Sigal

Çështja e pronave: Janë mbi 1.2 milionë dosje gjyqesh që duan 190 vjet të zhvillohen me këto ritme, si dhe 230 mijë denoncime për falsifikim dhe grabitje

Evdal NURI

Me të drejtë mund të thoni: Kaq ke pasur! Jo, kam pasur mbi 12.5 ha. Me çmimin e tregut tani vlerësohen shumë më tepër! Këto i copëtuan, i tjetërsuan, i zaptuan, sipas dëshirës së tyre. Pra, “U katandis kokoshi në një thelë”.

Turp…! Ky është fundi i trishtë i një historie sfilitëse 27- vjeçare.

Afërsisht gjysmën e jetës i kam kaluat me problemin e pronave. Jam lodhur. Kam nxjerrë dhjetëra dokument, gent-plane, harta, vendime e një sërë dokumentesh të tjera. Kam shpenzuar qindra – mijëra lekë. Qindra gazeta kam blerë se ato në “Kryeartikuj” njoftojnë pronarët, që kanë dalë emrat për të marrë lekët. Fjala vjen. Më datë 15-6 -2018, Meçani më merr në telefon, duke më njoftuar se të ka dalë emri në Gazetën ”Panorama” për pronat. Pas disa ditëve, Durimi më bën mesazh. Bli “Telegraf” se do marrësh lekët për pronat. I njëjti njoftim, e njëjta shumë jepet disa herë në të njëjtën gazetë!

Llogaritja: Toka vlerësohet me …qindarka

Së fundi më gazetat në dorë vajta tek A.T.P. Punonjësja, një grua e mirë më bëri hesapin. Keni 12.710 m2. Shuma që ju takon, sipas çmimit të tregut të ’95-s, është 269.440 lekë. Më tej më sqaroi. Nga vendimi i fundit i qeverisë, do të merrni 20%, të saj. Pra 53.888 lekë, mbase 80% do të jepen kompensim fizik! Lekët do t’i merrni me këste për 10 vjet. Që jep shifrën 1.077 lekë. Për të marrë lekët duhen nëntë dokumente. E fundit është një mandat pagesë për 2.000 lekë. Mbeten 3.000 lekë për të gjithë! Boll i kemi. Kjo është për shumicën e atyre që kanë 12-15 ha tokë! Për të qeshur e për të qarë! U mblodhëm me motrat dhe vendosëm: T’ia falim shtetit. E kemi fukara dhe ka nevojë për lekët e pronat tona! Jemi të revoltuar, jo vetëm për harxhet, por dhe për kohën e humbur! Kur po i qaja hallin Prof. Dr. H. Kordhës e Abazit për këtë histori më sqaruan, se për veten e tyre kanë marrë dhe atje ku s’kanë pasur, duke i tjetërsuar! Po t’i donte qejfi Qeverisë e të ishte treguar më bujare e praktike, për mbi 26 mijë pronarët, mund të bëhej një vlerësim i diferencuar. Mbi 70% e pronarëve kanë më pak se nga 3 milionë lekë. Kjo të jepej e plotë. Nga 3-6 milionë të jepesh 1\3. E mbi 6 milionë 1\5-ta. Kjo do të ishte më e arsyeshme. Kryeministri bën takime me koordinatorët për bashkëqeverisje. Kujt i hyn në punë kjo? Thotë se në muajin shtator do të kemi një agjenci për pronat. Kjo mund të ulë mundimet, por s’do të rriti shpërblimet! Pronarët, që po sorollaten dekada, kanë nevojë për kompensim të arsyeshëm e jo përçmues. Pra, ndryshon forma e organizimit, por jo përmbajtja!

