Strategji punësimi për votat e të pavendosurve

495
Sigal

Selia blu gati për hapjen e vendeve të reja të punës në prag të 23 qershorit

Partia Demokratike mbledh sot Konventën e saj me objekt, debatin për punësimin dhe uljen e papunësisë. Takimi do të zhvillohet  me pjesëmarrjen e të gjithë përfaqësuesve në të gjitha rrethet, duke përsëritur kështu taktikën e zgjedhjeve të fundit, ku në prag të votimeve u punësuan disa qindra–mijra vetë. Por duket se takimi i sotëm ku do të marrë pjesë edhe lideri blu, do të konsolidojë edhe më shumë strategjinë që do të ndjekë kjo parti, për kurorëzimin me sukses të zgjedhjeve parlamentare. Në njoftimin për shtyp të zyrës së shtypit të PD-së thuhet vetëm që “Sot në orën 15:30 Partia Demokratike do të organizojë konventën e saj, në mjediset e Pallatit të Kongreseve. Aktiviteti zhvillohet me regji qendrore”. Por në këtë takim do të ketë një konsultim të ri të krerëve që drejtojnë fushatën e PD-së në të gjithë Shqipërinë. Sipas informacioneve të publikuara nga Berisha, por edhe sipas zhvillimeve mësohet krerët e fushatës së PD-së në rrethe do të jenë thuajse ata që kanë qenë në vitin 2009, ndërsa strategjia do të jetë e njëjtë me fushatën e vitin 2011. Burime nga selia blu bëjnë të ditur se selia blu do të vazhdojë procedurat për 23 qershorin me të njëjtin formacion, drejtues që siguroi maxhorancën në zgjedhjet e fundit parlamentare. Po kështu, edhe lista e krerëve të organizimit të fushatës elektorale nëpër rrethe do të ketë shumë pak ndryshim në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2009. Këtu do të bëjë përjashtim vetëm zëvendësimi i Ferdinant Xhaferrit me ministrin aktual të Drejtësisë, Eduard Halimi. Pas konsultave të shumta për “ndarjen e detyrave” krerët e grupeve të punës do të jenë të gjithë demokratët që drejtuan fushatën në rrethe për zgjedhjet e 2009-s. Kështu qarku më i madh, ai i Tiranës, do të ketë në krye të grupit të punës ministrin e Kulturës, Aldo Bumçi. Kjo është edhe arsyeja që Bumçi gjatë kohëve të fundit i ka lënë pas dore të gjitha problemet e kësaj ministrie duke përpiluar strategjinë dhe taktikat e fushatës. PD do të ndjekë për zgjedhjet e qershorit, një strategji të njëjtë me atë të zgjedhjeve lokale të 2011-s, për Bashkinë e Tiranës. Ndërsa në Shkodër do të jetë kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, në Lezhë Edi Paloka dhe kështu me radhë.

   Lufta për Tiranën

Lufta për Tiranën nuk do të jetë përcaktuese e fitores së zgjedhjeve, por gjithsesi, Partia Demokratike, synon që nga 6 minibashkitë që ka fituar në zgjedhjet e 2011-s, të arrijë shumicën në të paktën 4 ose 5 prej tyre. Sipas informacioneve të brendshme mësohet se Berisha u ka kërkuar militantëve që të mos lëshojnë asnjë votë në njësitë bashkiake numër 2, numër 4, numër 9, numër 10 dhe numër 11. Kjo sipas Berishës do ët arrihet duke larguar ministrat nga kandidimi në Tiranë. Në vend të tyre do të vendosen emra me reputacion dhe të vlerësuar nga opinioni publik. Kjo, për shkak të rivalitetit që vjen partitë e djathta, si FRD, AK, etj. Ku për këtë arsye mund të ketë ndonjë rrjedhje vote.

 Direktivat për qershorit

 Dy nga pikat kryesore ku do të mbështetet platforma blu e krerëve të PD-së në rrethe është punësimi dhe ekonomia. Sipas porosive të Berishës, Ekonomia do të jetë një nga pikat kyçe të debatit, ku do të përballen edhe programet përkatëse nga partitë apo koalicionet që janë në garë. Ka qenë kjo arsyeja, që Berisha u ka kërkuar drejtuesve të Partisë Demokratike që të trokasin në çdo portë për të njohur nga afër problemet e qytetarëve. Gjithashtu, rendi publik, arsimi, kultura, etj do ët kenë vendet e tyre në këtë fushatë. Përveç çështjes së listës Berisha është shumë i përqendruar në Tiranë dhe te teoria e mos humbjes së asnjë vote. Ai ka dhënë porosi të qarta për stafin organizativ në Tiranë, që qytetarët të kontaktohen derë më derë dhe t’ju sqarohet se vota për PD do t’u sjellë ndryshimin e kërkuar. Ndërsa në lidhje me konventën e sotme ne pyetëm dy prej deputetëve blu, Tritan Shehu dhe Shrefedin Shehu, të cilët dhanë mendimet e tyre për këtë konventë.

