Struktura dhe paga për organet e Vettingut, Sabit Brokaj: E gjithë zhurma, një skandal

620
Buxheti i shkurtuar për organet e Vettingut, miratuar nga Qeveria argumentohet pro dhe kundër nga një pjesë e politikës 
Zhurma e madhe e krijuar në Komisionin e Ligjeve dhe më pas në selitë përkatëse të partive politike lidhur me numrin e punonjësve të organeve të Vettingut dhe pagesën e secilit prej tyre, ende nuk është sheshuar. Duket se kjo problematikë ka ndarë opinionet në dy kampe. Nga njëra anë kemi ata që kundërshtojnë rritjen e pagës së tyre më tepër se sa ajo që ka miratuar qeveria, por ka dhe nga ata që shprehen, se paga duhet të jetë e kënaqshme, për të vetmen arsye, që në fund të procesit, të mos ketë justifikimi, nëse ai dështon. Një mendim i tillë ka ardhur edhe nga brenda radhëve të Partisë Socialiste. Anëtari i Kryesisë së kësaj Partie, Sajmir Tahiri, ish-ministri i brendshëm, kundërshtoi Ministrin e Financave. Lidhur me këtë problematikë kanë dhënë mendimin e tyre Sabit Brokaj, një prej deputetëve më të vjetër të Kuvendit të Shqipërisë, ish-ministër i Shëndetësisë në vitin 1991 dhe ish-ministër i Mbrojtjes gjatë viteve 1997-1999. Brokaj është shprehur se pagat e miratuara janë më se normale, ndërsa e konsideron një skandal gjithë përpjekjen që bëhet për të marrë para sa më shumë nga qeveria, paraqë, sipas tij, janë të popullit. Mendim të njëjtë me Brokaj ka edhe juristi Roland Islami. Ky i fundit shprehet se edhe numri i punonjësve të Vettingut është i fryrë. 
Sabit Brokaj
Unë besoj shumë se Vettingu do të realizohet. Nuk e quaj determinues faktin e shpërblimit. Kur merr detyrën ke pranuar të angazhohesh me të gjitha aftësitë profesionale. Do të thosha se paga e çdo anëtari të organeve të Vettingut është shumë e lartë. Madje është më e lartë se paga e Presidentit dhe Kryeministrit. E konsideroj skandal të gjithë zhurmën që bëhet lidhur me pagesën e anëtarëve që do të bëjnë procesin e Vettingut. Deri tani është thënë se problem paska qenë, se ata që bënin drejtësi nuk janë paguar mirë dhe për këtë qëllim u merrnin lekë shqiptarëve, tani duan që për të vënë drejtësi të paguhen sërish shumë, përsëri nga lekët e shqiptarëve, por përmes qeverisë. Ky është skandal. Pra, unë dua të them se Vettingu do të bëhet. Nuk jam i sigurt se do të realizohet në nivel shumë optimal, por sigurisht që do të jetë efikas.
Roland Islami
Unë mendoj se ulja e numrit të punonjësve të organeve të Vettingut do të ndihmonte që ky proces të ecte përpara. Sa më i madh të jetë numri i punonjësve, aq më i vonuar do të jetë procesi. Ndërkohë, sa për pagat, ato janë shumë të fryra. Ne kemi përgatitur kohë më parë një raport dhe kemi bërë propozimet përkatëse për uljen e pagave të punonjësve të organeve të Vettingut. Mendimi ynë është se organet e Vettingut janë thjesht informuese dhe paga e tyre nuk duhet të jetë aq e lartë sa edhe mendohet prej tyre. Nëse këto organe do të kenë paga kaq të larta, atëherë çfarë duhet thënë për pushtetin gjyqësor. Një gjë e tillë do të ndikonte në buxhetin e administratës gjyqësore. Faktikisht duke i dhënë shumë rëndësi organeve të Vettingut, të gjithë kanë harruar atë, se çfarë do të vijë pas këtij procesi, pra pushtetin gjyqësor. Organet e Reformës në Drejtësi janë kalimtare. Madje në si shoqatë juristësh kemi dhënë mendimin se Vettingu mund të realizohet vetëm me një grup prej 9 personash. 
Sigal