Janë mbi 1.2 milionë dosje gjyqesh që duan 190 vjet të zhvillohen

Shumë kanë vuajtur, harxhuar, vrarë, pronarët e shkretë. Për problemin e pa zgjidhur të pronësisë. Janë mbi 1.2 milionë dosje gjyqësore që duan 190 vjet të zhvillohen. Bilanc lufte për çështjen e pronave në Shqipëri. Në harkun kohor të 25 viteve numërohen 8.144 persona të vrarë për çështje pronësie. Të dhënat bëhen të ditura nga një raport konfidencial i policisë dhe i Ministrisë së Drejtësisë mbi të dhënat për natyrën e krimeve të zbardhura dhe dënimet penale të dhëna për krime të kryera me motiv pronësinë. Ajo që bie në sy në këtë raport është fakti se shkalla më e madhe vrasjeve me motiv pronësinë është në fshatra me 4979 të vrarë, ndërsa në qytete numri i vrasjeve me motiv pronësinë është në shifrat e 3165 personave.

Strasburgu ka rrëzuar 85% e vendimeve të Gjykatave shqiptare.

Një fakt tjetër tronditës që del nga ky raport ka të bëjë me argumentin e Gjykatës së Strasburgut. Gjatë këtyre 15 viteve të fundit, për çështjet e ankimuara në dyert e saj nga shtetasit shqiptarë për pronën, vetëm 4% të këtyre vendimeve Strasburgu i ka vlerësuar si të drejta. Një bilanc ky shumë i hidhur për sistemin e korruptuar të drejtësisë në lidhje me pronën.

Janë mbi 230 mijë denoncime për falsifikime e grabitje. Më keq s’ka ku të vejë!

Kërkojmë tokat që na takojnë! Ato na i kanë pushtuar të tjerët, duke mos na lejuar t’i afrohemi për t’i parë e jo për t’i marrë. Shteti na nxjerr njëqind “yçkla”, duhet ky apo ai dokument. Vetëm për të na mërzitur!

 10.000 ha tokë urbane, 50.000 ha tokë bujqësore e pakthyer

Shteti shqiptar u detyrohet ish-pronarëve mbi 10 mijë hektarë tokë të pakthyer urbane dhe 50 mijë hektarë tokë bujqësore, e konfiskuar, në vitin 1945 nga regjimi komunist. Të zhgënjyer nga qeveritë dhe sistemi gjyqësor në Shqipëri, qindra ish-pronarë shqiptarë i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut. Numri i çështjeve në Strasburg e ka kapërcyer shifrën 400. “Fatura që na vjen nga Strasburgu është aq e lartë, sa një ditë mund të kërkojë edhe falimentimin e shtetit”. E gjendur mes dy zjarreve, qeveria shqiptare shpreson që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg të pezullojë për një kohë shqyrtimin e ankesave për pronat që vijnë nga Shqipëria. Ajo pretendon që dosjet e depozituara në Strasburg të kthehen në Shqipëri, për t’u trajtuar sipas legjislacionit të ri. Të tjerat janë në procesin e korrespondencës, apo në fazën e parë të aplikimit. “Ligji i ri ndryshon rregullat e lojës,” ndaj mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i Gjykatës së Strasburgut në këtë rast. Pronarët e shpronësuar nga regjimi komunist dhe të pa kompensuar në demokraci e shohin këtë lëvizje të qeverisë si një hap tjetër kundër të drejtës së tyre. Këto 27-vjet, politika shqiptare ka bërë faje të rënda me të drejtën e pronës. Në fund, janë pronarët që penalizohen për fajet e politikës. Mungesa e standardit shtetëror në zbatimin e ligjit për njohjen, kthimin e kompensimin e pronave po bëhet pengesë serioze për zhvillim e në investimet e donatorëve në jug të vendit, sidomos në bregdetin jugor. Aty nuk njihet ligji 7501, nuk njihet prona e pronarëve legjitimë me tapi e kadastër të para vitit 1944, dhe anasjelltas, gjë e cila ka shkaktuar konflikte të forta sociale. Shumë zhurmë për asgjë.