Drejtuesit e grupeve të punës sipas qarqeve

 Tiranë – Aldo Bumçi

 Durrës – Eduard Halimi

 Lezhë – Edi Paloka

 Dibër – Jemin Gjana

 Shkodër – Jozefina Topalli

 Kukës – Flamur Noka

 Elbasan – Arben Imami

 Fier -Sokol  Olldashi

 Vlorë – Astrit Patozi

 Korçë – Ridvan Bode

 Berat – Genc Pollo

 Gjirokastër – Genc Ruli.

 Tritan Shehu: Konventa do synojë uljen e papunësisë

 Zoti Tritan çfarë do të ndodhë në Konventën e sotme?

Sot do të diskutohet për strategjinë e punësimit, për hapjen e vendeve të reja, për thithjen e investitorëve, për financimin e bisneseve të reja, si edhe për shumë probleme të tjera që kanë të bëjnë me politikat fiskale, lehtësitë për ata që do punësojnë gra e të rinj, si edhe për të gjitha kompanitë që do të mundësojnë punësimin e njerëzve.

A ka të bëjë kjo me demagogjinë që përdoret para fushatave elektorale?

Kjo ka të bëjë me gjetjen e rrugëve për shtimin  e numrit të të punësuarve. Dhe jam i bindur se kjo konventë shumë shpejt do t’i japë frytet e saj duke arritur rezultate të prekshme nga një pjesë e madhe e popullatës.

A do të diskutohet për emrat e deputetëve në të mbledhje?

Jo, axhenda e konventës është e përcaktuar. Sepse çdo konventë ka të përcaktuar qartë problemet që do të diskutojë dhe do të zgjidhë.

A do të ketë ndryshime të emrave që do të drejtojnë fushatën e PD-së në rrethe?

Jo. Mendoj se kjo konventë do të ulë numrin  etë papunëve nëpërmjet alternativave konkrete që do të paraqesë. Ndërsa organizimi i fushatës është një çështje tjetër.

A do të ketë një analizë për punën e deritanishme?

Analiza të tilla as nuk kanë munguar dhe as nuk do të mungojnë. Natyrisht, që këto analiza e çojnë përpara synimin tonë për hapjen  e vendeve të reja të punës.

 ——-

 Sherefedin Shehu: Sot diskutohet programi ekonomik dhe punësimi

 – Zoti Shehu, cila do të jetë tema e debatit të Konventës të PD-së, e cila zhvillohet sot?

– Nesër në Konventën e PD-së do të diskutohet programi ynë. Do të paraqyten shtyllat kryesore të partisë sonë.

– Dhe cilat do të jenë shtyllat e programit të PD-së, për zgjedhjet e 23 Qershorit?

– Do të jenë politikat për rritjen e punësimit.

– Domethënë, debati i Konventës do të jetë ekonomik?

– Boshti i programit të PD-së do të jetë zhvillimi dhe Shqipëria e zhvilluar. Dhe në këtë kontekst, në Konventë do të demostrohen cilat janë politikat për zhvillimin e biznesit, cilat do të jenë politikat fiskale që do të nxitin zhvillimin e biznesin. Këto do të jenë dy temat, që do të diskutohen sot. Do të jete, gjithashtu, edhe politika sektoriale, në planin e përgjithshëm, si edhe do të ketë edhe katër konventa ta tjera.

– Ku thoni, politika sektoriale, çfarë keni parasysh?

–  Bëhet fjalë për sektorët prioritarë dhe politikat për çdo sektorë. E para do të jetë bujqësia.

– Për çfarë arsye bujqësia do të jetë e para?

– Është shpallur si prioritet parësor dhe do të  shpallen e demonstrohen e do të debatohen politikat për zhvillimin e bujqësisë. Dhe më tej, pastaj, do të diskutohen edhe sektorët e tjerë, siç është turizmi. Të gjitha këto, të lidhura me objektivat e para,  që Shqipëria një vend i zhvilluar dhe punësimi. Këto konsiderohen si sektorë më të rëndësishëm. Ndërkohë, prioritet do të jetë edhe energjia, krijimi i ambienteve për koncensionet, për përdorimin e burimeve natyrore, minierat. Të gjitha këto, konventë pas konvente do të shtjellohen, do të diskutohen, derisa të vemi në fushatën elektorale.

– Do të jetë temë diskutimi edhe kriteret e kandidatëve për deputetë?

– Jo, jo, Konventa nuk është mbledhja e partisë. Këto diskutohen në forumet e partisë, jo në konventë. Konventa është për programin e partisë.

– Po për aleancat zgjedhore?

– Absolutisht, jo. Këto i trajtojnë forumet, është kryesia. Është komiteti drejtues. Këtu me delegatët e Konventës do të debatohet vetëm programi. Debati i konventës do të rrihet si do të realizohen këto dy objektiva madhore. Shqipëria vend i zhvilluar dhe punësimi.

– A do të bëhet ndonjë analizë e arritjeve të qeverisjes së deritanishme?

– Po, analiza do të jetë, çfarë është bërë dhe çfarë mund të bëhet më tej.