është një veprimtari e brendshme menaxheriale e drejtorive dhe e inspektimeve, ndërsa inspektimi është i ligjshmërisë dhe sigurisë. Laboratorët janë shumë të rëndësishëm; ka mungesë të madhe të cilësisë së laboratorëve dhe numrit të tyre. Sipas propozimit të ri, në qendër qëndron Agjencia e Standardeve dhe Akreditimit.

Prokurimet
Sipas të dhënave të vitit 2016, rreth 1 miliard dollarë është volumi i blerjeve të mallrave dhe shërbimeve në Shqipëri. Janë 1407 autoritete kontraktore, 8500 procedura prokurimi, në vit lidhen 5500 kontrata dhe ofertohen nga 39 mijë oferta nga kompanitë. Sistemi është shumë i fragmentarizuar; mesa duket është baza është e dobët. Nga 5 mijë procedura të brendshme, 21% e tyre dështojnë të lidhin një kontratë. Sipas propozimit, është e domosdoshme të ketë një agjenci të veçantë që është qendra e blerjeve, që sot blen një kategori mallrash dhe shërbimesh standarde. Propozohet edhe ngritja e qendrave speciale të prokurimeve me kapacitete të specializuara. Sa i përket regjimit të ndihmës së huaj, propozohet një agjenci për prokurimet, si dhe agjencitë që ngrihen të posaçme për projektet. Sa i përket agjencisë së prokurimit publik, propozohet që të marrin një funksion monitorues, duke e kthyer në autoritetin monitorues dhe rregullator të prokurimit.

Prona
Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë një regjistër kadastral të pasurive dhe kjo e ka bërë pasurinë e patundshme të jetë një objekt tjetërsimesh të paligjshme. Duhet një trajtim i pronës më integral. Janë rreth 12 institucione që lëshojnë tituj pronësie. Synojmë që përmes një strukture të re të përfundojë një regjistër fillestar, sistematik, kombëtar i pronës së paluajtshme. Të ndërtojmë një regjistër elektronik të pasurive të paluajtshme për pronat në fshat, për regjistrimin e pasurive pas vitit 1991, si dhe ndërtimin e një sistemi digjitalizimi të pasurive të paluajtshme përfshirë hartografinë sipas standardeve evropiane. Nuk kemi një hartë të unifikuar dhe ky është shkaku kryesor pse gjenerohen kaq shumë mbivendosje prone, përplasje, të cilat nuk janë mbivendosje terreni, por janë mbivendosje letrash dhe hartash të institucioneve tona.
Sigal